Adresuar TVSH: Riktheni teatrin ne ekran!

5 Minuta Lexim

Nga Mevlan Shanaj-

Nuk dua të bëhem personazh i rubrikës së dikurshme”Veteranët tregojnë”, por dua të kujtoj kohën kur në programet e TVSH së kishte një ditë në javë ” Teatri në ekran” që kishte rezultuar si një ndër programet më të ndjekura.
Po kujtoj tre raste nga përvoja ime. Me teatrin e Korçës kam disa bashkëpunime pasi me regjisorin Dhimitër Orgocka, një dashnor të teatrit kisha miqësi.
Vemi nga Televizioni për të xhiruar në natyrë dramën “Me gjuhën e pushkës” të Hamza Minarollit me regji të Dhimitër Orgockës , i cili po afirmohej si një regjisor i vetëm për teatrin “A.Z.Çajupi” pas emrit të madh që i kishtè dhënë regjisori më i famshëm i teatrit Piro Mani dhe më pas Mihal Luarasi. Për të realizuar në natyrë këtë dramë vajtëm një grup nga TVSH me dy kamera filmike ( në këtë kohë xhironim me film 16 mm, Stefan Gajo dhe Pali Kuke). Dua ta theksoj se në këtë realizim shkëlqeu Stavri Shkurti që deri në atë kohë nuk kishte pjesëmarrje ende në ekranin e madh, (është koha kur pak filma realizoheshin).
Dua ta kujtoj se pas atij realizimi sikur ja parashikova të ardhmen në ekran Stavri Shkurtit me fotogjeni, zërin dhe sytë që e bënë një portret shumë të preferuar nga regjisorët. Unë e kam ftuar më pas në filmat e mi, “Të shoh në sy”dhe ” Fletë të bardha”.
Pas disa vitesh pati një sukses” Pallati 176″ i Adelina Balashit me regji te Alfred Bualiotit dhe Anton Qesarit.
Vendosëm ta merrnim në TVSH. Me grupin vajtëm në teatër duke parë shkëlqimin e Roland Trebickës vendosa të bëja një eksperiment të pa provuar deri në atë kohë. Provuam ta realizojmë direkt nga salla. Xhiruam disa netë rresht duke ndjekur proçesin e përsosur të Roland Trebicķës. Ai në çdo natë ishte i paparashikueshëm, spontan dhe publiku ishte krejtësisht pjesëmarrës aktiv, këtu qëndron dhe suksesi i dukshēm i kësaj komedie, mendoj se realizimi direkt nga salla i ka dhënë sukses në jetë gjatësi.
Rasti i tretë që kam zgjedhur për ta treguar, nga përvoja shumë vjeçare me realizimet në TVSH është rasti i dramës ” Fernando Krafti më ka shkruar një letër” me regji të shokut tim të klasës Gëzim Kame, me të cilin kishim bërë bashkëpunime të mira edhe më parë.
Një natë më mori në tel Robert Shvarci më 1997. Më kërkoi për ta realizuar në TVSH këtë dramë që e kishte përkthyer dhe kishte debulesë dhe shëndeti po e lodhte. I premtova dhe mora grupin për ta realizuar. Nuk vajta me autobuzin e Televizionit siç vepronim në kësi rastesh. Mora tri kamera të pa varura. Vendosa ta xhiroja në mënyrë kinematografike. Kështu mora mjeshtrin Stefan Gajo së bashku me kamerën e shquar të Valter Qarrit. Në mos gaboj për plane plotësuese ftova një djalkë që po spikaste, Shkëlzen Sinani që tashme është bërë një emër i ndritur i TVSH.
Puna në mënyrën filmike pra kamera të pa varura me detyra të përcaktuara me profesionistët mjeshtra të imazhit dha rezultatin më të mirë në realizimet tona televizive, për mendimin tim “Fernando” është realizimi më i arritur i dramës në TVSH.
Ja këto doja të tregoja për ta mbajtur gjallë “Teatrin në Ekran”.
Është programi më i lirë dhe sigurisht nga më të kërkuarit. Përmes teatrit në ekran jam i bindur se publiku do mbërthehet para ekranit, duke braktisur programet politike apo gjoja argëtuese të tipeve gazozka apo fast food. Nëse do përdorej një ” referendum” elektronik do të bindej RTSH, se mbi 90/100 e shqiptarëve do kërkonin rifillimin e ditës së Teatrit në ekran.
Fillojeni në mënyrë të organizuar me arkivin dhe ndërkohë planifikoni regjistrimin e veprave të reja. Bëheni me projekt, gjeni rrugët për ta pasur, apo nuk i gjeni dot nëpër arkivin e shkalafitur???

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull