“Me tender, pa tender”

7 Minuta Lexim

Nga Auron Tare-

I dashur Gonxhe,
Buldozerët e rëndë që gërmojnë në zemrën e Parkut të Finiqit këto ditë dimri nxorën edhe një herë në pah sëmundjen e rëndë që ka kapluar trashëgiminë tonë kombëtare.
Edhe pse ke gjetur në Ministrinë e Kulturës një sistem të ngritur për të shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, mendoj se ende mund të bësh diçka për ta shpëtuar këtë pasuri nga sëmundja e gjatë që po e mundon.
Ligji i Trashëgimisë, i amenduar nga paraardhësja jote dhe i votuar nga deputetë totalisht të palexuar në këtë fushë, ka krijuar një sistem korruptiv, në të cilin fondet që duhet të shkojnë për restaurimin e monumenteve përfundojnë për mbajtjen në këmbë të firmave që nuk kanë asnjë njohuri, eksperiencë apo dashuri për trashëgiminë kulturore.
Prej më shumë se një dekade, në fushën e trashëgimisë funksionon praktika e tenderave për monumentet një praktikë që e ka mberthyer nga fyti trashëgiminë tonë kombëtare, duke e shtrirë përdhe dhe duke i thithur gjakun si një thithëlopë tejet e majmur.
Trashëgimia Kombëtare ka nevojë urgjente për një reformë të thellë, duke hedhur tej tenderat si një praktikë tejet korruptive dhe të dëmshme. Vazhdimi kokëfortësisht i kësaj metode po tregon qartë në terren se si monumentet po dëmtohen me vetëdije nga injoranca dhe butaforia e firmave pa asnjë eksperiencë në këtë fushë delikate.
Rikthimi i ekipeve të specializuara, “Atelieveve” me punonjës me përvojë që punojnë përditë në mirëmbajtje, rikthimi i restauratorëve e jo “drejtoreve” rikthimi i Institutit të Monumenteve në një institut shkencor e jo një institucion përcaktues tenderash, përdorimi i fondeve për monumentet e jo për majmjen e firmave, përdorimi i materialeve autentike dhe jo materialeve të supermarketeve në monumente dhe shumë e shumë detaje të tjera do të ndryshonin me të vërtetë situatën absurde që të kanë lënë paraardhësit e tu, të cilët kanë qenë injorantë në këtë fushë.
Por le t’i kthehemi shpartallimit të Parkut të Finiqit.
Mos harro që Parkun e Finiqit e kemi krijuar së bashku në kohën kur ishim në Ministrinë e Kulturës. Një kodër e lënë në mëshirë të fatit, ku banorë vendas dhe të huaj gërmonin ditën për diell për thesare. Ne të dy bëmë të mundur që Ministri i asaj kohe, Rama, të firmoste urdhrin për krijimin e zonës së mbrojtur dhe të Parkut Arkeologjik të Finiqit.
Nëse ende të kujtohen bisedat me një çift amerikan që qëndronte në shtëpinë time dhe që kishte vizituar Finiqin ato ditë të mrekulluar nga historia e kësaj kryeqendre, dikur selia mbretërore e Molosëve, me Akropolin pesë herë më të madh se ai i Athinës ata donin të na ndihmonin që ta ruanim nga shkatërrimi dhe harresa.
Amerikani që ti takove, dhe që pas kthimit në shtëpi mbështeti financiarisht mbrojtjen e këtij parku të ri që ne premtuam se do ta krijonim, ishte Lauren Coolidge, nipi i ish-Presidentit amerikan Coolidge dhe një prej miqve të rinisë së Presidentit Kennedy.
Si një person që ke kontributin tënd në mbrojtjen e këtij qyteti madhështor të antikitetit, nuk mund ta pranosh që ai të shkatërrohet me firmën tënde.
Duhet të dish se në asnjë qendër arkeologjike në Europë, Afrikën Veriore apo Turqi, nuk gërmohet me buldozerë në shtresat kulturore.
Vendosja e gurëve të mëdhenj në muret rrethuese nuk është një praktikë e re apo e panjohur. Përkundrazi, Instituti i Monumenteve prej dekadash ka kryer ndërhyrje në mure rrethuese apo pjesë të teatrove duke përdorur mjete shumë të dobishme dhe pa impakt negativ në monument.
Në Butrint, Porta e Luanit u restaurua e gjitha nga punëtorët e dikurshëm të Atelieveve, edhe pse gurët ishin më të mëdhenj se në Finiq.
Instituti i Monumenteve tashmë ka vdekur. Ti mund ta rikthesh në jetë duke i dhënë emrin dhe rëndësinë e dikurshme.
Shiko çfarë bëjnë ata që dinë ta bëjnë dhe që punojnë nga dashuria për monumentet, jo për tenderat.
Shiko fotot bashkëngjitur nga restaurimet në Bylis, si vendosen gurët e mëdhenj me Parango apo me vinç me krah të gjatë, i cili nuk gërmon dhe as dëmton shtresat kulturore. Restaurimi i këtyre mureve në Bylis është bërë me përkushtim të plotë dhe me një shifër tejet qesharake, saqë as “këshilltarët” tuaj dhe as firma që po shpartallon Finiqin nuk do të kishin interes t’i afroheshin këtij projekti.
Firma që kryen punimet në Finiq, e cila me një kërkim të thjeshtë rezulton se nuk ka asnjë eksperiencë në këtë fushë, i ka rënë per shkurt, ka marrë dy buldozerë nga fshati Stiar të njëjtët që hapin kanalet kulluese të fshatit dhe me to po hapen kanale mbi shtresat arkeologjike.
Pa arkeolog prezent, pa njeri nga institucionet e tua, pa restaurator, katër fshatarë që gërmojnë me eskavator në Kryeqendrën e Epirit. Saktësisht ashtu si 26 vjet më parë, kur ne të dy e gjetëm qytetin antik të shpuar nga gropat e gërmimeve ilegale dhe vendosëm të bënim diçka.
Por sot, për ironi të fatit, ato gropa nuk i hapin më fshatarët klandestinë, por fshatarët e tenderave, të cilët fatkeqësisht mbajnë në dorë shkresën me firmën tënde.
Foto.
1. Nikita Hrushov duke degjuar prof. Budinen perballe Portes se Luanit. E restauruar e gjitha me Parango nga punonjesit shqiptare.
2. Foto 2 dhe 3. Germime me buldozer ne Akropol nga fshataret e zones per llogari te nje Firme pa asnje eksperience ne rindertimin e Mureve Antike e cila ka fituar tenderin e Ministrise se Kultures dhe Miratimin e “rrobaqepesve” te IKTK
3. Foto nga restaurimi i blloqeve te medha te gurit ne Bylis. Projekt i kryer pa Tender dhe me tekniken e njohur te restauriimt.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull