Deputeti socialist Erion Braçe, gjatë fjalës së mbajtur nga foltorja e Kuvendit në diskutimin për aktin normativ të rishikimit të buxhetit, deklaroi se treguesit kryesorë makroekonomikë mbeten pozitivë, por problematika kryesore vijon të jetë mosrealizimi i shpenzimeve publike.
Sipas Braçes, ekonomia shqiptare vijon të zgjerohet, inflacioni mbetet në nivele të ulëta brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, eksportet janë në rritje dhe zhvillimet buxhetore janë në përputhje me ecurinë ekonomike. Ai theksoi se të ardhurat buxhetore janë më të larta se një vit më parë dhe mbi plan, veçanërisht në zërin e sigurimeve shoqërore, duke forcuar qëndrueshmërinë e kësaj skeme.
Deputeti nënvizoi se deficiti buxhetor mbetet brenda nivelit të programuar dhe se rregullat e arta të buxhetit janë respektuar, ndërsa akti normativ nuk përbën barrë për ekonominë kombëtare.
“Çfarë dëgjuat janë të vërteta, ekonomia vazhdon të zgjerohet, inflacioni mbetet në nivele të ulëta brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, eksportet rriten dhe në aspektin buxhetor lajmet janë në përputhje me zhvillimet ekonomike.
Veçanërisht sa i takon realizimit të të ardhurve të cilat janë më shumë se 1 vit më parë dhe janë më shumë se plani, veçanërisht në pjesën e sigurimeve shoqërore e që i bëjnë mirë asaj skeme në tërësi.
Deificiti buxhetor mbetet në nivelin e programuar ndërkohë që rregullat e artë të buxhetit respektohen deri në fund.
Rezerva e vetme që unë kam ka të bëjë me dy sektorë të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare: bujqësia dhe që vazhdon të numëroj vitin e disatë me rënie, dhe sektori tjetër që është sektor jetik që ka të bëjë me industrisë që shënon rënie gjithashtu, duke hedhur dyshime mbi një rimodelim të ekonomisë kombëtare i cili doemos s’mund të jetë pa këto dy sektorë të rëndësishëm të saj”, deklaroi Braçe.
Megjithatë, Braçe shprehu rezerva në krahun e shpenzimeve publike. Ai theksoi se për të disatin vit radhazi, buxheti shënon mosrealizime të konsiderueshme në shpenzime, duke parashikuar që viti 2025 të mbyllet me rreth 30 miliardë lekë fonde të parealizuara.
“Nëse për realizimin e të ardhurave është evidente fakti që po mblidhen më shumë të ardhura pa rritur tatimet dhe taksat, në krahun e shpenzimeve publike vazhdojmë për të disatin vit rresht të kemi mosrealizime. 2025-sa me gjasë do të mbyllet me 30 mld lekë mosrealizime.
Në harkun e katër viteve, kemi 1.2 mld euro dhe janë thuajse 1 buxhet i plotë investimesh publike. Janë shumë para publike që nuk realizohen në harkun e 1 viti buxhetor”, deklaroi Braçe, duke e cilësuar këtë si një problem të menaxhimit financiar dhe jo si kursim.
Ai përmendi sektorin e shëndetësisë, ku sipas Braçes nuk mund të flitet për kursime në një kohë kur vetë institucionet pranojnë mungesën e fondeve.
“Pavarësisht se kolegët e mi dhe ministri mendojnë se këto janë kursime në kontekstin ekonomik, kursime nuk janë, janë mospërdorim i parasë publike.
Fjala bie në sektorin e shëndetësisë, nuk mendoj që termi kursim qëndron, sa kohë të gjithë bashkë kemi rënë dakord që paratë në sektorin e shëndetësisë mungojnë, nuk mundet të kemi kursime në Ministrinë e Shëndetësisë, kryesisht në zëra të tillë siç janë shpenzimet operative por në krahun tjetër dhe shpenzimet që kanë të bëjnë me vaksinimin e popullsisë. Janë gati 1.4 milionë euro të kursyera këtu”, u shpreh deputeti.

