Anagnosti i panjohur…

9 Minuta Lexim

Nga Agron Xoxa

Shumë vjet më parë, zilja e telefonit të shtëpisë tringëlloi si në zgjim. Pas pak, ngjitja shkallët e Ministrisë, ku Anagnosti ministër, pa asnjë njohje, më propozoi të drejtoja një institucion publik! E habitshmja, në kundërsens realiteti të sotëm, nuk qëndronte tek fakti se si një “regjizor i famshëm” një artisti në zhvillim “i besoi” drejtimin e një teatri; as tek largësia e fushave, apo se se ligji ia “lejonte” një ministri përzgjedhjen pa “konkurrim” (si sot), të kujtdo! E habitshmja, ish njeriu, tek përgjegjsia që merr një “personaliteti aq kompleks” si ai lloj Ministri, t’i shkonte bindjes se vetes, deri në fund! Ky element më shoqëroi gjatë jetës; u përforcua vitesh të bashkëpunimi, e më pas jashtë tyre. Nisa të zbuloj një anë të “panjohur” më parë, njeriun, ndërkohë që anën e njohur, veprën, e preknim në çdo hap! Më pas, njoha njeriun multidimensional. Takoheshim, ai fliste, tregonte mënçur, më dha për lexim ndonjë tregim, novelë, skicë romani, skenar të parealizuar, pa shpresuar se do t’i shihte ndonjëherë në film. U bëmë miq dhe uleshim familjarisht… Megjithatë, edhe pse e pata këtë “privilegj”, Anagnostin në këtë dimension, nuk arrita ta njoh!
A është Anagnosti një gjeni? E në është, është ai që njohim? Është dhe nuk është. Nuk është, sepse nuk njohim “të panjohurat” e tij, sfidat, dilemat, ankthet për fatin e veprave dhe personazheve, që nuk panë dritën e skenës apo botimit.
———-
Dy shekuj më parë (1829), djaloshi Felix Mendelssohn, 13 vjeç, ende i panjohur, por “fëmia gjeni” siç “shihej” rretheve të metropolit berlinez, ngjiste shkallët e ndërtesës të Carl F. Zelter, njeri me peshë dhe themelues i “Sing-Akademie”, orkestër me famë në Berlin. Djaloshi mbante me vete partiturën “Pasionet”, i titanit mbi titanë Johann S. Bach, i cili atë kohë ishte “kujtim” i largët për brezat e rinj. Felix-i, prejardhur nga familje bankieri, e ndiente, se ajo çfarë po bënte, hynte në “hapat” e vyera të jetës dhe se nuk ishte thjesht mbi një “rrugë”, por në një “mision”, si ato, që ndërmarrin dishepujt, për të nxjerrë në dritë një Profet! Çfarë ndodhi i kthye akt historik nga më të përmendurit në Arte. Premiera, drejtuar nga ai djalosh i habitshëm, krijoi turbulencën e një “tërmeti” dymbëdhjetë ballë që u përhap qindra-mijra kilometra larg. Nga ajo ditë, Bach-u “ilindi”: Johan S. Bach, ai, para të cilit përulemi të gjithë!
————
Ndoshta sa më sipër, duket sikur nuk ndërlidhet me realitetin tonë e aq më pak me Anagnostin. Për të qenë të saktë, ditëve të veçanta, përvjetore a raste, ai nuk quhet i “harruar”; nderimet, titujt që gëzon janë më të lartat e një emëri të madh, falë periodicitetit të transmetimeve të filmave të tij në Tv publik! Por, nuk do qëndroj këtu!
Ndoshta, dikush mund të mendoje, se është “i tepruar” termi “gjeni” kur flasim për krijues shqiptarë, aq më tepër, “ata” të një kohe të diskutueshme e të revokueshme për vlerat që mbart! Por, unë nuk tendem për “emrin” që mbart një autor, po tek “fenomeni gjeni” si i tillë! Ballhaptas mendoj, se, nëse Anagnosti solli dy a më shumë filma konsideruar njëzëri “kryevepra”, prodhim i aso kohe kufizimi, çensurimi e perkuzicioni mesjetar, a nuk lind e drejta të mendoj, se nëse do ishte në ”kushte” europiane a hollivudi, a mund të ishte një Çaplin, një Hitchcock, një Kurosawa, a një Eisenstein, më shumë?

Kur përmenda më sipër se si gjeniu harruar merr emrin që i takon, nuk e bëra se kjo duket se ndodh si “rastësisht” a falë “misionit” që dikush merr, porse faktet janë diku thellë! Dhe prandaj do qëndroj këtu: te vepra, te “Anagnosti i njohur dhe i panjohur”; te rëndësia e çdo detaji të veprës, jetës e gjithçkaje tjetër për ta “rivendosur” ku i takon. Këtu, ka një element bazik që priret ta “shpjerë” përpara aktin e njohjes e që “shkon” detyrimisht si cikël përditësimi, “nga e njohëshmja tek e panjohëshmja, për të rivlerësuar të njohëshmen”!
Kjo kërkon njohjen në thellësi të motiveve; domethënieve të tërthorta; të thënat e të pathënat; ato që mbartin letra, skica, përpunime fraze në skenar, mjete artistike; alegori e metafora jashtë skenari, aty, ku flenë “të panjohura”; ku dhe fjala e koncepti kthehen shprehje universale e jashtëkohore!
Jam i bindur se, nëse kjo ndodh dhe çdo hap i krijimtarisë së tij dhe “jetës gojëkyçur”, që në shumicën e rasteve ai kishte në marrëdhënie me njerëzit, vlerësimi Anagnostit do marrë tjetër përmasë.
E shtroj si këndvështrim, duke u nisur nga realiteti famkeq, jo vetëm shqiptar, e vij tek fakti prezent që shtrëngon pyetjen konteksuale: “Brezat pas nesh, nipa e stërnipa tanë, nga Kadare, bie fjala, çfarë do njihnin vlera të veprës së tij, nëse në tekset shkollore do priteshin me “gërshërë” një poezi këtu, një tregim atje, një kapitull romani a një roman, i tij? Çfarë do i ndodhte emrit “gjeni i letrave”, nëse nuk do promovoheshin më veprat e tij, si deri sot? A nuk po harroheshin, si po ndodh gradualisht me veprën e Mjedës, De Radës, Frashërve, Asdrenit, Migjenit, Fishtës, Nolit, Camajt, Pashkut, Qoses, Agollit, Trebeshinës, Spahiut, e shumë e shumë të tjerë???

Sistemet “i vrasin” ose tentojnë t’i “vrasin” gjenitë, veçan Profetët!
Gjenitë dhe sistemet kanë qenë e do të jenë përherë në përplasje: sistemi tenton të shuajë gjeniun që në lindje, e kur nuk ia del, kërkon ta “blejë”, ta bëjë shërbëtor ose ta asgjësojë pjesërisht a plotësisht.
Këtu hyn aspekti social e politik. Social, sepse krijuesit e shquar lënë “gjurmë”, aq sa në jetën artistike, po aq dhe në jetën shoqërore. Këtu flasim për elitat dhe korifej! Aspekti politik, kërkon me çdo mjet “të imponojë” frymën dhe hapin”, krijuesit. Siç dëshmon realiteti, politika e sistemit tendet të “rivendosë” historinë sipas interesave dhe i “përzgjedh” elitat e kahun social-kulturor, nga varet krijimtaria në art!
Brezi i Anagnostit dhe brezi ynë u rritën në këtë frymë. Shumë u nënshtruan; disa iu “shmangën” ndeshjes ballëpërballë; disa “morën” alegori e metafora për të ndërtuar një realitet iluziv, ku në qendër ishte vetë Diktatori. Të tjerë u shuan; emrat e tyre u ringjallën pjesërisht pas rrëzimit të sistemit. Konteksti i sotëm mund të duket i “ndryshëm”, por realiteti mbetet, ai! Sot nuk ka skuadra pushkatimi për krijues “rebelë”, por ekziston fakt i hidhur: rruga e nënshtrimit ose emigrim! Disproporcionaliteti i realitetit ku jetojmë ka marë përmasë universale.

Çdo gjeni i sotëm mund “të jetë” Profet nesër, nëse “rrethana” a jashtë tyre, “dikush” zbulon e rizbulon “dikë”në mision! Pa dishepjt që përcollën në detaj veprën dhe fjalën e Jesu Krishtit, ai do mbetej një figurë periferike në histori! Pyetja rivjen përsëri: Çfarë do të dinim, nëse nuk do të ishin zbuluar e rizbuluar dhjetra herë e vënë nëpër piedestal panteonësh, filozofë, dijetarë, krijues të tragjedisë antike e të Romës; çfarë do njihnim mbi të shkëlqyerit e “Rilindjes”, të klasicizmit, romantizmit e deri atyre sot? Ndoshta diku do ishin, por jo aty ku qëndrojnë krenarë, sot…!
Profeti i rremë dhe djalli fshihen pas detaji, ndërsa njohja e Zotit dhe Profetit, vjen përmes zbulimi të veprës dhe fjalës!

Ndoshta Anagnosti nuk do “bëhet” Profet. Si shumë të tjerë, që nuk patën Felix-in apo “dishepuj” që thyenin paragjykimet e kohës dhe të përballeshin me interesat “e verbëra” të pushtetit!
Nëse askush nuk hedh “zhgunin” e eremitit e të marë e rimarë germë për germë çdo film, dokument, shkrim e kujtim, “e njohura” e Anagnostit do shuhet, pa u zbuluar kurrë “e panjohura” e tij!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull