Erion Veliaj depoziton kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës: Nuk e kam nënshkruar unë!

5 Minuta Lexim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”. Bëhet fjalë për një rast, nënshkrim që figuron në emër të kryebashkiakut, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

Veliaj pretendon në kallëzim se ky nuk është nënshkrimi i tij, teksa shton se për verifikim, ka kërkuar informacion edhe nga Burgu i Durrësit. Sipas kallëzimit penal, verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet Veliaj. Kryebashkiaku pretendon se firma i është falsifikuar me qëllim që të aktivizohet në mënyrë fiktive afati i ushtrimit të rekursit në Gjykatën e Lartë.

Në kallëzim kërkohet: regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal, ekspertim grafik i nënshkrimit, hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

“Deklaroj shprehimisht dhe në mënyrë të prerë se ky nënshkrim nuk është firma ime. Kjo konstatohet drejtpërdrejt nga unë dhe konfirmohet objektivisht, pa asnjë dyshim, nga krahasimi me nënshkrimet e mia autentike të depozituara në dokumente të tjera zyrtare. publike dhe private, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme. Për të verifikuar në mënyrë objektive dhe të pakontestueshme pretendimin e njoftimit, kam kërkuar zyrtarisht informacion nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, institucion në të cilin ndodhem i privuar nga liria. Me shkresën nr. 218 Prot., datë 14.01.2026, 1.E.V.P. Durrës ka konfirmuar shprehimisht se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk ka mbërritur asnjëherë në këtë institucion. Ky fakt administrativ, i provuar me akt zyrtar, e bën objektivisht dhe juridikisht të pamundur marrjen e dijenisë nga ana ime për vendimin në fjalë, si person i izoluar, dhe përjashton çdo mundësi që njoftimi të jetë kryer në mënyrë të rregullt dhe të vlefshme.

Këto dy elemente të provuara, mungesa absolute e çdo njoftimi real dhe ekzistenca e një deftese komunikimi me nënshkrim jo autentik në emrin tim, përbëjnë, të marra së bashku, provë të drejtpërdrejtë dhe të pakundërshtueshme se dëftesa e komunikimit është falsifikuar. Ky falsifikim është kryer me qëllim që të deformohet artificialisht fakti juridik i njoftimit mbi vendimin gjyqësor dhe të aktivizohet në mënyrë fiktive afati i ushtrimit të rekursit në Gjykatën e Lartë”, thuhet në kallëzim.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej rreth një viti në masën e sigurisë “arrest në burg” ka kërkuar lirimin nga qelia. Veliaj ka paraqitur kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë, si dhe ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull