Zbardhet dosja penale e ngjarjes së ndodhur në fund të muajit Tetor në Bilisht, ku Ilir Topçiu u mor peng dhe më pas u dhunua brutalisht nga Altin Nallbati alias “Duçja” vëllai i deputetit të PD, Bledjon Nallbati, dhe dy persona të tjerë Marsel Buçi si dhe Trajan Çeliku.
Për tre personat e mësipërm të proceduar nga prokuroria, gjyqtarja e Korçës, Elena Tafa, në datën 4 Nëntor 2025, vendosi caktimin e masën se “arrestit me burg” me afat 40 ditor.
Sot bëhen 30 ditë që tre personat qëndrojnë në burg për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, të kryer në bashkëpunim.
Nallbati, Buçi dhe Çeliku, aktualisht mbahen në paraburgimin e Drenovës, ndërkohë avokatët dhe familjarët e të arrestuarve kanë nisur negociatat e pajtimit me denoncuesin e dhunuar, Ilir Topçiu, të cilit i kanë kërkuar të tërheqë kallëzimin penale dhe njëherësh të firmosë një deklaratë noteriale për normalizimin e marëdhënies me 3 personat e arrestuar, mes të cilëve dhe vëllain e deputetit të PD, Bledjon Nallbati.
Grupi prej 3 persona, dyshonte se Ilir Topçiu, i kishte tradhtuar duke spiunuar tek shefi i krimeve në komisariatin e Bilishtit,duke çuar në arrestimin në fshatin Braçanj të Ylli Xhaçkës, i cili drejtonte mjetin pa patentë.
Për këtë shkak, Trajan Çeliku, ka shkuar në fshatin Vishocicë duke e marrë me makinë Ilir Topçiun, (i cili ndodhej në “arrest shtëpie”) me preteksin se do e ballafaqonte me shefin e krimeve të policisë.
Mësohet se e gjitha ka qënë një kurth, pasi Topçiu nuk është çuar në komisariatin e Bilishtit, por në magazinën e Altin Nallbatit alias “Duçes” së Devollit, i cili konsiderohet nga policia e Korçës si personazh që drejton një grupim personazh të cilët kryejnë trafikim të klandestinëve Sirianë, trafikun e drogës në kufirin e Gjelbër me Greqinë dhe shpërndarjen dhe tregtinë e drogës në këtë zonë.
Duket se mes këtyre veprimeve, “Duçja” që nuk ka asnjë ngjashmëri me “Duçen” (Diktatorin Italian Benito Musolini), kërkon të ngjallë frikë dhe terror në zonën e Korçës dhe Devollit.
Mësohet se Ilir Topçiu, është rrahur brutalisht nga 3 personat ku nga goditjet në trup atij i ka rënë të fikët. Por siç tregon në rrëfimit e tij të dhënë në polici, kur është përmendur Marsel Buçi i ka fikur cigaren në ballë dhe e ka kërcënuar me fjalët se: “…do e vriste, do e zhdukte me acid…”.
Nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor ndaj të dëmtuarit Ilir Topçiu, mjekët kanë dalë në përfundimin se:
“…tek i dëmtuari konstatohet një (1) hematomë e syrit, ekimoza në kokë, gjoks,bark, dy (2) plagë combustioni (diegie) në ballë e spostuar paksa djathtas me karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë (1) mbretes, (2) me mjet
Me energji të lartë me mundësinë më të madhe cigare e ndezur…”.
Sipas dosjes hetimore të siguruar rezulton se në 30 tetor 2025, rreth orës 22:50, para oficerit të policisë gjyqësore ka bërë denoncim, Ilir Topçiu, i cili ka deklaruar si më poshtë vijon:
“…ditën e diel ose ditën e hënë, mesa mbaj mend më ka marrë një shoku im në telefon në messenger, i cili quhet Trajan Çeliku. Gjatë bisedës më ka thënë që ti je spiun pasi na ke shitur informacion tek shefi i krimeve në Komisariatin e Bilishtit, për shtetasin Ylli Xhaxhçka i cili është proceduar penalisht pasi ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Pas bisedës më thotë dil te sheshi i fshatit për tu sqaruar bashkë me shefin e policisë…”, ka treguar në polici i dëmtuari Ilir Topçiu.
