Qytetarët e Vlorës prej pesë ditësh, po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Sot me bidona në duar ata kanë dalë për të protestuar para bashkisë, ku shprehen të indinjuar, ndërsa kërkojnë edhe një takim me kryetaren e bashkisë.
“Duam ujë, ujë. Ujë o ujë. O qeveritarë të poshtër, duam ujë. O maskarenj, o të degjeneruar. Pa ujë nuk ka jetë. O maskarenj që jeni në pushtet. Ka 5 ditë pa ujë. Po zihemi me fëmijët se duan të lahen. I paçi haram ato votat”, shprehen të revoltuar qytetarët.
Një defekt i shkaktuar në tubacionin kryesor ka lënë të gjithë qytetin pa ujë. Me bidona e ç’të munden, qytetarët e Vlorës i janë drejtuar burimeve natyrore për të mbushur ujë.
Ndërsa spitali rajonal, ai psikiatrik, si dhe institucionet e veçanta janë furnizuar përmes autobotëve të zjarrfikëses.
Gjendja është bërë edhe më e vështirë, pasi depozitat e ujit në banesa janë boshatisur dhe familjet, edhe pse ditë festash, nuk kanë as ujë për t’u larë. Për banorët, kjo situatë është e papranueshme.
Ndërkohë, prej katër ditësh po punohet për rikthimin e furnizimit në normalitet, por procesi ka hasur vështirësi.
Pas dy ndërhyrjeve, ku u tentua një zgjidhje alternative, presioni i lartë i ujit ka shkaktuar sërish çarje të tubacionit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit.
Ujësjellësi deklaron se po punohet për gjetjen e një zgjidhje provizore, por ende nuk është bërë e mundur.
Prova e kryer dy ditë më parë nuk ka dhënë rezultat dhe aktualisht po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje alternative, me synimin që furnizimi të rikthehet gjatë pasdites.
Kreu i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, thekson se për institucionet e rëndësisë së veçantë janë siguruar zgjidhje alternative, ndërsa ndërhyrja për riparimin përfundimtar vijon.
“Kemi realizuar pjesërisht një zgjedhje, që dha sërish probleme. Qyteti sërish vuan furnizimin me ujë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve, avaria është shumë serioze. Sot kemi ndryshuar edhe mënyrën e zgjidhjes së problematikës”, tha Murati.

