Nga Mishel Kociu-
Ka fjalime që përpiqen të bindin. Ka fjalime që përpiqen të justifikojnë. Dhe ka disa, më të rralla, që përpiqen të emërtojnë një realitet që tashmë po vepron, pavarësisht se sa të pakëndshme janë pasojat e tij. Fjalimi i Mark Carney-t në Davos, për mua, i përket kësaj kategorie të fundit.
E lexoj ndryshe nga shumë komente që po qarkullojnë. Dhe po e nis nga diçka personale, sepse pozicioni nga ku flet dikush nuk është kurrë neutral. Rreshtohem politikisht në të djathtën konservatore. Besoj te përgjegjësia individuale, te kufijtë e shtetit, te ekonomia e tregut dhe te sovraniteti. Pikërisht për këtë arsye jam thellësisht dyshues ndaj leximeve të gatshme ideologjike, qoftë kur vijnë të mbështjella si globalizëm moral, qoftë kur vijnë të maskuara si nacionalizëm emocional.
Për këtë arsye, fjalimin e Carney-t nuk e lexoj si “pendesë për globalizmin”, as si teatër retorik për sallat e Davosit. E lexoj si një pranim realist se epoka e naivitetit ka përfunduar. Në thelb, ai nuk ishte funeral i globalizmit, por shpallja e vdekjes së një iluzioni: se tregjet vetë prodhojnë rend, se ndërvarësia ekonomike e zëvendëson politikën dhe se prosperiteti neutralizon konfliktin.
Ky iluzion ka vdekur.
Carney nuk tha se bota e hapur është gabim. Ai tha se ka mbaruar ideja që ekonomia mund të shkëputet nga fuqia, nga siguria dhe nga gjeopolitika. Se teknologjia, energjia, rrjetet e furnizimit (supply chains) dhe financa janë kthyer në instrumente strategjike. Se rendi ndërkombëtar nuk mbahet nga flukset, por nga balancat. Kjo nuk është gjuhë e majtë. Është realizëm klasik.
Problemi i dekadave të fundit në Kanada nuk ishte hapja ndaj botës. Problemi ishte mënyra naive se si u hapëm. U hapëm pa strategji shtetërore, pa arkitekturë mbrojtëse dhe pa vizion afatgjatë. Gjatë kësaj kohe, pamë debate të zjarrta për çështje dytësore (LGBTQ+ etj.), ndërkohë që shtyllat e sovranitetit ekonomik, si industria, energjia dhe klasa e mesme, u lanë në “autopilotin” e globalizimit. Shteti u tërhoq, politika u zbraz duke u zëvendësuar nga teknokracia, sovraniteti ekonomik u trajtua si relike e së kaluarës, ndërsa tregu u trajtua gabimisht si zëvendësues i mendimit strategjik.
Këtu duhet futur edhe një pyetje tjetër, ndoshta edhe më e pakëndshme: po figurat si Trump, a janë shkaku i këtij kaosi, apo simptoma e tij?
Për mua, ato janë kryesisht simptoma. Produkte të një vakumi. Produkte të dështimit të elitave për t’u ofruar shoqërive të tyre një busull. Kur shteti heq dorë nga vizioni, kur politika shndërrohet në administrim dhe kur globalizmi kthehet në fe, atëherë presioni popullor kërkon dalje. Shpesh gjen shprehje në figura narcisiste, të tepruara, destabilizuese. Jo sepse janë zgjidhje, por sepse janë thyerje.
Në këtë kuptim, pranimet që sot dëgjohen në Davos nuk lindën në vakum. Ato janë pasojë e këtij presioni. Janë shenjë se status quo-ja u bë e pambrojtshme. Se epoka e autopilotit u bë politikisht e pamundur.
Sot, ajo që shqetëson nuk është hapja në vetvete, por naiviteti i saj. Jo tregtia, por varësitë e pakontrolluara. Jo bashkëpunimi, por dorëzimi i kapaciteteve strategjike pa kushte. Jo globalizmi si realitet i botës moderne, por globalizmi si ideologji që e shpalli politikën të vjetruar.
Prandaj nuk jam dakord as me shpalljet e shpejta të “vdekjes së globalizmit”, as me idenë se një fjalim shënon kthesë. Kriza e klasës së mesme, inflacioni, pasiguria dhe fragmentimi social nuk janë thjesht produkte të jashtme. Janë edhe prodhime të brendshme. Pasojë e financiarizimit ekstrem, e çbalancimit midis kapitalit dhe punës dhe e shteteve që hoqën dorë nga roli i tyre strukturues.
Jam dakord që liderët duhet të gjykohen nga rezultatet. Por realizmi nuk është gjueti fajtorësh simbolikë. Realizmi është ndërtimi i strategjive kombëtare në një botë ku fuqia është kthyer fakt dhe ku neutraliteti ekonomik është iluzion.
Pyetja reale nuk është nëse globalizmi ka dështuar. Pyetja është nëse shtete si Kanadaja kanë kapacitetin politik dhe intelektual për të ndërtuar një orientim të ri, apo do të vazhdojnë të lëkunden midis teknokracisë dhe populizmit, midis sallave të Davosit dhe revoltës së rrugës.
Në këtë kuptim, fjalimi i Carney-t nuk më duket përgjigje. Më duket diagnozë. Dhe ndoshta një shenjë se epoka më e rrezikshme nuk është ajo e përplasjeve të hapura, por ajo kur elitat fillojnë të flasin për realizëm vetëm pasi iluzionet kanë prodhuar tashmë thyerjet.

