Forumi i 5-të Ekonomik i Tiranës, i organizuar nga Forumi Ekonomik i Delfit, do të zhvillohet më 10 dhjetor 2025 në Hotel Rogner, duke nxjerrë në pah rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë si një qendër ndërkombëtare për dialogun ekonomik dhe politik në Evropën Juglindore.
Për të pestin vit radhazi në Tiranë, Forumi bwn bashkw përfaqësues të nivelit të lartë nga politika, biznesi dhe akademia në Shqipëri dhe komunitetin ndërkombëtar. Çdo vit, Forumi Ekonomik i Delfit zhvillohet në kryeqytete strategjike si Brukseli, Parisi, Berlini, Uashingtoni, Toronto, Bukureshti dhe Sofja, duke forcuar dialogun ndërkombëtar mbi zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal.
Ndër pjesëmarrësit e Forumit Ekonomik të Tiranës është Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të trajtojë perspektivat e ekonomisë shqiptare në një mjedis ndërkombëtar që ndryshon me shpejtësi. Folës të tjerë përfshijnë: Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Republika e Shqipërisë; Elisa Spiropali, Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, Republika e Shqipërisë; Edona Bilali, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Republika e Shqipërisë; Anastas Angjeli, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; Silvio Gonzato, Ambasador, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri; dhe Samir Mane, President i Balfin Group. Kontributet e tyre do të fokusohen te prioritetet e qeverisë për zhvillim si dhe te ndikimi i thellë i ndryshimeve gjeopolitike globale, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, mbi Ballkanin.
Ndër folësit e tjerë janë: Dimitris Skalkos, Sekretar i Përgjithshëm për Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare dhe Ndërveprimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Helene; Karl Bergner, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri; Konstantina Kamitsi, Ambasadore e Republikës Helene në Shqipëri; Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Holandës; Dimitris Avramopoulos, Anëtar i Parlamentit Helen, Komisioner i BE-së (2014–2019), Ministër i Jashtëm (2012–2013); Enver Hoxhaj, Anëtar i Parlamentit të Kosovës; Giannis Chatzitheodosiou, President i Dhomës së Tregtisë së Athinës; Georgios Lantzas, CEO i PPC Albania; dhe Pavlos Efthymiou, Drejtor i Përgjithshëm i Shoqatës së Sipërmarrësve Helene (E.EN.E.). Kontribuuesit e shquar do të trajtojnë çështje kyçe që lidhen me forcimin e bashkëpunimit ekonomik në Evropën Juglindore.
Nga rritja e gjelbër te inovacioni social dhe mundësitë e reja të investimeve në Shqipëri, Forumi Ekonomik i Tiranës vijon të shërbejë si një pikë referimi për ata që kristalizojnë një të ardhme ekonomike të fortë dhe të qëndrueshme për Evropën Juglindore.
Për agjendën dhe më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.tiranaforum.com

