GAZETARËT E SARANDËS NË EVENTIN E PARË TË VITIT

5 Minuta Lexim
Unioni i Gazetarëve të Sarandës, zhvilloi veprimtarinë e tij të parë për vitin 2026. Interesi për t’u bërë pjesë e kësaj veprimtarie, me temë “Media 2026, Pushteti i Publikut”, ishte nga të gjithë gazetarët e mediave të shkruara, audiovizve dhe rrjeteve sociale, që operojnë në hapësirën jugore të vendit.
I pranishëm ishte edhe Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, si dhe kolegë të ftuar nga mediat e Gjirokastrës, si: Silvana Spaho, drejtore e RTSH Gjirokastra, Brikena Metaj Xhani, korrespondente e News 24 dhe Shefe e Marrëdhënieve me Publkun në Universitetin “Eqrem Çabej”, Ëngjëll Serjani, drejtor i Qendrës Kulturore e Mediatike “Antigone” etj.
Eventi i gazetarëve të Sarandës ishte një alternim i praktikës së mbledhjes në grup të informacionit nga terreni, me dhënie vlerësimesh për punën e kolegëve gjatë vitit 2025 dhe urimet për 2026.
Grupit të gazetarëve iu rezervua një pritje në Bashkinë e Sarandës, nga Kryetari Oltion Çaçi. Kryebashkiaku prezantoi para gazetarëve panoramën e projekteve më prioritare dhe të punëve transformuese të Sarandës dhe Ksamilit gjatë vitit 2026. Ato lidhen me investime të rëndësishme që janë në vijim ose do të nisin gjatë këtij viti në fushën e infrastrukturës rrugore e turistike, për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm e kanalizimet, për investime rehabilituese të institucioneve të kulturës, arsimit dhe sportit.
Kreu i Bashkisë iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me mundësitë për përmirësimin e mobilitetit, për zgjerimin e kapaciteteve për parkime, për fatin e Ecokampusit, të Kinoteatrit, muzeve në proces ndërtimi, Bypasin e Ksamilit etj.
Kantina e verës “Isak” në Vrion, ishte ndalesa tjetër e gazetarëve nga Saranda e Gjirokastra. Administratori Ismail Sinani prezantoi investimin e tij 34-vjeçar, duke treguar se nisi me prodhimin e Verës “Isak”, i cili është bërë tashmë një brand i njohur, duke u plotësuar me linjën italiane “Persili” për prodhimin e vajit të ullirit dhe vitet e fundit edhe me njësinë e agroturizmit dhe me projektin në zhvillim me shtëpi druri për akomodim. Sinani tha se këto komponente, të harmonizuara në një, e bëjnë këtë biznes një destinacion të një lloji unik në shkallë vendi, të frekuentuar dhe të kërkuar nga mijëra turistë të huaj. Administratori Sinani u tregoi gazetarëve se si, ajo që sot mund të quhet histori suksesi, ka kaluar nëpër vështirësi të shumta, por dhe me mostërheqje e mosthyerje prej tyre, derisa vera “Isak” dhe vaji i ullirit me të njëjtën emër, është markë e njohur në vend e jashtë tij. Vera e çertifikuar për cilësinë e parë, vaji i ullirit i veçantë për standartin ekstra të virgjër dhe ushqimet bio, që ofrohen në agroturizëm, janë ato që dallojnë.
Eventi “Media 2026- Pushteti i Publikut”, moderuar nga gazetari Ermir Hoxha, u përmbyll me shkëmbim urimesh e trokitje gotash për një vit të ri të mbarë, duke qenë se aktiviteti i parë për 2026, përkoi me 14 janarin, një ditë që simbolikisht është si 1 janari i dytë.
Eventin e Sarandës e përshëndeti Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.
Ndarja e Çmimeve “Gazetar i Vitit 2025”, ishte ndër momentet më të veçanta të këtij eventi.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Sarandës, Thoma Nika, duke falenderuar kolegët dhe të ftuarit për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar, që eventi t’ia arrinte qëllimit, nënvizoi si vlerë të rëndësishme veprimin së bashku në mbledhjen e informacionit në grup, ashtu siç në përditshmërinë tonë e bëjmë në mënyrë individuale, për mediat që mbulojmë.
Nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Dega e Sarandës, u nderuan me titullin “Gazetar i Vitit 2025”, gazetaret Shpresa Dine e Silvi Syla, si dhe gazetarët Agron Mema, Uesli Didani e Viktor Avdia.
Monofonisti gjirokastrit Roland Çenko, e përshëndeti eventin e gazetarëve të Sarandës në gjuhën e artit të vet, me interpretimin e tij në mjeshtërinë e logatjes.
Eventi “Media 2026, Pushteti i Publikut”, shtroi si parësore se të informosh është mision, jo privilegj dhe kërkoi që t’u jepet zë njerëzve të punës dhe që gazetarët të jenë zëri i publikut për shërbime të munguara dhe punë që ngecin.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull