Nga Ervin Lera-
Ndërkohë që duhet të ishim duke jetuar kohë të mëdha, po jetojmë në rrethana okulte me qëllime dashakeqe dhe përfituese. Me situatën rrëshkitëse në këmbët e dridhura të pushtetit – sundimit aktual të regjimit demokratik diktatorial të zgjedhur me votë – gjendemi përballë kundërshtuesve të përçarë që nuk dinë të zgjedhin ndër vete.
Pa aspak njohje, nderim, konsideratë dhe respekt, një zë antagonist me veten në kohë të ndryshme, me ose jo të njëjtin qëllim del kundër rrymës., dhe të dalësh kundër rrymës, për më tepër në kohë të vështira, është meritë dhe përfitim i merituar. Por, që të dalësh kundër rrymës, dhe të mos sigurosh dot zërin dhe forcën e duhur përfaqësuese, në kohët moderne të demokracisë së rreme me tipare të theksuara diktatoriale, është një humbje e madhe, në radhë të parë e dinjitetit përfaqësues njerëzor.
Çfarë përfaqëson një zë i ndryshëm – i njohur në historinë e sotme politike si mendimi ndryshe në demokracinë e brendshme të përfaqësimit të ideologjisë përfaqësuese – në të tërën e përfaqësimit të rebelimit antisundimtar të regjimit? E para:
Përfaqëson një mundësi – në të shprehurit mediatik pa asnjë respekt gjuhësor – asnjë alternativë zhvilluese të ndryshme përparimtare
Përfaqëson një qasje – në zhargonin banal huazues mediatik shqiptar – ose një aproç që e afron vendin me parimet demokratike pa përjashtuar tiparin diktatorial, ligjin
Përfaqëson një zhvillim të shpejtë dhe të menjëhershëm me ndikime të drejtëpërdrejta në jetët e individëve në nevojë – jo për të mbijetuar – por për t’u shprehur sipas meritës zhvillimore komunitare dhe gjithëpërfshirëse, sepse parimi bazë është gjithëpërfshirja
Përfaqëson rebelimin në vlerësimin e përmirësimit të kushteve të jetesës, shprehjes profesionale, organizimit njerëzor dhe organizimit profesional, në një formë shumë të ndërgjegjshme të rebelimit nëpërmjet grevës dhe jo protestës.
Pa vazhduar në parimet përcaktuese dhe përkufizuese të formës dhe shprehjes së rebelimit qytetar, në protestë dhe grevë, problemi shqiptar sot dhe mot, ka qenë dhe është organizimi i detyrimit përcaktues gjithëpërfshirës. Një grevë, paralizon një aktivitet, të gjithë aktivitetet si pjesë e zinxhirit të përditshmërisë së një shoqërie,; ndërsa një protestë është një qëllim i caktuar përfitues që i bën pjesëmarrësit “skllevër” të bindjes që drejton lëvizjen e radhës për atë që po zhvillohet me rebelimin sipas formës dhe shembullit të dhënë nga organizatorët.
Edhe brenda organizatës së një lëvizjeje politike të një kohe të kaluar, e cila përtej konsumimit dhe realizimit të nevojës të menjëhershme të kohës, ka tejkaluar edhe misionin kohor të qenësisë së vet, ka zëra të qëllimshëm që kërkojnë protagonizëm të merituar apo jo. Por, ndërkohë që pretendimet antagoniste edhe brenda historisë të zhvillimit të individit sipas interesave, gjoja të justifikuar si gjithëpërfshirëse, ka edhe një tipar trashëgimor që përkufizohet padiskutueshëm sipas qasjes ndërkohë dhe në kohë me të vërtetën e pashme dhe të prekshme. Kujt i shërben zoti Salianji dhe kujt i shërben zoti Brisha me përjashtimin pjesëmarrës?
Kemi dy elementë që përfshihen me vetëdije në nocionin demokratik të diktaturës dhe në një interpretim dramatiko – diktatorial të demokracisë. Asnjë nga të dy protagonistët e ditëve të sotme që po bëjnë historinë moderne nuk kanë në qendër të vëmendjes përballë turmës të eksituar nga ideologjia e demaskimit – dhe që mbetet vetëm në kaq, një ideologji demaskimi si meritë e vetëdenoncimit të pushtimit të padiskutueshëm të sundimit të regjimit me votë – si një mundësi e përmirësimit të pushtetit shërbyes shoqëror.
Kryeministri i sotëm shqiptar, sundimtar 14 vjeçar i regjimit që përcakton dhe përkufizon të drejtat dhe liritë sipas mundësive të dhëna, është i paprekshëm, sepse ka arritur të shkatërrojë qytetërimin nëpërmjet pushtimit provincial të funksioneve shtetërore- Honoré de Balzac me shumë delikatesë ka thënë: Qytetërimet shkatërrohen nga sundimi i provincializmit, dhe me një zhargon shumë modern për kohën, Qazim Mulleti e ka interpretuar: Katnaria nqytet, atdheu nrrezik.
Qoftë njëri apo tjetri nga protagonistët sherraxhinj të kundërshtarëve të sotëm në revolta – jo greva si forma më e përsosur e mundshme e rrëzimit dhe ndryshimit të sundimit të regjimeve – janë në një konflikt parimor për sa i takon diskutimit të çështjes sepse të dy duan pushtet për të sunduar më vete. E kam fjalën për dy personazhe, që pa meritë prezantohen si karaktere përcaktuese të zgjidhjes së rrethanës absurde të rënies së shtetit prej skandaleve të korrupsionit tashmë të demaskuar, zotin Berisha nga njëri krah, dhe zotin Salianji nga krahu tjetër.
A duhet ende të besojmë se individi i ndarë qëllimisht nga turma ka të drejtën e drejtimit të turmës, dhe turma që përbën shumicën aritmetiko – matematikore, për përzgjedhjen dhe të drejtën e zgjedhjes përfaqësuese, nuk di dhe nuk arrin të dallojë elementin e vërtetë përfaqësues me tipare gjithëpërfshirëse? Protagonizmi politik i dy të sipërpërmendurve, është tipari diskriminues dhe përjashtues i individit të zgjedhur sepse, janë të vetëpromovuar dhe të vetëshpallur drejtues. Kjo është arsyeja e vërtetë e dështimit të protestës që nuk është forma dhe shembulli i duhur shqiptar i rrëzimit të pushtetit, për të shndërruar një sundim të regjimit në një tjetër me tipare më demokratike, popullore dhe gjithëpërfshirëse. Pikërisht për këto arësye, shoqëria shqiptare e territorit shqiptar, vazhdon të mbetet e papërfaqësuar dhe e papërfillur në interesat e vërtetë të saj sipas nocionit ndërkombëtar të zhvillimeve të sotme shoqërore dhe qytetare.

