Në disa vende të Evropës Lindore, veçanërisht në Letoni, mungesa e burrave ka krijuar një fenomen të pazakontë social, ku gratë e reja dhe të pavarura po detyrohen të përdorin shërbime të veçanta për të kryer punët e shtëpisë. Media britanike “The Sun” raporton se gratë letoneze po përdorin një shërbim të quajtur “Burrë për një orë”, ku mund të punësojnë meshkuj për riparime të ndryshme si rregullimi i rubinetëve, montimi i mobilieve apo pajisjeve elektronike. Shërbimi ofrohet online dhe punonjësi vjen brenda një ore në shtëpi.
Sipas ekspertëve, diferenca gjinore në Letoni është e dukshme veçanërisht mes moshës 30 dhe 40 vjeç. Gratë letoneze janë më të arsimuara, më të shëndetshme dhe jetojnë mesatarisht 11 vjet më gjatë se burrat, ndërsa mbi 80% e vetëvrasjeve i përkasin meshkujve. Në vend ka rreth 15.5% më shumë gra sesa burra, një nga diferencat më të mëdha në Bashkimin Evropian.
Shumë meshkuj kanë emigruar jashtë vendit për të krijuar jetë familjare, duke lënë pas një shoqëri ku gratë dominojnë në numër. Kjo ka krijuar situatën ku gratë e reja, veçanërisht ato të arsimuara dhe të suksesshme, mbeten beqare për shkak të vështirësisë për të gjetur partnerë që përputhen me ambiciet e tyre.
Ky shërbim u lejon grave të angazhojnë një burrë për punë të vogla shtëpiake, si riparime dhe montime, duke mos pasur nevojë të presin ose të kërkojnë ndihmë nga miqtë apo familjarët. Sipas raporteve, ky fenomen po përhapet kryesisht në qytetet ku numri i burrave është më i ulët dhe ku gratë janë më të pavarura ekonomikisht.
Shkrimtarja Dace Ruksane shprehet se gratë me arsim të lartë shpesh mbeten vetëm, sepse kërkojnë partnerë që janë të barabartë me to në nivel arsimor, profesional dhe social. Ndërsa meshkujt, duke pasur më shumë zgjedhje, shpesh nuk kërkojnë të jenë të përkushtuar, duke i lënë gratë të hasin vështirësi në krijimin e marrëdhënieve serioze.
Ekspertët theksojnë se fenomeni është pasojë e një kombinimi faktorësh: emigracioni masiv i meshkujve, vdekshmëria më e lartë e tyre, si dhe ndryshimet sociale dhe ekonomike që kanë rritur pavarësinë e grave. Ndërkohë që shërbimi “burrë për një orë” shihet si një zgjidhje praktike, problemi real mbetet kriza demografike dhe sociale që po ndryshon peizazhin gjinor dhe jetën e përditshme në Letoni.
Burimi: The Sun

