Ish-deputeti Myslim Murrizi ka deklaruar se historia e politikës shqiptare në 35 vjet ka treguar se nuk vihet në pushtet me militantë.
Duke folur në RTSH1, Murrizi theksoi se ai nuk është bërë pjesë e protestës së Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.
“Historiku i këtyre 35 viteve ka treguar që nuk vjen dot në pushtet me militantë. Unë nuk kam qenë te foltoret. Unë nuk shkoj as në foltore, as në faltore, as në tellalltore sepse nuk kam kohë tepër. Për çfarë duhet të shkoj atje që të dëgjoj ata të cilët iu shmangen votës së demokratëve”, theksoi Murrizi.
Ai vuri në dukje se në radhët e Partisë Demokratike janë deputetë që nuk kaluan as në procesin e primareve dhe iu shmangën votës së demokratëve duke qenë se ishin në listë të mbyllur.
“23 veta që janë me mandat deputeti nuk kaluan në procesin e primareve, iu shmangën votës së qytetarëve sepse ishin në listë të mbyllur e për çfarë t’i dëgjoj ata të flasin.
Për çfarë flasin ata, kam 35 vjet që dëgjoj nga këta herë me sforco herë duke kërcitur dhëmbët. 5 vite kam punuar në administratë 1992-1997.
Që nga 1997 jam në opozitë me të gjitha qeveritë. S’kam qenë pjesë e qeverisë së Berishës 2005-2013 sepse kam paguar me qejf koston e lirisë time ngaqë kandidova i pavarur.
A kam nerva dhe kohë tepër të dëgjoj Oerd Bylykbashin që humbi 14 mijë vota në Durrës dhe është hartuesi famëkeq i Kodit Zgjedhor vetëm për një karrige të menderes së tij dhe brumi që ka rreth vetes që i fryjnë Berishës në vesh”, tha më tej Murrizi.

