Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u shpreh sot, 12 janar, se nuk është përjashtuar nga Partia Demokratike, e aq më pak të jetë vetëpërjashtuar.
Kjo fjalë e fundit, e përmendur më herët edhe nga kreu i selisë blu, Sali Berisha, shkaktoi një nervozizëm të ish-deputetit demokrat gjatë një interviste Klan News.
Besard Jacaj: Pse nuk ishit te mbledhja e kryesisë dje?
Ervin Salianji: Nuk e dija që kishte mbledhje.
Besard Jacaj: Pra vetëpërjashtimi qenka i vërtetë?
Ervin Salianji: Shiko, po bën një intervistë që nuk është intervistë.
Besard Jacaj: Po pse zoti Salianji?
Ervin Salianji: Vetëpërjashtimi është kur përjashtohesh vetë. Thuaj të vërtetën se je gazetar. Thuaj këtë, po e trajtojnë si pronë.
Besard Jacaj: Atëherë jeni i përjashtuar?
Ervin Salianji: Nuk e di se nuk ka vendimmarrje. Nuk jam i përjashtuar sepse përjashtimi bëhet me akt formal dhe hidhet në votim. Ta kanë thënë kolegë në studio që nuk ka një akt të tillë. Nga ana tjetër nuk jam i vetëpërjashtuar se vetëpërjashtimi është kur ikën vetë. Ore unë jam në PD dhe do të jem në PD dhe jam me mijëra demokratë. Këtu duhet thënë një gjë. PD e Shqipërisë nuk është pronë e askujt dhe të sillesh me PD meqenëse kanë bërë mbledhje thua dhe nuk kam marrë lajmërim në këtë rast do të thotë kur i kërkon Ramës të zbatojë ligjin dhe të mbajë përgjegjësi, po në këtë rast që e përdor ligjin që është ligj i brendshëm i partisë në mënyrë abuzive, preferenciale, klienteliste, çfarë duhet të themi ne? Një nga arsyet pse PD nuk bën dot diferencën morale në raport me Edi Ramën është kjo që bën të kundërtën e asaj që thotë. Thotë bashkim, tenton të bëjë përjashtime se mua nuk më përjashton dot ore, se nuk pyes ata po të dua të shkoj. Logjika që ta trajtosh PD sikur ta ketë lënë ku di unë se kush, është pasuri publike ajo dhe ecën mbi disa rregulla që janë në një libër që quhet statuti i PD.
I pyetur për foltoret e tij, Salianji tha se kushtojnë vetëm 200 mijë lekë të vjetra.
“Të jenë të qetë ata që diskutojnë për shpenzimet. Shpenzimet për çdo takim që bëj unë janë 200 mijë lekë të vjetra, aq sa bën salla. Diku bën 150 diku, 250. Salla e kinemasë në Korçë bën 250 mijë lekë të vjetra. Fonia e atij takimi janë foni që i kanë sallat. Këto janë po themi shpenzimet që i mbulon dega. E vetmja kosto që kam unë është që vendos Facebook-un që merret nga telefonat se ju jeni edhe në media, nga telefoni dhe transmetohet në Facebook-un tim. Kostot janë vetëm kaq”, tha Salianji.
Në lidhje me protestën e 24 janarit, Salianji tha se do të marrë pjesë, por theksoi se forma e saj “nuk duhet të jetë turizëm bulevardi, por revoltë ndaj qeverisë”.