Më tej i dëmtuari ka treguar në prezencë të grupit hetimor se ishte mashtruar nga shoku i tij, Çeliku duke shtuar se:
“…Trajan Çeliku, ka ardhur dhe më ka marrë me makinë për të më ballafaquar me shefin e Krimeve. Edhe gjatë qëndrimit në makinë kemi diskutuar punën e spiunimit. Mirëpo më ka mashtruar, pasi nuk më çoi tek policia (tek shefi) por më dërgon me makinë tek lagjia që ndodhet mbrapa karburant “Gega Oil”, ku u futëm me makinë në ambientet e brendshme të shtetasit Altin Nallbati alias “Duçja”. Aty brenda ndalon makinën dhe unë zbres. Sapo zbres Altin Nallbati, menjëherë më ka goditur me grusht dhe me ka thënë ofendime të rënda, duke më goditur me shkelma pa fund…”.
Më tej i dëmtuari ka treguar se:
“…në momentin që po më godisnin nuk po ndjehesha mirë. Mu errën sytë dhe isha pa ndjenja pasi kisha dhimbje të mëdha. Mesa mbaj mend këto shkelma dhe grushta kanë zgjatur rreth 10 minuta pasi unë nuk po mbushesha me frymë. Kur mora pak veten pashë Marselin, i cili po pinte cigare dhe cigaren ma ka vendosur në ballë, duke ma fikur atë. Ky moment ishte një tmerr i vërtetë. Më pas, Marsel Buçi, më është drejtuar duke më thënë: “…ik qërohu nga këtu…”. Herë tjetër do të të djeg me acid, nuk ke shpëtim. Unë duke çaluar dhe me dhimbje të mëdha nga frika e kërcënimeve me jetë që mora nga këta persona, u nisa në këmbë në shtëpinë që kam në fshat dhe nuk kam folur me asnjë person për tre ditë. Për shkak të frikës se mos më vrasin nuk e kam kallëzuar më parë këtë ngjarje.
Në momentin që jam goditur të pranishëm kanë qenë Altin Nallbati që njihet me pseudonimin “Duçja” dhe dy shokët e tij, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Të tre këta pesona i njoh pasi kam ndenjur me ta në disa raste. Theksoj se Trajani më ka marrë duke më gënjyer, Marseli më ka goditur dhe më kanë sharë dhe ofenduar, duke më fikur cigaren në ballë. Të tre këta shtetas si “Duçja”, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, më kanë rrahur, kërcënuar në ambjentet e biznesit të Altin Nallbatit.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë policia kriminale ka marë në pyetje dhe nënën e Ilir Topçiut, shtetasen Lefterije Topçiu, e cila në datën 30 Tetor 2025 ka deklaruar në komisariat si më poshtë vijon:
“…rreth pasdites flas me djalin tim Ilir Topçiu për ti thënë që hajde hamë bukë. Ai mu përgjigj që nuk dua të ha. Kur u afrova në dhomën e tij pashë që kishte të nxirë syrin e djathtë. I thashë se çfarë ka ndodhur por nuk po më tregonte. Pas kësaj rreth darkës erdhi policia dhe djali më tregoi që të gjitha. Ai më tregoi edhe për shenjat që kishte në trup. Këto ditë djali nuk ka qenë mirë, rrinte shtrirë në krevat dhe mezi merrte frymë por më thoshte që nuk kam asgjë. Kam marrë vesh që djalin kanë ardhur dhe e kanë marrë në shtëpi, e kanë dërguar në Bilisht dhe e kanë rrahur. Kam frikë se mos ma vrasin djalin. Ai nuk ka bërë asnjë faj…”. (Shqiptarja.com)

