Ankimimi i qeverisë për pezullimin e Ballukut, Gjykata Kushtetuese shtyn vendimin

3 Minuta Lexim

Trupa prej tetë gjyqtarësh e Gjykatës Kushtetuese do të rishqyrtojë në ditët në vijim çështjen e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Seanca e kësaj të marte, ku u shqyrtua ankimimi i qeverisë kundër vendimit të GJKKO, nuk mjaftoi për të prodhuar një vendim përfundimtar. Trupa vendosi të marrë më shumë kohë për vendimmarrjen finale dhe çështja do të rikthehet për shqyrtim në një mbledhje të ardhshme.

Qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese pritej me interes, pasi vendimi do të ndikojë në veprimet e Këshillit të Mandateve, i cili kishte shtyrë mbledhjen e parashikuar për të mërkurën për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke pritur vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Rasti ka tërhequr vëmendje të gjerë, pasi është hera e parë që një ministër pezullohet pas një kërkese të SPAK-ut, duke vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.

Qeveria ka kërkuar që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës mbi imunitetin e deputetëve, ndërsa prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë theksuar se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit dhe nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve.

Tetë gjyqtarët do të sqarojnë gjithashtu nëse ka pasur ndërhyrje të gjyqësorit në ekzekutiv dhe nëse një ministër gëzon imunitetin ligjor të një deputeti.

Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull