Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit Parlamentar të EPP, ku pasi ka denoncuar qeverinë dhe “Ramaduron”, ka dhënë mendimin e tij edhe për ndalimin e të ashtuquajturave “terapi konvertuese”, praktika që synojnë të ndryshojnë orientimin seksual ose identitetin gjinor, kryesisht të personave LGBT dhe për një raporttë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës lidhur me këtë çështje. Mirëpo duket se Berisha nuk e ka kuptuar fare se për çfarë flet raporti dhe ka denoncuar George Sorosin bashkë me Edi Ramën se duan t’ju ndryshojnë gjininë fëmijëve në Shqipëri.
“Përveç kësaj mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.
Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore, u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.
Theksova se, kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë”, deklaron Berisha.
Raporti nuk flet për “ndryshim gjinie”, nuk promovon asnjë ideologji dhe nuk synon fëmijët që të ndryshojnë identitetin e tyre. Përkundrazi, ai dënon praktikat e dhunshme dhe shtrënguese që përdoren për t’i detyruar persona, kryesisht LGBT, të mohojnë ose “korrigjojnë” orientimin seksual apo identitetin gjinor që ata tashmë kanë. Në praktikë, këto mund të jenë seanca psikologjike ose “këshillime” që përpiqen ta bindin individin se homoseksualiteti është “i gabuar”, rituale fetare me priftërinj dhe pastorë, si edhe presion moral dhe emocional për t’i mohuar ose fshehur ndjenjat e veta. Këto praktika janë të ndaluara në disa vende të Evropës dhe botës, pasi është dëshmuar se janë mjaft të dëmshme.
Raporti, për të cilin ka folur edhe Berisha, synon pikërisht ndalimin e këtyre praktikave ndaj personave LGBT dhe jo atë që duket se ka kuptuar Sali Berisha, pra ndryshimin e gjinisë së fëmijëve me urdhër të Edi Ramës (i cili sigurisht udhëzohet drejtpërdrejt nga George Soros).
Raporti është hartuar nga deputetja britanike Kate Osborne, në emër të Komitetit për Barazi dhe Mosdiskriminim dhe shpjegon se praktikat e konvertimit janë veprime që synojnë të ndryshojnë, shtypin ose “kurojnë” orientimin seksual apo identitetin gjinor të një personi, zakonisht LGBT, duke u bazuar në një bindje të rreme se këto janë të gabuara ose të sëmura. Raporti thekson se këto praktika nuk kanë bazë shkencore dhe shkaktojnë dëme serioze psikologjike dhe fizike, përfshirë depresionin, traumat, mendimet vetëvrasëse dhe izolimin shoqëror, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.
Qëllimi i dokumentit është të tregojë se praktikat e konvertimit përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe, në raste të rënda, mund të konsiderohen trajtim çnjerëzor ose torturë. Raporti u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Europës të miratojnë ligje që i ndalojnë këto praktika, të sigurojnë mbrojtje për viktimat dhe të parandalojnë shmangien e ligjit përmes referimeve apo praktikave ndërkufitare.
Shqipëria është një nga vendet ku psikologëve u ndalohet të kryejnë terapi konvertimi./TPZ/

