Imuniteti i Ballukut, Berisha: Rama s’e dorëzon sepse është i frikësuar!

2 Minuta Lexim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e fajësuar këtë të fundit për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Gjatë komunikimit online me qytetarët, Berisha u shpreh se mbështet çdo prokuror dhe gjykatës që vepron në përputhje me ligjin, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe e pandikuar nga politika.

Ai u ndal gjithashtu te çështja e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se Rama refuzon ta dorëzojë për shkak të frikës për fatin e tij politik dhe penal.

I pyetur nga qytetarët se pse në konferencën e Ramës me gazetarët për fundvit nuk e përmend emri i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, Berisha tha se “ai është Don Agaçio është një super mafioz që ka duart e tij të zeza në të gjitha proceset mafioze”

“Don Agaçio është një super mafioz që ka duart e tij të zeza në të gjitha proceset mafioze. Asgjë nuk e shpëton nga veprimi i ligjit, por bosi i Don Agaçios është Edi Rama dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Rama e ka kuptuar se kërkesat për Ballukun janë kërkesa për Ramën”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se qëndrimi i kryeministrit në pushtet varet nga reagimi i opozitës dhe qytetarëve.

“Palloshi i gjatë qëndron edhe 12 vite në pushtet nëse e lejojmë ne. Qëndrimi ose mosqëndrimi i tij përcaktohet nga reagimi ynë si opozitë. Do ngrihemi ne dhe do kemi mbështetje më të madhe”, përfundoi Berisha.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull