Nga Auron Tare-
Diku nga mesi i viteve 1940, në prag të sulmeve ajrore të Gjermanisë naziste kundër Britanisë së Madhe, kryeministri i sapozgjedhur Winston Churchill kërkoi një takim me bordin drejtues të Korporatës Britanike të Transmetimit, e njohur shkurt si BBC Radio.
Arsyeja e kësaj mbledhjeje mes Churchill-it dhe bordit drejtues të BBC-së ishte mjaft e pazakontë.
Kryeministri kërkonte që qeveria, përmes shërbimit sekret britanik, të kishte mundësinë të përdorte BBC-në si mjet për dërgimin e mesazheve të koduara për agjentët e shpërndarë në Evropë dhe në vende të tjera me interes strategjik. BBC, si një nga transmetuesit më të mëdhenj në botë, kishte kapacitetin teknik për të realizuar këto transmetime sekrete, dhe Churchill kërkonte perdorimin e saj.
Kjo kërkesë e pazakontë për një media publike u debatua për një periudhë të gjatë nga bordi drejtues i BBC-së, i cili fillimisht refuzoi ta pranonte. Refuzimi u mbështet në disa arsye themelore,
BBC ishte jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj ruajtjes së reputacionit të saj profesional.
Nëse publiku do të zbulonte se BBC ishte e përfshirë në transmetime klandestine, integriteti dhe besueshmëria e saj do të dëmtoheshin rëndë.
Transmetimi i mesazheve për shërbimin sekret do të mjegullonte kufirin mes gazetarisë dhe operacioneve ushtarake.
Për këto arsye, pati një rezistencë të fortë nga lidershipi i BBC-së ndaj qeverisë së Churchill-it për të mos lejuar përdorimin e radios publike për këtë qëllim.
Megjithatë, interesi kombëtar përfundimisht mori përparësi. Me intensifikimin e sulmeve ajrore gjermane dhe bombardimet e përnatshme të Londrës, bordi drejtues i BBC-së pranoi të përdorte rrjetin e saj për transmetimin e mesazheve sekrete të shërbimit inteligjent, por me një kusht thelbësor ama, këto mesazhe të mos ishin pjesë e programeve redaksionale apo raportimeve të gazetarëve, por të transmetoheshin pas përfundimit të emisioneve, të shoqëruara me shënimin “mesazhe private”.
Në këtë mënyrë, BBC arriti të ruante autoritetin, pavarësinë dhe profesionalizmin e gazetarisë së saj.
Kjo histori u bë e njohur shumë vite më vonë, kur arkivat u hapën, dhe habiti studiuesit e historisë, duke forcuar edhe më tej reputacionin e BBC-së dhe të drejtuesve të saj të asaj kohe si një nga modelet më të spikatura të integritetit moral dhe profesional.
P.S
Me shpresën që bordi drejtues i korporatës sonë të transmetimit , RTSH, ta lexojë këtë copëz të shkurtër historie si një mësim të jashtëzakonshëm mbi integritetin personal, profesional dhe qytetar të gazetarisë në botë

