“Ajo ditë kur bashkë me Shahun lamë Iranin…” – Kush është ish–perandoresha Farah Diba, nëna e trashëgimtarit të fronit iranian

12 Minuta Lexim

Ishte 16 janari i vitit 1979 kur Shahu dhe Farah Diba lanë Teheranin. Turma thërriste: “Tirani iku, populli fitoi”.

Pas arratisjes, atë dimër të dhunës që aq shumë të kujton momentet dramatike të këtij janari, Shahu dhe Shahbanuja shkuan në mërgim në Egjipt, Marok, Bahamas, Meksikë, SHBA, të ndjekur nga një dënim me vdekje në mungesë.

E pyeta ish–iperandoreshën vite më parë, kur e takova në Paris: “Keni pasur frikë?”.

“Frikë? Jo. Nuk kam frikë të vdes. Vite më parë shkruan te The Guardian se do të më vrisnin, atëherë ministri i Brendshëm francez më dha eskortë. Më mirë të vdes kështu, e goditur për vdekje, sesa nga kanceri… në spital”.

Sytë e Farah Dibës u mbushën me trishtim, ndoshta nga kujtimi i ditëve të fundit me Shahun të sëmurë nga kanceri. Ai do të vdiste në Egjipt.

Shahbanuja, sot 87 vjeç, e cila këto orë dramatike ka publikuar një video ku flet për “dritën që do të triumfojë mbi errësirën dhe Iranin që do të ringjallet nga hiri i vet”, më priste në Paris. Kisha nisur udhëtimin pa një adresë të saktë, vetëm një ditë për takimin ndoshta më të jashtëzakonshëm në kaq vite gazetari.

Një intervistë për La Lettura të Corriere, që në këto orë vendimtare për të ardhmen e Teheranit ndihmon të kuptohet kush është nëna e Reza Ciro Pahlavit, 65 vjeç, trashëgimtar i fronit të Palloit, që sot disa e shohin si kandidat për udhëheqjen e re të Teheranit. Takimi me gruan që ka qenë perandoreshë e Persisë ishte në orën 16:30, një pasdite me shi në fillim të marsit.

Asnjë stoli për të, që dikur rrinte në krah të Shahut mbi legjendarin Fron të Palloit, vetëm një spilë që pasqyronte kufijtë e Iranit me ngjyrat e flamurit. Gruaja e dashur e Mohamed Reza Pahlavit, e cila pas Revolucionit Islamik të 1979-ës ndau fatin e Shahut, ka ruajtur ende hijeshinë e dikurshme: e gjatë, mbretërore, flokët të lidhur në bisht me një fjongo.

“E bukur unë? Nëse shoh imazhet e mia kur isha e re, 16–17 vjeç, nuk isha aspak e bukur, më pas me kohën besoj se u bëra më e rafinuar… dhe këtë ia thosha gjithmonë vajzës sime Leila, që fatkeqësisht nuk është më, ajo që nuk e gjente veten mjaftueshëm të bukur”.

Perandoresha ndali shikimin, sikur të kapte ëndrrat e një jete. U përkul për të marrë nga një tavolinë një bllok asfalti nga Revolucioni i Gjelbër: “Ma kanë dërguar nga Irani, i lyer kështu është një vepër arti”. Folëm për situatën në Teheran.

“Më jep shpresë, tani gratë e Teheranit e dinë çfarë ishte Irani, dikur. Dhe janë pikërisht të rinjtë, gratë, që kanë vuajtur më shumë: të fyer, të burgosur, me ligje të ndryshuara kundër tyre. Kur mbreti më vuri kurorën në kokë në 1967, në zemrën time ishte sikur ta kishte vënë mbi kokën e të gjitha grave iraniane: u kurorëzova imperatore dhe më pas u emërova edhe regjent. Tani kushdo mund të të fyejë në rrugë nëse nuk mban shami. Ëndërroj për Iranin tim një demokraci laike”.

Festimet për 2 mijë e 500 vjetorin e Perandorisë Persiane, në 1971, ishin një shfaqje e tepruar pasurie: një shpenzim prej 200 milionë dollarësh, dolli në gota Baccarat dhe bankete të firmosura nga Maxim’s i Parisit.

“Na kritikuan për shumë gjëra… vezët e thëllëzës me haviar… por festimet ishin dëshira e Shahut për t’i treguar botës çfarë ishte Irani, pasuria dhe historia e tij”, u justifikua ajo.

Pastaj, surpriza e atij takimi ishte të zbuloja se Farah Diba kishte studiuar si fëmijë në një shkollë italiane.

“Po, në Teheran, kur isha shumë e vogël, ndoqa për disa vite shkollën italiane, besoj të drejtuar nga murgesha italiane dhe jezuitë, para se të shkoja në shkollën franceze Jeanne D’Arc”, më tregoi, edhe pse nuk mbante mend më asgjë nga gjuha e Dantes.

“Oh jo, isha e vogël dhe në fakt në shkollë mësonin frëngjisht dhe persisht. Në të vërtetë, nëna ime, Aridah, më regjistroi aty sepse kishin një piano të bukur, donte të studioja muzikë, por në shtëpi piano nuk kishim, dhe kështu ushtrohesha në atë të kolegjit, në bodrum. Kam qenë me fat, jam rritur në mënyrë moderne: nëna ime, më shumë se gjashtëdhjetë vite më parë, më bëri skaut, të praktikoja not, të luaja basketboll, isha kapitene e skuadrës, numri 10, si Maradona… dhe Baggio. Djali im Reza, që jeton në SHBA, është një pasionant i madh i futbollit”.

E pyeta për Rezan, trashëgimtarin e fronit që nuk ekziston më.

“Përpiqem të kaloj në Amerikë dy muaj në pranverë dhe dy të tjerë në vjeshtë, për të qenë pranë dy fëmijëve të mi, Reza dhe Farahnaz… dhe katër nipërve të mi. Këtë qenush ma ka dhuruar mbesa ime Noor… qeni që më shoqëroi për shtatëmbëdhjetë vite vdiq kohë më parë dhe nuk do të kisha pasur guximin të merrja një tjetër. Pjesën tjetër të kohës këtu, në Paris, shkoj në galeri arti, kultivoj pasionet e mia, dua pikturën, skulpturën dhe muzikën. Kam dëgjuar Pavarottin në teatër, kur isha e re në Teheran blija disqet e Carusos. Jam e lidhur me Bienalen e Artit të Venecias”.

Ishte pikërisht arti që e lidhi me fatin, dashurinë, historinë.

“Studioja Arkitekturë në Paris dhe banoja në Cité universitaire në jug të kryeqytetit, por jo në pavijonin e studentëve iranianë, nuk kishte të tillë, por në atë holandez. Mbaj mend ditë gjithmonë të mbushura me leksione, vizatime për të realizuar, vizita në muze… Takimi i parë me Shahun ndodhi në ambasadën iraniane: kur vizitonte vendet e huaja, gjithmonë takonte disa studentë iranianë jashtë. Ishte një pritje, kisha blerë me nxitim një fustan të ri. Mbaj mend që kisha mësuar të bëja përkuljen. Ai shkëmbeu disa fjalë me të ftuarit dhe kur u afrua më pyeti: “Çfarë studion në Paris?” U habit kur i thashë se ndiqja Arkitekturë. Atëherë kishte shumë pak gra arkitekte, jo vetëm në Teheran; nuk ishte një studim i zakonshëm për një vajzë”.

Farah Diba buzëqeshi, sytë iu ndriçuan dhe vazhdoi: “Pastaj më thanë se ai më kishte ndjekur me shikim ndërsa dilja nga dhoma”.

E pyeta çfarë e kishte pushtuar tek Shahu.

“Buzëqeshja”, u përgjigj pa hezitim, “shumë e bukur. Por sytë e tij ishin të trishtuar. Dhe një ditë, vite pas atij takimi të parë dhe më pas martesës, e pyeta: ‘Pse unë?’ Ai u përgjigj: ‘Më pëlqeve sepse ishe e vërtetë, autentike’.”

Ajo “po”, më 21 dhjetor 1959, bëri xhiron e botës. Ajo kishte veshur një fustan mëndafshi firmosur nga Yves Saint Laurent për Dior, mbi kokë një kurorë me diamante që peshonte dy kilogramë.

Dhe në vitet e gjata të mërgimit, ishte arti që e mbajti të lidhur edhe me Teheranin, më tregoi ish–perandoresha.

“Fillova duke blerë art iranian, në Bienalen e parë të Teheranit në vitin 1962. Në Teheran kishte pak galeri arti. Dhe para projektit të Muzeut të Artit Bashkëkohor të Teheranit, punova për idenë e një muzeu të qilimit dhe një muze për pikturën Qajar, dinastia (1796–1925) që i parapriu asaj të Pahlavive (1925–1979). Në ato vite kishim krijuar shumë aktivitete kulturore, bibliotekat për fëmijë, falas, ku mësohej të lexohej, të pikturohej… Irani është një vend me kulturë dhe histori të madhe, doja ta ruaja gjithë këtë trashëgimi por edhe ta zgjeronim horizontin. Edhe sot marr email dhe letra nga artistë iranianë fshehtas”.

E pyeta nëse ishte e vërtetë që ndër vite kishte koleksionuar 1 mijë e 500 vepra… Degas, Picasso, Pollock, Bacon dhe Warhol? Financial Times e ka vlerësuar koleksionin në tre miliardë dollarë.

“Nuk mbaj mend sa, shumë… po. Çmimi i naftës ishte rritur, dhe çmimet e veprave në ato vite ishin shumë interesante. Organizova një komitet në zyrën time, merrnim kontakt me galeri, fondacione: nisëm me impresionistët dhe vazhduam me modernët e bashkëkohorët. Mendova për një muze arti bashkëkohor në Teheran, fola me arkitektin Kamran Diba, kushëririn tim, dhe shtova: ‘Pse të mbledhim në një muze vetëm vepra iraniane? Pse të mos e hapim edhe ndaj krijimtarisë së vendeve të tjera? Dhe ndaj pikturës moderne?”.

Më pak se dy vite pas inaugurimit të muzeut, erdhi Revolucioni.

“Isha shumë e shqetësuar, por Mehdi Kowsar, që më pas do të kujdesej për muzeun, hartoi një listë me emrin dhe çmimin e të gjitha veprave të ruajtura në bodrume”, vazhdoi të tregonte.

“Tha se donte të kujdesej për pikturat sikur të ishin fëmijët e tij, të kujdesej për to. Dhe kur mora vesh se donin të hiqnin një De Kooning që kisha blerë, u shtira si një studente iraniane arti dhe telefonova muzeun, por ishte e premte dhe ishte mbyllur. Atëherë telefonova sërish të nesërmen dhe luta: “Ju lutem mos e shkëmbeni pikturën”. M’u përgjigjën se ishin të detyruar ta bënin. E shkëmbyen me një vepër iraniane, Libri i Mbretërve (Shah-nameh), me miniatura dhe piktura. Shitën De Kooning–un te David Geffen për 20 milionë dollarë. Thanë se ai nudo nuk ishte islamik, por unë kisha koleksionuar edhe Francis Bacon, nëse është për këtë”.

E pyeta për ndjenjën në Teheran ndaj ish–Shahut, ndaj saj dhe ndaj djalit të saj.

“Besoj se shumë në Iran janë penduar për atë që ndodhi. Marr shpesh letra dhe email nga Irani, madje edhe portrete të mi dhe të Shahut, të realizuara fshehurazi, me njëfarë rreziku. Disa duan të flasin me mua dhe më thonë: ‘Faleminderit për këtë telefonatë, më bën të lumtur për tre muaj”. Por janë ata që më bëjnë të lumtur. Dhe kur telefonoj dhe them: ‘Alo, mund të flas me zotin…’, e njohin zërin tim. Nuk e them kurrë emrin tim… Dhe tani më gjakoset zemra”./Corriere Della Sera

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull