“Beteja” për lirinë e fjalës, shpifja nuk është më vepër penale për gazetarët

1 Minuta Lexim

Komisioni i Ligjeve i dha dritën jeshile përjashtimin e gazetarëve nga ngarkesat penale që lidhen me veprën e shpifjes. Amendamentet e propozuara nga Këshilli i Ministrave për disa ndryshime në Kodin Penal morën aprovimin e socialistëve në komision, duke parashikuar se gazetarët e regjistruar në organizatat mediatike nuk do të jenë më subjekt i këtij neni.

Po për të njëjtën çështje, në tavolinën e komisionit ishte edhe amendamenti i Jorida Tabakut. Sipas deputetes demokrate, tashmë në detyrën e Kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, propozimi i saj e trajton më mirë çështjen duke iu referuar edhe rekomandimeve që kishte marrë nga Komisioni Europian, por në finale u përball me refuzimin e socialistëve.

Jorida Tabaku nuk kishte mbështetjen e kolegëve demokrat të komisionit të cilët vijojnë të zbatojnë urdhrin e marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin, dhe i vetmi opozitar në sallë ishte Tedi Blushi.

Ndryshimet e miratuara në Komision parashikojnë edhe elementë të tjerë si ashpërsimin e dënimeve për zaptimin e hapësirave publike apo edhe kriminalizimi i parkimit dysh në rrugë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull