Kartolina e fundvitit edhe miqësia !

5 Minuta Lexim
Phillip Kunz, një sociolog në Universitetin Brigham Young të Provos vendosi në dhjetor të vitit 1974 të bënte një eksperiment. Ai dërgoi 600 kartolina te njerëz që nuk i njihte, të cilët i kishte zgjedhur nga libri i telefonave edhe adresave. I nënshkroi ato herë si “Phil dhe Joyce Kunz” e herë si “Dr dhe znj Phillip Kunz”. Disa ishin urime fare të thjeshta “Gëzuar Krishtlindjen”, të tjerat ishin më të gjata.
Reagimet nga marrësit e kartolinave ishin të ndryshme. Më shumë se 100 marrës ndjenë detyrimin për t’u përgjigjur. Disa pyetën se kush dreqin ishte familja Kunz, ndërsa disa të tjerë e priten kartolinën me zemërim duke njoftuar dhe policinë. Siç shpjegoi më vonë profesori, “kartolina nga një i panjohur i kishte bërë shumë njerëz të ndiheshin të pasigurt”.
Ndërkohë që kartolinat që ishin printuar në letër të mirë edhe kishin nënshkrimin Dr. Kunz kishin marrë më shumë përgjigje, duke treguar se njerëzit ishin më të vëmendshëm ndaj statusit. Por përgjigja më mbresëlënëse për ta ishte:
“I dashur Phil edhe Joyce. Ne e pranuam urimin tuaj për festat me shumë gëzim dhe entuziazëm.
Ne jemi shumë të lumtur që dëgjuam përsëri nga ju dhe jemi shumë të gatshëm të rigjallërojmë miqësinë tonë të vjetër. Bev, unë dhe fëmijët (tani kemi nëntë) kemi kohë që dëshirojmë të udhëtojmë në jugperëndim, edhe verën e ardhshme kemi nevojë për një vend ku të ndalemi për disa ditë për t’u çlodhur. Provo-ja do të ishte vendi i duhur për një ndalesë të tillë. Ne do të nisemi më 1 qershor, do të udhëtojmë dy ditë dhe planifikojmë të qëndrojmë të paktën një javë me ju.
Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Lou, Bev dhe fëmijët! P.S. Me ne do të jenë edhe dy qenushët tanë pasi nuk mund t’i lëmë vetëm”.
Unë u rrita në kohën e kartolinave apo vizitave të urimit, të cilat në memorien time kanë mbetur si sythe të pafundme reciprociteti e socializimi, por mbi të gjitha si konfirmim i faktit që gjatë vitit që sapo kishte mbërritur, familja ime nuk do të ishte vetëm.
Ndërsa sot, në kohën internetit e rrjeteve sociale dërgojmë kartolina ose mesazhe e urime të përgjithshme që u drejtohen të gjithëve edhe askujt në veçanti . Me një klik pretendojmë të nxisin gëzimin. Por kur dërguesi i urimit nuk është i ngazëllyer për urimin rutinor që po përcjellë, , nuk ka gjasa që marrësi i tij të kënaqet me të.
Në fund të fundit, nëse nuk ka një miqësi serioze për të ushqyer, pse duhet të shqetësohemi e të dërgojmë kartolina e urime boshe?
Kartolina, apo urimi për festat e fundvitit duhet parë si një mundësi për të forcuar miqësitë e sinqerta. Ato janë një mënyrë unike për të përcjellë mesazhin se marrësi i ka shtuar një ngjyrë të veçantë jetës tënde, edhe se ti dëshiron të vazhdosh të jesh pjesë e jetës së tij. Ndaj është mëkat i madh që këtë moment rikonfirmimi të miqësisë edhe rëndësisë së njerëzve në jetët tona e kemi transformuar në një proçes rutinor protokollar sa për të kaluar radhën.
Lou dhe Bev nuk mund të prisnin kartolina veçse nga miqtë (qoftë edhe nga ato nuk i kujtonin fare) Ndaj për ta, kur kishte kartolinë kishte edhe mundësi po ashtu edhe dëshirë për të kaluar një javë pushime së bashku.
PS .Përdoreni si një mekanizëm testimi . Dërgoni një kartolinë apo urim autentik të personalizuar për fund vit drejt njërëzve që do të donit të konsumonit një kafe apo një drekë me ta. ( Ndoshta kushtin e jave pushime në vitin 2026 e tejkalojnë shumë pak prej tyre ) .

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull