Rreth 1500 banorë të qytetit Niscemi në Sicili janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre pas një rrëshqitjeje masive dheu, e shkaktuar nga reshjet e dendura të sjella nga Cikloni Harry. Stuhia e fuqishme goditi Italinë jugore javën e kaluar, duke krijuar një çarje rreth 4 kilometra të gjatë në një shpat kodre, e cila vazhdon të zgjerohet dhe kërcënon seriozisht qendrën historike të qytetit.
Kryebashkiaku i Niscemit, Massimiliano Conti, e përshkroi situatën si “dramatike” dhe u bëri thirrje banorëve që ndodhen jashtë zonave të rrezikut të qëndrojnë në shtëpi, shkruan A2. Sipas autoriteteve të mbrojtjes civile, të gjitha banesat brenda një rrezeje 50–70 metrash pritet të shemben. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të mëdha.
Shkollat në zonë janë mbyllur, ndërsa një rrugë kryesore që lidh Niscemin me qytetin bregdetar Gela është bllokuar. Qindra persona po strehohen në një palestër sportive lokale, ndërsa të tjerë janë zhvendosur te familjarët.
Qeveria italiane ka shpallur gjendjen e emergjencës për rajonet jugore të prekura nga cikloni, duke vënë në dispozicion një fond fillestar prej 100 milionë eurosh. Dëmet totale në Sicili vlerësohen në rreth 740 milionë euro, por shifra mund të dyfishohet.

