“Dy prokurorët”

4 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Për të parë këtë film ndryshova disi datat e kthimit nga Tirana, që të isha i pranishëm në seancën e fundit që shfaqej. Doja ta shihja patjetër. Kisha dëgjuar shumë për të, kur u seleksionua në Festivalin e Kanës.
Regjisori është ukrainasi Sergueï Loznitsa dhe filmi u financua nga disa vende: Gjermania, Letonia, Franca, Rumania etj.
Jemi në Rusinë e fundit të viteve ’30, në periudhën e tmerrshme të spastrimeve të mëdha. Në mënyrën më të pabesueshme, një copë letër e një të burgosuri shumë të rrezikshëm bie në duart e prokurorit lokal të Brianskit. Autori i letrës, një ish-bolshevik, kërkon të takojë një prokuror për t’i rrëfyer një sekret të rëndësishëm për të ardhmen e Rusisë sovjetike. Për të respektuar procedurën, prokuroria e Brianskit dërgon te ai prokurorin e ri, Kornev, që sapo ka mbaruar shkollën.
Sekreti është se, pa dijeninë e udhëheqjes së lartë, NKDV-ja lokale po arreston dhe po zhduk të gjithë bolshevikët e vjetër.
Kornevi i ri niset të takojë prokurorin e përgjithshëm, Vishinskin, sepse po ta bëjë denoncimin në Briansk, NKDV-ja lokale do të hakmerret. Pas peripecish të ndryshme, Kornevi pritet nga Vishinski i tmerrshëm. Ky e dëgjon dhe në fund i thotë që, me porosi të tij, të shkojë e të takojë prokurorin lokal. Çështjen do ta ndjekë ai vetë.
Me këtë rast urdhëron sekretarin t’i japë një biletë treni Kornevit. Siç mund të kuptohet, në kabinën e trenit ai do të gjendet në shoqërinë e dy agjentëve të NKDV-së, që hanë e pinë me të. Dhe sapo zbresin, e arrestojnë.
Filmi mbaron me mbylljen e një porte burgu, ashtu siç kishte filluar me hapjen e një porte të tillë, kur Kornevi shkoi të merrte denoncimin nga bolsheviku i burgosur.
Ajo që më ra në sy dhe nuk më pëlqeu shumë ishte fryma e filmit sovjetik që ndjeva në të. Dialogu, xhirimet, rekuizita – gjithçka ishte një «dejà vu» e tejkaluar.
Natyrisht, nuk mungonin edhe skenat e bukura. Veçanërisht ajo kur Kornevi shkon të takojë prokurorin e përgjithshëm, por nuk e di zyrën e tij dhe humbet nëpër korridore e shkallë pa fund, metaforë e bukur e horrorit të frikshëm të burokracisë gjyqësore staliniste.
Aleksandër Kouznetsov, që luante Kornevin, ishte i besueshëm në naivitetin e tij, besimin se “partia nuk i di disa gjëra”. Ndërsa Anatoli Bely (aktor sovjetik, më pas izraelit), që luante Vishinskin, ishte fantastik.
Pra, ishte fryma alla-sovjetike e tërësisë së filmit ajo që nuk më pëlqeu shumë.
Në të vërtetë, edhe kinematografia shqiptare e ka kaluar atë fazë, sepse fazë ishte, jo stad. Ishte një periudhë marrëdhëniesh me Bashkimin Sovjetik, ku u formuan thuajse të gjithë, dhe që më pas imponoi një mënyrë të tillë vështrimi teatral e patetik të kinemasë. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm regjisorë si Alimani, që më tërheq me estetikën e tij fine por edhe të tjerë më pak të njohur, të cilët sot më mirë pranojnë t’u japin filmave të tyre një frymë “western”, me veturat qe kanë zevëndësuar kuajt (siç pashë diku nje film me shpendarês droge) sesa të ruajnë një estetikë filmike të tejkaluar.
(Në Tiranë pashë një reklamë te filmit “Kazerma”, por filmi nuk dukej gjëkundi, se desha ta shoh)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull