Dendias provokon: Greqia ben fakt te kryer marrjen e detit

3 Minuta Lexim

Nga Artur Mecollai-

Dikush duhet ti tregojë Spiropalit çfarë detyre ka Ministria e Jashtme
Gati 24 orë heshtje nga Spiropali, Rama dhe Begaj.
Qysh dje në orën 09:05 Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, dhe ish Ministri i Jashtëm, Nikos Dendia ka hedhur një postim duke kujtuar 5-vjetorin e vendimit të Parlamentit për zgjerim të kufirit të jashtëm të detit territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare. Ky postim shoqërohet me një hartë e cila tregon jo vetëm kufirin e jashtëm të detit territorial, por edhe kufirin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, hapësirë detare ku ky vendim nuk mund të zbatohet.
Në bazë të UNCLOS 1982, kufiri i jashtëm i detit territorial caktohet nga shteti bregdetar, kurse kufiri midis shteteve caktohet me marrëveshje.
Shqipëria dhe Greqia nuk kanë kufij detare të përcaktuar të detit territorial, shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive.
Në praktikën ndërkombëtare kur nuk ka kufij të përcaktuar me marrëveshje, nuk hidhet vija kufitare detare për të shmangur keqkuptimet.
Natyrisht, harta e hedhur nga Dendias është një provokim. Provokim, për të parë si do të reagoje Shqipëria me institucionet e saj. Por, edhe për politikë të brendshme në Greqi.
Mosreagimi nga Ministria jonë e Jashtme dhe per Europen, tregon një hall dhe inferioritet.
Në 11 vitet e fundit ka patur disa raste të ngjashme, por Ministria e Jashtme ka reaguar me anë të një note vetëm një herë, në maj të vitit 2015, kur Ministër i Jashtëm ishte Ditmir Bushati. Në atë kohë anijet greke të kërkimit hynë në zonën detare të kontestuar midis dy vendeve.
Në vitin vitin 2022 anijet greke të kërkimit hynë përsëri, jo vetëm në zonën e kontestuar, por edhe në zonën ekonomike ekskluzive të Shqipërisë.
Ministria e Jashtme e drejtuar nga Olta Xhaçka, jo vetëm nuk kontestoi rastin, por mohoi hyrjen e anijeve greke në ujerat shqiptare. Po ashtu, Ministria jonë e Jashtme nuk reagoi edhe një vit më pas kur Greqia prodhoi një hartë detare provokative dhe e depozitoi në BE.
Ministria jonë e Jashtme, e drejtuar sot nga Elisa Spiropali, është e pafuqishme të mbrojë interesat e Shqipërisë në raport me disa shtete, veçanërisht Greqinë.
Në 20 tetor 2020 kryeministri Rama arriti një marrëveshje politike me Dendias, për të zgjidhur çështjen e detit në Hagë, e cila nuk është në interes të Shqipërisë.
E gjendur midis presionit të Greqisë për procesin e anëtarësimit në BE dhe pamundësisë për zbatimin e dakordesisë së 20 tetorit 2020, heshtja ndaj një provokimi të tillë është maksimumi që mund të bëje Ministria e Jashtme ne favor te Greqise, në pamundësi për të thënë, se harta është korrekte dhe nuk është një provokim i Dendias.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull