Dirigjenti që estetizonte heshtjen dhe interpretimin masiv orkestral, – për Roland Çenen

8 Minuta Lexim

Nga Aleksandër Çipa

Dirigjenti më i shquar që ka pasur deri më sot Gjirokastra, mbetet Roland Çene. Ai kryente një udhëheqësim interpretues të formacioneve orkestrale duke pasur më të ekspozuar shpirtin dhe ndjeshmërinë se sa shkopin dirigjues.
I përkiste artistit që e çmoi muzikën si një formë fisnike, aristokratike për durimin dhe jetimin e jetës. Por rasti i tij, i përkitur në një qytet të papërsëdytshëm si Gjirokastra, vlen ta sjell në vëmendjen e lexuesve dhe në kujtesën e bashkënjohësve, si rastin e artistit që krijoi formacion njëkohësisht edhe cilësi interpretuesish.
Maestro Roland Çene ishte artisti që i dha qytetit të lindjes dhe metropolit të vendit Tiranës, individin, arti i të cilit, siç mund të thoshte Oscar Wilde, nuk kishte për qëllim të ishte i dobishëm, por i domosdoshëm.
Profesor Çene nuk i dha thjesht muzikë të epërme dhe formacione historisë kulturore, artistike dhe muzikore Gjirokastrës, i shtoi një periudhë që bëri kontrast me kohët e shkuara dhe la të tillë me të ardhmet.
Realitetin e zymtë të një kohe, (në më shumë se katër dekada në Gjirokastër) na i bëri më të durueshëm dhe mendjembajtës përmes muzikës. Këtë rëndom e bëjnë artistë të lartësishëm sikundër zoti Çene.
Baton-i i tij në shfaqjen, interpretimin dhe komunikimin publik, nuk ishte një instrument autoriteti, por një gjest mirësjelljeje ndaj tingullit, një ftesë që orkestrantët të mendonin për bukurinë përpara se të mendonin për saktësinë. Këtë instruktazh didaktiko-muzikor e bëntë aq shumë shpesh në provat e Orkestrës Simfonike, tek salla ndanë Bahçes së Teqesë, apo në sallën e Teatrit e gjetkë.
Gjirokastra, qyteti i lindjes dhe i kujtesës, e ndjeu dhe duartrokiti shpejt se ai ishte më shumë se një dirigjent.
Ai ishte një përkthyes i heshtur i shpirtit të saj: ishte një maestro shenjë-imponues për një qytet që flet pak, por mban mend shumë dhe e bën të kumbueshëm artin në arkitekturën e gurit me shpirt.
Në orkestrën simfonike që drejtoi, muzika nuk kërkonte të ishte e madhe; kërkonte të ishte e vërtetë, elegante dhe timbrake, me melos dhe sidomos me aftësi të krijimit të asosacioneve të thellësive të brendësive njerëzore. Dhe kjo është një formë e rrallë e madhështisë që mund të ndërtojë një artist që diti të ngrejë dhe krijojë histori formacionesh instrumentale dhe trupa orkestrale, koncerte unike dhe paraqitje të papërsëdytshme orkestrash në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë.
Maestro Roland Çene si udhëheqës artistik dhe drejtor i Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës (disa), nuk e trajtoi traditën si muze, por si një qenie të gjallë. Ai e dinte se folklori vdes jo kur ndryshon, por kur kthehet në dekor apo në stemë.
Me një elegancë që nuk kërkonte duartrokitje por impononte shtangie dhe rrëmbime emocionesh dhe shpirtrash, ai ruajti dinjitetin e këngës popullore, krijoi imazh real të këngës dhe interpretimit qytetar gjirokastrit, duke i lejuar asaj të fliste me zërin e pakonkurueshëm, pa e detyruar të bëhej moderne, e as pa e burgosur në të shkuarën. Artistët e shquar, në një shekull kohë të fundit të Gjirokastrës, si Naxhi Kasoruho, Jorgo Roze, Xhelal Angoni, Eftimi Llambro, Lefter Zhulla, Petrit Lulo, Haxhi Selfo, Selam Mamani e dhjetra e dhjetra të tjerë, deri tek te rinjte si Dhurata Lazo, Alfred Habibi, etj., etj, u bënë partnerët e madhimit artistik të qytetit dhe jehonës kulturore që vijon të shpërndahet ende në hapësirën tonë kombëtare.
Në auditorët e Universitetit të Arteve në Tiranë së paku prej gati tri dekadash, ai ishte profesori që nuk jepte vetëm dije, por stil dhe krijonte kulturën e sqimës për artistë të rinj. Dhe stili, siç do të këmbëngulte Wilde, është forma më e lartë e moralit.
Studentët e profesor Rolandit mësuan se teknika është e domosdoshme, por karakteri, forca dhe hapësira psiqike, ndjenjësia dhe temperamenti janë vendimtare; se një muzikant pa idolatrinë estetike, pa ndjeshmërinë dhe sidomos pa aftësitë depërtonjëse është thjesht një mekanizëm i saktë.
Roland Çene, si askush ndër sivëllezër profesionalë në Shqipëri, e dinte më së miri se një dirigjent pa etikë është vetëm një rrahës kohe.
Mjeshtri Çene, nuk e kërkoi famën, sepse ai e dinte se fama është shpesh thjesht një zhurmë e organizuar. Ai zgjodhi me atë heshtjen e vet të sharmantit sqimatar, diçka më të vështirë: respektin dhe fetarinë e studimit dhe meditimit prej profesionisti.
Disa nga të paktët miq, me njohje të thellësisë së heshtshme të tij në qytet, si shkrimtari dhe gazetari Thanas Dino, regjisori dhe gazetari Ilir Lluri, politikani dhe administratori i nderuar i qytetit Ylli Asllani dhe shumë emra të tjerë në Gjirokastër, e çmonin këtë dominant si personazhin e artit dhe realitetit artistik që imponohej si një akt elegance morale.
Ai besonte dhe e zotëronte aftësinë që muzika nuk duhet të imponojë emocione, por t’i zgjojë ato. Se dirigjenti nuk është sundimtar i tingujve, por shërbëtor i tyre. Dhe se heshtja mes dy notave është po aq e rëndësishme sa vetë nota. Pantomimat e tij në dirigjim ishin komponent muzikimi.
Këto ditë Mjeshtri Roland Çene u fsheh nën dhe. Mua më shtyu pikëllimi i humbjes së tij të hedh këto shënime eulogjike, në vetëbindjen dhe njohjen se vepra dhe historia e tij si artist dhe korife muzike, për qytetin e rinisë sime, do të mbetet jo thjesht një emër në historinë e muzikës shqiptare, por një orientues, më saktë një mentor më tepër.
Gjirokastriti artist, gjeneratën time në atë qytet, e drejttërhoqi kulturalisht, për ta menduar artin: me përmbajtje, me fisnikëri dhe me një ndjenjë të thellë veçanërisht ndaj së bukurës. Ai jo vetëm e dinte, por e mishëronte të vërtetën mësimtare se bukuria është gjithmonë një akt përgjegjësie.
Gjendja tjetër e shpirtit të maestro Rolandit, pas fshehjes nga sytë tanë në amëshim, nuk mund dhe nuk do ta heqë prej kujtesës sonë. Përkundrazi, imazhin e Dirigjentit që estetizonte heshtjen dhe interpretimin masiv në Gjirokastrën e dy kohëve të shekullit të fundit, do ta mbartim si kujtim të bukur të një zotnie arti që kishte dhe talent, por më së shumti qytetari, në kohën e apoteozës së saj.
Faleminderit Maestro!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull