Kur qytetari humb besimin tek drejtësia

5 Minuta Lexim

Nga Arben Isaraj-

Humbja e besimit të qytetarit te drejtësia nuk është vetëm një defekt funksional i institucioneve; ajo shënon një krizë themelore të vetë rendit normativ mbi të cilin mbështetet bashkëjetesa demokratike. Në momentin kur drejtësia perceptohet si selektive, arbitrare ose e kapur nga interesa të ngushta, qytetari përballet me një përvojë të dyfishtë: përvojën e padrejtësisë së jashtme dhe lëkundjen e brendshme të kuptimit moral.
Në planin ekzistencial, kjo përplasje midis idealit të drejtësisë dhe realitetit të padrejtësisë krijon një boshllëk të dhimbshëm. Individit i duket se ajo që duhej të ishte themeli i sigurisë dhe parimit moral – drejtësia – ka humbur fuqinë e saj si pikë referimi. Në terma kjerkegordiane, një situatë e tillë është gjeneruese e një forme “ankthi ekzistencial”: ankthi për domethënien e veprimit moral, ankthi për vlerën reale të ndershmërisë si parim orientues i jetës. Në këtë kuptim, humbja e besimit te drejtësia dështon të jetë thjesht problem sistemik; ajo prek vetë “sferën etike” të individit, ashtu siç e konceptonte Kierkegaard, duke krijuar pasiguri mbi mënyrën e të jetuarit mirë.
Kur drejtësia nuk funksionon, qytetari mund të ndiejë se përpjekja për të qenë i ndershëm bëhet pa shpërblim ose madje qesharake. Dallimi midis së drejtës dhe së padrejtës, i domosdoshëm për të orientuar moralitetin në praktikë, duket se zbehet. Kjo gjendje çon në atë që Albert Kamy e përshkruan si “absurd moral ”: një botë ku veprimet e mira nuk çojnë domosdoshmërisht në rezultate të mira dhe ku ligji humb kuptimin e tij emancipues. Në kushtet e absurdit, rreziku më i madh është dorëzimi moral: pranimi pasiv se gjërat nuk mund të ndryshojnë dhe se integriteti është i panevojshëm.
Megjithatë, pikërisht në këtë pikë krize lind edhe mundësia e një përgjigjeje më të lartë etike. Individit i duhet të zgjedhë midis dëshpërimit – që çon në relativizim moral dhe apati qytetare – dhe qëndresës etike. Qëndresa etike nënkupton vazhdimin e veprimit të drejtë edhe kur drejtësia mungon, ruajtjen e integritetit si vlerë e pavarur nga pasojat. Kjo është ajo që Kierkegaard do ta quante një formë e “besimit përtej arsyes ”: besimi se veprimi moral ka kuptim përtej efektivitetit të tij të menjëhershëm. Ndërsa Kamy do ta përkufizonte këtë si “revoltën e njeriut të ndershëm ”: refuzimin për t’u pajtuar me padrejtësinë dhe vendosmërinë për të jetuar sipas parimeve që i japin dinjitet ekzistencës njerëzore.
Humbja e besimit te drejtësia, megjithëse e dhimbshme, mund të ketë edhe një efekt ndërgjegjësues. Duke zhdukur iluzionet për institucionet si të përsosura, ajo e shtyn individin të reflektojë më thellë mbi përgjegjësinë e vet personale dhe mbi rolin e vet si agjent moral brenda komunitetit politik. Përvoja historike tregon se ringritja e rendit moral shpesh fillon pikërisht në momente të tilla, kur individë të caktuar refuzojnë të tradhtojnë ndërgjegjen e tyre edhe përballë strukturave të padrejta.
Në nivel shoqëror, kur drejtësia humbet funksionin e saj si “dritë e përbashkët”, rreziku është që bashkësia të zhytet në një “natë etike”: një hapësirë fragmentimi normativ, ku mungon përgjegjësia kolektive dhe ku forca zëvendëson parimin. Rilindja e besimit te drejtësia kërkon një proces sistematik: transparencë institucionale, ndëshkim të padrejtësisë, respektim të barabartë të ligjit dhe rikthim të integritetit si vlerë udhëheqëse e shërbimit publik.
Në këtë kuptim, fjalia e Librit të Malakisë 4:2, tek Dhjata e Vjetër – “Do të lindë për ju dielli i drejtësisë ” – nuk është vetëm një imazh teologjik. Ajo mund të lexohet si metaforë e shpresës politike dhe etike: besimit se pas errësirës së padrejtësisë, drita e drejtësisë mund të rikthehet, qoftë përmes besimit fetar, qoftë përmes forcimit të shtetit të së drejtës. Në thelb, ajo shpreh bindjen se drejtësia, pavarësisht errësirave të përkohshme, mbetet horizonti i domosdoshëm i jetës së përbashkët.
Pak burime:
1. Søren Kierkegaard, “The Concept of Anxiety”, 1844.
2. Albert Camus, “The Myth of Sisyphus”, 1942.
3. Søren Kierkegaard, “Fear and Trembling”, 1843.
4. Albert Camus Camus, “The Rebel”, 1951.
5. Dhjata e Vjetër, Libri i Malakisë 4:2.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull