Banka e Shqipërisë, program të ri për biznesin e vogël!

2 Minuta Lexim

Bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, që përbëjnë mbi 90 për qind të sipërmarrjeve në vend, pritet të kenë më shumë mundësi financimi.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar programin e ri për mbështetjen e këtij segmenti, me synimin për të lehtësuar aksesin në kredi dhe për të nxitur investimet.

Programi synon të krijojë kushte më të favorshme për kreditim, në një kohë kur shumë sipërmarrës të vegjël hasin vështirësi për shkak të kolateralit, informalitetit dhe kostove të larta të huamarrjes.

“Do të ndikojë pozitivisht jo vetëm që këto biznese të rrisin pagën minimale, por ndoshta të rrisin mbi pagën minimale me qëllim që të mos jenë në kuadrin e krizës së gjetjes së punonjësve”, u shpreh Romina Radonshiqi, eksperte e ekonomisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fokusi është drejt sektorëve që krijojnë vlerë të shtuar dhe punësim, veçanërisht prodhimi dhe shërbimet. Megjithatë, ekspertët theksojnë se efekti i vërtetë do të varet nga mënyra se si bankat do ta përkthejnë këtë program në produkte konkrete kredie.

“Kushtet kryesore janë të kenë marzhe të larta fitimi, apo të jenë të besueshëm me qëllim që banka tregtare këtu të ketë mundësi të menaxhojë riskun. Duhet të jetë fokus bujqësia, prodhimi, pasi këto do të krijojnë një ekonomi të qëndrueshme”, sqaron ekspertja e ekonomisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, bankat kanë dhënë 30.6 miliardë lekë kredi për mikrobizneset gjatë nëntorit, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me tetorin 2025, kur volumi i kredisë ishte 30.4 miliardë lekë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull