Kriza e lidershipit dhe rinovimi i aktorëve politikë

15 Minuta Lexim

Nga Erion Piciri

Opozita ka 12 vjet që bën analiza dhe çdo palë zgjedhje del e humbur. Kur vendos diagnozë të gabuar, sado mjekime të marrësh, sëmundja avancon, se nuk lufton patologjinë, por pjesët e shëndetshme. Dean Williams, tek libri i tij Real Leadership, përmend diagnostikimet e gabuara të shokut Mao, i cili besonte se populli kinez kishte nevojë për purifikim ideologjik për progres kombëtar dhe kështu nxori një gjeneratë të tërë jashtë shkollave dhe universiteteve, duke iu mohuar atyre shansin të ishin plotësisht të arsimuar dhe kontribues produktivë në zhvillimin e vendit.

Ne kemi histori të vjetra edhe të reja se si udhëheqësit e shikojnë progresin tek përjashtimet politike, ku luftohet inteligjenca dhe promovohet besnikëria e mediokritetit, e ku në fund ndëshkohet organizata dhe vendi. Në fakt, kjo marrëzi ku të duket vetja zot, i aftë të vendosësh për gjithçka dhe t’i vërtisësh njerëzit në rrugë pa krye, stimulohet nga qëndrimi në majë për një kohë të gjatë, brohoritjet e turmave me emrin tënd dhe dëshira e zjarrtë për ta shijuar këtë melodi sa të jesh gjallë.

Bill George dhe Peter Sims, tek True North, do përshkruanin tipat e drejtuesve rrugëhumbur, njërin prej të cilëve do ta etiketonin si udhëheqësat mashtrues (imposters), që ngjiten përmes dinakërisë dhe agresivitetit, dallojnë qartë konkurrentët dhe i eliminojnë njëri pas tjetrit, me pak dëshirë për vetë-ndërgjegjësim dhe dëgjim të kritikës. Në historinë tonë kemi parë shumë të tillë, që e kapin partinë dhe vendin, i kthejnë në mjete personale dhe, mbasi monopolizojnë jetën politike, ekzagjerojnë fitoret, por nuk i pranojnë humbjet.

Williams, ashtu si George dhe Sims, merret me këtë personazh të prirur për dominim, i bindur se është misionar i së vërtetës, me qëllime dhe aksione false që nuk përputhen me progresin, që nuk përballet me gabimet dhe nuk merr përgjegjësitë e drejtimit, të cilin e etiketon si lidership i rremë.

Organizatat përballen periodikisht me personazhe të ngjashëm dhe duhet të ruajnë vigjilencën. Historia e kësaj bote ka qenë dhe është e dominuar kryesisht prej tyre, por ka vende që i vënë liderat para llogaridhënies dhe u vendosin kufij. Po u le hapësirë, ata e mbërthejnë organizatën dhe nuk shkulen derisa vdesin. Politikani, për nga natyra, është ambicioz, nuk e pranon lehtë humbjet, kërkon kohë pa fund, pushtet, heshtje, nënshtrim e moskërkim llogarie. Sipas karakterit, ku më shumë e ku më pak, do kërkojnë alibi për mungesën e rezultateve, pista false, kriza e drejtime pa rëndësi. Ne nuk duhet t’i lëmë figurat të humbasin busullën e të tërheqin edhe organizatat në autokraci.

Partia moderne e Perëndimit i përket bashkësisë politike, bën analiza racionale të zgjedhjeve, nuk rend pas konspiracioneve, spektaklit populist në salla, kinama e gjyqe popullore. Kështu, në krye të herës duhet të themi se në parti me pushtet të centralizuar dështimi politik është pasojë e liderit, e rezonancës publike, sjelljes, pozicionimit, aleancave dhe spastrimeve që ai kryen në organizatën e tij. Edhe në sistemin tonë politik të partisë-lider, analiza e zgjedhjeve duhet përqendruar tek udhëheqësi.

