Gjenerata Z e Bullgarisë vijon daljet masive në rrugë për protestat më të mëdha kombëtare në dekada, duke kërkuar anulimin e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe dorëheqjen e Qeverisë.
Shkak për zemërimin e të rinjve ishin një buxhet kontestues, korrupsioni i përhapur dhe arroganca politike, e dokumentuar edhe me video virale që treguan miratimin e shpejtë të ligjeve dhe votime gjatë pushimeve të drekës në Parlament.
Edhe pse qeveria reagoi duke propozuar një projektbuxhet të ri që shtynte rritjen e taksave dhe kontributeve sociale për dy vjet, duket se masat nuk kanë qetësuar mllefin e të rinjve, të cilët pritet të kthehen përsëri në rrugë.
Pa perspektiva dhe e zemëruar nga korrupsioni
18-vjeçari Martin Atanassov tha se “Buxheti ishte shkaku, por rrënja është se nuk shohim perspektiva për të qëndruar në Bullgari, për të nisur një biznes ose për të krijuar familje”.
Gjenerata Z, e cila nuk ka përjetuar regjimin komunist apo krizën e hiperinflacionit të viteve ’90, po bëhet gjithnjë e më e angazhuar politikisht, duke kërkuar shërbime më të mira shëndetësore dhe mundësi më të mira punësimi.
Influencierja Mimi Shishkova, një figurë kryesore për të rinjtë, vuri theksin te lufta kundër korrupsionit.
“Në thelb, kërkesa politike e Gjeneratës Z është për një fund të korrupsionit”. Bullgaria renditet e dyta nga fundi në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International 2024, vetëm para Hungarisë.
Video që ndezën protestat
Dy video virale u bënë katalizator i protestave. Njëra tregonte miratimin e një ligji për asetet e kompanisë ruse Lukoil në 26 sekonda, pa praninë e opozitës, ndërsa tjetra shfaqte votimin e buxhetit gjatë pushimit të drekës në Kuvend, për të shmangur protestuesit.
Për shumë të rinj, ato video simbolizuan një shtet të pushtuar dhe të kapur nga korrupsioni.
Influencierët si urë komunikimi dhe motivim
Mediat sociale dhe influencierët luajtën rol kyç në mobilizimin e të rinjve. Andrea Banda Banda tha se shumë nga ndjekësit e saj u bënë pjesë e protestave për herë të parë, duke përdorur memes, këngë proteste dhe shenja të shoqëruara me humor për të bërë politikën më të afërt me popkulturën.
Një nga pankartat e famshme thoshte: “Merr të dashurën për një takim në protestë”.
Të rinjtë po krijojnë një lloj “zgjimi politik”, duke përdorur rrjetet sociale për të ndarë përvojat, për të informuar dhe për të sfiduar korrupsionin, duke treguar se Gjenerata Z nuk ka frikë të kërkojë llogari nga pushteti.
Mesazhi i protestuesve ishte i qartë: “Keni zemëruar gjeneratën e gabuar”.

