Nga Sulejman Mato-
Në shumicën e vendeve me traditë letrare serioze, çmimi për shkrimtarin më të mirë të vitit, apo për figurën më përfaqësuese të letërsisë kombëtare, nuk është çështje qeverish, institucionesh qeveritare, ministrish apo kabinetesh politike. Ai është një akt profesional dhe etik, i kryer nga asociacionet kombëtare të shkrimtarëve, nga vetë komuniteti letrar, nga kolegët, nga ata që e njohin peshën e fjalës, jo nga ata që menaxhojnë buxhete dhe protokolle. Sepse vetëm shkrimtarët janë kompetentë të gjykojnë shkrimtarët. Vetëm letërsia mund të gjykojë letërsinë.
Te shqiptarët, ky mekanizëm ka pushuar së ekzistuari. Ose, më saktë, është shkatërruar me vetëdije. Sot nuk kemi më një asociacion kombëtar funksional të shkrimtarëve që të ketë autoritet moral, profesional dhe simbolik, siç e kishim dikur si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, për të thënë fjalën e fundit se kush është shkrimtari, poeti, dramaturgu apo kritiku më i rëndësishëm i vitit. Një asociacion i tillë nuk funksionon as në hapësirat e tjera shqiptare.
Në vend të një institucioni kombëtar të përbashkët, kemi një inflacion grotesk shoqatash shkrimtarësh: nga një në çdo qytet, nga një në çdo lagje, nga një për çdo klan, miqësi apo interes lokal. Shoqata që lindin jo nga nevoja për standarde, por nga nevoja për poste, tituj, kryesi dhe “çmime”. Në këtë fragmentim banal, çdo vlerësim humb peshën, çdo dekoratë bëhet e dyshimtë, çdo shpallje “shkrimtar i madh” tingëllon si vetëlavdërim kolektiv.
Dhe pikërisht këtu hapet rruga për anomali më të rrezikshme: që shkrimtarët t’i zgjedhë shteti, apo institucionet qeveritare.
Institucionet qeveritare: ministritë, dikasteret, sektorët, kabinetet, institucionet nacionale, administratat, kanë marrë përsipër një rol që nuk u takon. Ato ndajnë çmime letrare, shpallin “shkrimtarë kombëtarë”, përcaktojnë hierarki vlerash, sikur letërsia të ishte një sektor administrativ. Ky është konflikt i pastër interesi. Qeveria apo ministria përkatëse, madje as komisioni i dalë nga ministria, nga vetë natyra e tyre, nuk mund të jenë arbitër të drejtë të krijimtarisë letrare, sepse ata operojnë mbi bindje politike, lojalitete, interesa dhe imazhe publike dhe jo mbi kritere estetike, poetike dhe historike.
Kur shkrimtari vlerësohet nga administrata, ai pushon së qeni zë kritik i shoqërisë dhe rrezikon të shndërrohet në dekor institucional. Kur çmimin e jep ministria, dhe jo kolegët shkrimtarë, ai çmim nuk është më njohje letrare, por akt politik. Dhe aty ku letërsia futet në zyrë, fjala humb lirinë.
Në Gjermani, Itali, Francë apo Britani, çmimet më të rëndësishme letrare jepen nga asociacione përkatëse me taban sa tradicional aq edhe historik, nga akademi, fondacione kulturore dhe juritë e shkrimtarëve e kritikëve profesionistë. Shteti, në rastin më të mirë, është sponsor; kurrë gjykatës estetik. Askund nuk do të merrej seriozisht një “shkrimtar i vitit” i shpallur nga një zyrë apo institucion ministror, as nga një “komision letrar” i caktuar nga ndonjë institucion qeveritar. Sepse atje është kuptuar një e vërtetë elementare: letërsia nuk vlerësohet me vendim administrativ.
Por, përgjegjësia nuk është vetëm e shtetit, e institucioneve qeveritare. Një pjesë e madhe e fajit bie mbi vetë shoqatat e mirëfillta të shkrimtarëve tanë. Përgjumja e tyre është alarmante. Heshtja e tyre është bashkëfajësi. Dorëzimi i autoritetit letrar para instancave qeveritare është kapitullim historik. Në vend që të organizohen, të bashkohen, të krijojnë një trup kombëtar përfaqësues, ato janë mbyllur në mikro-klane, duke u marrë me grindje të vogla, xhelozi personale dhe luftëra për simbolikë boshe.
Shoqata e shkrimtarëve, si institucion nacional dhe jo qeveritar, duhej të ishte ndërgjegjja kritike e letërsisë shqipe. Sot, ajo, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në viset e tjera etnike, është ose e copëzuar, ose e heshtur, ose e instrumentalizuar. Dhe kur institucionet që duhet të mbrojnë autonominë e fjalës flenë, pushteti hyn pa trokitur.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të ndezë më tej acarimin mes shkrimtarëve. Përkundrazi: synon ta ulë tensionin duke e zhvendosur debatin nga individët te struktura. Problemi nuk është ky apo ai autor që merr apo nuk merr një çmim. Problemi është kush e jep çmimin dhe me çfarë legjitimiteti. Sepse pa një autoritet letrar të pavarur, çdo çmim është i kontestueshëm dhe çdo vlerësim prodhon përçarje.
Nëse duam të kemi shkrimtarë të lirë, duhet të kemi institucione të lira letrare. Nëse duam kritere, duhet të kemi asociacione reale, jo klane. Dhe nëse duam që letërsia shqipe të ketë dinjitet, duhet ta nxjerrim nga zyrat dhe ta kthejmë te shkrimtarët, si dhe duhet t’i heshtim “mercenarër qeveritar”, apo “letrarët e instrumentalizuar” të futur në botën e komunitetit të shkrimtarëve.
/HEJZA/