Fushatat e partive të centralizuara ngrihen dhe përqendrohen tërësisht rreth kryetarëve. Ai mbush lista, afron, largon, heq dhe vë njerëz, lavdëron dhe tallet me kandidatët e tij; madje edhe midis cikleve elektorale, në mbledhje partie, i mban kamerat vetëm për mesazhin e tij, duke mos i lënë askujt tjetër të thotë ndonjë fjalë përpara medias. Vetë zgjedhësit, simpatinë dhe antipatinë politike e lidhin me kryetarin. Në një sondazh të Barometrit, në EuroNews Albania, më 23 janar 2025, pyetjes se sa ndikim ka lideri i partisë në vendimin për të votuar, 83% pohojnë se ka ndikim/shumë ndikim, përkundrejt 6% që thonë se ka pak/aspak ndikim. Lideri ul ose ngre partinë politike me impaktin që krijon në mendjen dhe zemrat e votuesve. Në këtë kontekst, pyetja që shtrohet është se sa ishte niveli i pëlqyeshmërisë publike dhe gatishmëria për ta votuar kryetarin e opozitës si kryeministër, në një garë me konkurrentët, në zgjedhjet e fundit. Para, përgjatë dhe në fund të fushatës, të gjitha sondazhet tregonin se lideri kryesor i opozitës kishte një pëlqyeshmëri dhe gatishmëri për ta votuar rreth 20% më të ulët se ai në pushtet, dhe diferenca shkonte në 40% se kë prisnin zgjedhësit se do fitonte zgjedhjet. Kjo e dhëna e fundit është kapitulluese, nxit të pavendosurit të rreshtohen dhe ia largon opozitës të gjitha grupet e interesit. Vota reale pritej të ndiqte ditën e zgjedhjeve trendin e pritshmërive për fituesin e garës. Në këto kushte diagnoza ishte dhe është e qartë: krizë besimi, pëlqyeshmërie dhe elektorabiliteti i lidershipit të opozitës. Kjo u reflektua edhe në votime. 20% ishte edhe diferenca midis pozitës dhe opozitës në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Nëse bëjmë një analizë më profesionale do shohim se mesatarja e votës bazë në 5 palë zgjedhjet e fundit (base vote 2005–2021), minimumi historik i PD+aleatë+LSI, ka qenë 34%. Performanca mesatare po në të njëjtën periudhë e këtyre partive ka qenë 48.5%. Në asnjë palë zgjedhje në këto 20 vjet këto parti së bashku nuk kanë zbritur poshtë 43%, kur befas në 2025 zbresin tek 33.7%. Kanë humbur tërësisht mbështetësit e butë (soft partisan vote), një terren prej 14%, dhe ata të pavarurit (toss-up vote) që llogariten diku tek 7% në realitetin tonë politik. Kanë shkuar tek një minimum historik në këto 20 vite, që nuk e kanë arritur asnjëherë kur kanë garuar ndarazi. Në zgjedhje lideri bën diferencën, ul ose ngre në nivelin e tij partinë politike. Nisur nga kjo analizë dhe diagnozë, hapi tjetër duhet të jetë terapia, që në çdo vend demokratik është zëvendësimi i kuajve të betejës. ‘Nga gomerët nuk mund të nxjerrësh ndër shekuj kuaj garash, sado të mirë ta kesh trajnuesin’, do thoshte Gabriel Thoveron në librin e tij Komunikimi politik sot. Gomari, në këtë kontekst, nuk ka kuptimin pezhorativ të zhargonit tonë të përditshëm, por mund të kuptohet si metaforë për aktorët politikë të rënduar, me konstruksion fizik e mendësi të kufizuar për të konkurruar fuqishëm në arenë dhe për të arritur me shpejtësi i pari në vijën e finishit, politikisht i konsumuar me valenca negative tek zgjedhësit përcaktues të fitores zgjedhore. Ata në pozicione të larta lidershipi që kuptojnë se nuk i preferon mjaftueshëm publiku sa për të fituar, duhet të tregojnë mençurinë dhe vetëpërmbajtjen, të bëjnë një hap pas dhe mos bllokojnë rrugën e fitores së partisë së tyre dhe t’i mohojnë kombit kthesat historike. Një kandidat i paaftë të arrijë një unitet të gjerë opozitar, me mungesë të rezonancës në mjediset e rëndësishme ndërkombëtare, me dosje penale në drejtësi, që nuk përfaqëson më një markë prestigjioze që njerëzit të kenë dëshirë të asociohen masivisht dhe të projektojnë të ardhmen, jo tërheqës në pamje dhe në stil për elektoratin që i shikon zgjedhjet edhe si shfaqje artistike, pa sharmin e asaj mollës që shkëlqen, siç thoshte John Baldoni, nuk mund të shihet si alternativë fituese.

Defiçiti i imazhit, i kombinuar me mesazhin dhe pozicionimin e gabuar, si faktorë kyçë të impaktit të lidershipit, e bëjnë rrëshqitjen drejt humbjes të paevitueshme. Si mund të fitosh zgjedhjet kur opozita është nga institucionet me besueshmërinë më të ulët në vend (18%) dhe hyn në luftë me institucionin më të besueshëm të vendit, sikurse është SPAK-u (42%)? Si mund të fitosh zgjedhjet kur njeriun me papëlqyeshmërinë më të madhe në rang kombëtar (-86%) e shpall aleat kryesor, duke sfiduar hapur qëndrimin e opinionit publik? Kur mbush listat me klientë të drejtësisë, kur në vend të fituesve të primareve partiake emëron deputetë nga lista e sejmenëve pa rezonancë politike, ke shkatërruar klimën e bashkëjetesës, të drejtën, të ndershmen e të moralshmen e një organizate dhe do kesh humbje elektorale. Koha kur njerëzit blinin “derr në thes” të piketuarin e partisë po kalon.

Në 35 vite shqiptarët i ranë botës mbarë, kuptuan se si tregon e mira; ndoshta nuk ia dalin dot për momentin të tejkalojnë pushtetin dhe paranë e lordëve të tranzicionit, por për t’i njohur dhe mosvotuar krijesat e papërshtatshme për detyrat publike janë mjaft të zotë. Kjo duket më qartë tek opozita, ku 1/3 e votuesve tradicionalë nuk dolën në votime apo votuan diçka tjetër, ndryshe nga opozita tradicionale. Ishte një mundësi e humbur me votën e diasporës, e cila kudo mbështet forcat përparimtare, por 90% e saj nuk mori pjesë në këto zgjedhje parlamentare. Një indiferencë që flet shumë për gjendjen e opozitarizmit.

Partitë moderne ndërtohen me mendjen për t’i hyrë në sy votuesit. Ato identifikojnë profilin e dëshirueshëm të politikanit sipas preferencave të zgjedhësve dhe gërmojnë ta gjejnë në parti apo shoqëri personazhin e parapëlqyer të publikut. Disa e bëjnë me zgjedhje të brendshme, disa me analiza të opinionit publik, me vullnetin për të gjetur zgjidhjen më të mirë për partinë.

Klaus Iohannis, një etnik gjerman me kredibilitet të lartë publik, u zgjodh në 2014 si kandidat për president në Rumani nga Partia National Liberale (PNL), pa pasur lidhje më parë me këtë parti të qendrës së djathtë, dhe doli fitues kundrejt kryeministrit në detyrë Viktor Ponta. Kryetari i kësaj partie historike liberale, duke parë se sondazhet nuk e favorizonin, bëri një hap pas dhe Iohannis mori, përgjatë fushatës, edhe kreun e partisë. Kur e ke imazhin e rënduar nuk duhet t’i asociohesh logos së institucionit, se e dëmton.

Një lider i vërtetë ka përparësi interesin publik. Kur tërhiqesh nuk tregon dobësi, por forcë për ta nënshtruar egon dhe ambicien, fitimit të organizatës që të ka besuar drejtimin për fitore të betejave politike.

Një aktor humori me pëlqyeshmëri publike zgjodhi opozita si kandidat në Tiranë dhe filluan të lëvizin sondazhet në favorin e saj. Kur gjen njeriun e duhur, vjen edhe mbështetja elektorale. Kur krijon bindjen se po fiton, stepet si administrata, policia, bizneset dhe mediat e oborrit qeveritar, por, po deshët, edhe krimi. Në gara konkurruese aktivizohet spiralja e heshtjes që thoshte Noelle-Neumann, një lloj stepjeje për të mos marrë krah e për t’u bërë palë me humbësin. Askush nuk guxon t’i dalë përpara një populli dhe një lideri që janë nisur drejt pushtetit, kanë reputacionin dhe pëlqyeshmërinë e publikut. Po e njëjta opozitë 33 vite më parë hodhi në zgjedhje një diktaturë, me lidership të panjollosur, bashkime intelektualësh dhe mbështetje ndërkombëtare. Sot duket se nuk i ka. Kur pushteti përdor burimet korruptive dhe lidhjet e tij kriminale, e ti si opozitë nuk ke fytyrën për të ngjallur shpresën dhe frymëzimin, që buron nga logos-i, ethos-i dhe pathos-i aristotelian (racionaliteti i argumenteve, besueshmëria e karakterit dhe rezonanca emocionale e jetës e vlerave) që prodhojnë persuasion-in, atëherë nuk e ke substancën politike për të ekuilibruar forcat dhe fituar zgjedhjet.

Mund të akuzosh tërë ditën për korrupsion kundërshtarin, por zgjedhësi i pavarur nuk të merr në konsideratë, se të ka skualifikuar si të pabesueshëm, dhe në perceptimin e tij narrativa mbi vlerat e pretenduara bie ndesh me faktet gjerësisht të artikuluara mbi aktivitetin tënd politik. Mund të luash pa top me “analiza” tek elektorati nostalgjik i mbledhur në rrjedhën e kohës, por nuk mund të depërtosh më tek rinia, popullsia aktive dhe e formuar që udhëheq ndryshimet historike të një kombi. Koha po kërkon një lider të ri, të pastër e të pëlqyeshëm në masë, i zoti të bëjë bashkë si nostalgjikët e së shkuarës, pragmatistët e së tashmes edhe idealistët ëndërrimtarë të së ardhmes, e të nisë me ta një investim politik për të ndërtuar bashkërisht vendin e mundësive, ku secili të përmbushë veten, familjen dhe të shkruajë një histori të suksesit shoqëror që i jep domethënie jetës tonë. Të vjetrit duhet t’i shërbejnë ndryshimit me zemër të pastër dhe të përshtaten në rolin e mbështetësit të së resë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull