Strategjia më e madhe në Atlantik për t’i bërë ballë kërcënimit rus

2 Minuta Lexim

Britania e Madhe ka zbuluar një strategji të re të gjerë mbrojtëse, të quajtur Atlantic Bastion, e cila synon të mbrojë infrastrukturën kritike nënujore të vendit – kabllot, tubacionet dhe rrjetet e komunikimit – ndaj një kërcënimi gjithnjë e më agresiv nga Rusia.

Në ujërat e errëta të Skocisë, një mjet i ri i Marinës Mbretërore, SG-1 Fathom, një lloj glider-i nënujore që ngjan me një torpedo me krahë, po testohet për herë të parë.

Fathom, i zhvilluar nga kompania gjermane e mbrojtjes Helsing, lëviz në heshtje, operon për muaj të tërë autonomisht dhe përdor dekada të tëra të të dhënave akustike për të identifikuar nëndetëse të huaja – veçanërisht ato ruse.

Sipas menaxheres së programit, Katie Raine, mjeti “monitoron dhe dëgjon vazhdimisht”, duke identifikuar kërcënime më shpejt se çdo teknologji ekzistuese. Nëse testi rezulton i suksesshëm, Fathom do të bëhet pjesë kyçe e rrjetit të ri mbrojtës.

Një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj aktivitetit rus

Ministria e Mbrojtjes thotë se strategjia e re është hartuar si përgjigje ndaj rritjes 30% të aktivitetit të anijeve dhe nëndetëseve ruse pranë ujërave britanike.

Britania dyshon se Moska po përdor mjete kërkimore dhe nëndetëse për të hartuar hartat e kabllove të saj nënujore – një sistem vital për ekonominë, financat dhe komunikimin global.

Një incident i fundit, ku anija ruse Yantar përdori laser ndaj pilotëve të RAF-it që po e monitoronin, u cilësua nga Londra si “veprim thellësisht i rrezikshëm”.

Investime të reja në teknologji ushtarake

Gjatë një vizite në Portsmouth, ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey theksoi se investimet në teknologji të reja janë jetike.

“Kjo është mënyra për të qëndruar përpara Rusisë. Ata po investojnë vazhdimisht në flotën e tyre nënujore. Kërcënimi evoluon shpejt – prandaj dhe reagimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm”.

Në bazë u prezantuan edhe mjete të tjera të reja: një nëndetëse pa pilot, Excalibur, si dhe prototipi i helikopterit të parë autonom të Marinës, Proteus.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull