Jo adoleshenca, jo shkollimi… por prindërimi!!!

9 Minuta Lexim

Nga Ervin Lera-

Për një kohë të gjatë – relativisht e gjatë, por në të vërtetë zhvillimet e moshës “delikate” të formimit e bëjnë të stërgjatur – flitet për dhunë, bullizim, mangësi në edukim dhe arsimim, qasje të gabuara dhe sipërfaqësore, për adoleshentët. Ajo që e rëndon më shumë rrethanën mbi të cilën sillet e gjitha, është trajtimi mediatik që i bëjnë me papërgjegjshmëri, protagonistët e vetshpallur çështjes. Gazetarët, psikologët, sociologët, punonjësit socialë, dhe shkarkuesit zyrtarë të përballjes së vërtetës të ngërçit familjar – qytetar që shqetëson.

Një fëmijë, i mitur, i papjekur dhe ende jo-i përgjegjshëm për pasojat e veprimeve të veta ku e ka zanafillën e të qënit “problematik” – në gjuhë ligjore, në konflikt me ligjin, më mirë e thënë në kundërshtim me edukatën dhe parimet qytetare -, te mësuesi me dyqind nxënës në përgjegjësinë profesionale, drejtuesi i institucionit arsimor me tetëqind nxënës në shkollë, te oficeri i sigurisë me tetëqind nxënës në shkollë dhe treqind apo katërqind të tjerë në rrugët e rrugicat jashtë përreth shkollës? Po këta prindërit e “stërmunduar” që plotësojnë çdo tekë të fëmijëve të tyre të llastuar dhe të supremicuar çfarë përgjegjësie kanë?, vetëm të plotësojnë çdo kërkesë?, çdo eksibicion fëminor përtej moshës?, çdo kërkesë llogarie karshi sistemit universal të përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë qytetare?, apo të paguajnë dhe duke kompromentuar sistemin e përvuajtuar arsimor të realizojnë “triumfin”foshnjëror të vetin si kompleks nëpërmjet shthurjes së fëmijëve të tyre?

U bë një kohë e stërzgjatur që në mediat kryesore, publike, kombëtare apo lokale, diskutohet dhe nxirren përfundime mbi ngjarje ndërmjet adoleshentëve – të miturve – me pasoja të parikuperueshme, ose në rastin më të mirë, me pasoja të rënda ndaj jetës dhe shëmndetit, nga të paaftë patologjikë që as nuk dinë se nga ta nisin dhe ku ta bitisin çështjen.

  1. Për çfarë është përgjegjës një drejtues i institucionit publik apo privat të arsimit për adoleshentë, të mitur, kur respektohet curricula qytetare dhe morali përgjegjësues i respektimit të gjithpërfshirjes dhe ndërsjelljes qytetare? Asfare nuk ka asnjë përgjegjësi, përveç se kur nuk ka përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e veta si drejtues dhe edukues. Nuk mundet që një njeri të kontrollojë një turmë, në të kundërt do të quhet me të drejtë sipas përkufizimit filozofik dhe historik diktator.
  2. Çfarë mund të bëjë një mësues – edukator – i cili ropatet vërtetë për të futur në shina një fëmijë i cili shkon në shkollë në mëngjes pasi ka ”shijuar” në mbrëmje numërimin e tufave me para, ka plotësuar dëshirat e veta jashtë mundësisë së moshës për të drejtuar një mjet motorik njëqind e më tepër mijë euro nëpër rrugët e qytetit të mbushura me këmbësorë, ka realizuar dëshirën për të qënë protagonist në një lokal në orët e vona të natës me alkol dhe kushedi me çfarë tjetër, apo edhe një “fatkeq” që dëgjon nga pakujdesia e prindërve se jeta është e pamëshirshme, se nuk ka asnjë mundësi, se është poshtëruese dhe asgjë nuk mjafton për të mbijetuar?, por ka edhe nga ta që thonë “falemnderit zotit jeta vazhdon dhe nesër, e nesër ka çdo e sotme…
  3. Çfarë mund të bëjnë të gjithë ata prindër si shembulli i fundit paraardhës, kur në media shfaqen sharlatanë, protagonistë, injorantë dhe përfitues, që e shkarkojnë fajin kudo e ngakund vetëm për të gjetur një temë që të trajtojë dhe të nxjerrë disa të meta në sistem?, edukimi i një fëmije, të mituri, adoleshenti, të riu, apo edhe të rrituri deri diku, nuk është përgjegjesi e askujt dhe e asnjë sistemi… Ëshë dhe do të mbetet detyrim dhe përgjegjësi e dy prindërve, një familjeje – qoftë kjo e bashkuar apo jo, qoftë kjo edhe me tipare tradicionale apo moderne, qoftë e kamur apo mbijetuese – e cila në radhë të parë ka si detyrim trashëgiminë e dinjitetit njerëzor-familjar që trashëgohet natyrshëm, ka si përgjegjësi çdo reflektim të gabuar shoqëror të atyre që emigrojnë, qëndrojnë, kriminalizojnë apo edhe çqytetarizojnë në emër dhe për hir të nevojës dhe protagonizmit
  4. Si ka mundësi që të gjithë injorantët dhe të papërgjegjshmit mediatik e ngarkojnë barrën e përgjegjësisë te bullizmi, shtresimi dhe niveli akademik, kulturor, profesional, shoqëror, apo edhe pasuror, kur ndërkohë nuk dinë as vetë se cili është vlerësimi i duhur qytetar që e përcakton dinjitetin e të sotmes dhe të ardhmës për të miturit, adoleshentët, të rinjtë por edhe më tej deri sa të krijojnë një identitet dhe personalitet qytetar të përshtatshëm gjithpërfshirës. Si mund të pranohet nga publiku që çështjet e kësaj kategorie të shoqërisë që do të jetë shumë shpejt dominuese, vendimmarrëse dhe drejtuese e një kombi – me kismet – të trajtohen nga joprindër, nga prindër të rinj dhe nga njerëz pa dinjitet qytetar dhe pa formimin e nevojshëm qytetar?

Janë ngritur shumë teori dhe mbi gjithçka i mëshohet bullizmit, duke harruar dhe duke mos marrë në konsideratë se çështja më e madhe dhe më e rëndësishme e edukimit dhe përgatitjes së të miturve, parandalimi i shfaqjes së sjelljeve dhe qasjeve joqytetare dhe të padenja shoqërore, protagonizmi i gabuar me pasoja të parikuperueshme – të miturit në konflikt me ligjin – është pasojë e mungesës së komunikimit prind – fëmijë? Çfarë ndodh me të miturit sot në familje?, në emër të ngarkesës për realizimin e mbijetesës, përmirësimit të kushteve të jetesës, rritjes së mirëqënies dhe mbipasurimit familjar, prindërit shmangen nga komunikimi dhe përballja me fëmijët e tyre, pra mungesa e kohës është justifikimi që del me motiv: unë ropatem për të siguruar jetesën dhe mirëqënien; largësia se përpjekjet për mbijetesë, përmirësim dhe mbipasurim krijojnë hendekun në marrëdhënie dhe komunikim; mjafton që të plotësoj nevojat, kërkesat dhe dëshirat pa të tjerat zgjidhi vetë ose me prindin tjetër që ka për detyrë që as mos të lexojë, as mos të zhvillohet e as të mos përshtatet se ka mundësitë të shpenzojë kohën për llukset e veta; të gjitha këto janë vetëm shmangie nga e vërteta. Vetëm koha nuk i mungon njeriut. Mjafton një programim dhe ndarje sipas përgjegjësive dhe detyrimeve pa të përcaktojë dhe volumin e të drejtave që një prind apo të dy bashkë të bëjnë dhe përmbushin detyrimin e edukimit familjar dhe qytetar të fëmijës.

Nuk ka pse asnjë familje të kërkojë nga një mësues me dyqind apo treqind nxënës në ngarkim, një drejtues shkolle me tetëqin apo njëmijë nxënës në ngarkim, një oficer sigurie me po aq sa drejtuesi nxënës në ngarkim, një sistem arsimor me tridhjetëmijë apo njëqindmijë nxënës në ngarkim të mbajnë përgjegjësi.

Komunikimi prind fëmijë, komunikim familjar me qëllim ndërgjegjësues qytetar dhe shoqëror, edukimi në familje dhe për shoqërinë në përgjithësi nga familja i bën fëmijët të përgjegjshëm për dje, sot dhe nesër e përgjithmonë. Mungesa e komunikimit e ka bërë këtë qasje që sot shqetëson dhe krijon plagë të parikuperueshme sociale dhe zhvillimore, shkakton mëri – larg qoftë e thënë edhe hasmëri – dhe qasja e duhur mediatike për të pasqyruar të vërtetën e çështjes, janë të gjitha që bëjnë atë që njerëzit, prindërit, e gjithë shoqëria mund të bëjë për nesër më mirë. Një përpjekje e tillë është bërë në median publike deri kur drejtuesit e medias publike vendosën që të mos kenë atë që duhet, @brezballje.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull