Anëtarët e Partia Demokratike në Këshillin e Mandateve deklaruan se edhe sot nuk është zhvilluar mbledhja e këtij organi, e thirrur për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, një hap që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj.
Sipas përfaqësuesve të PD-së, bllokimi i mbledhjes së Këshillit po ndodh me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas tyre, po mban peng funksionimin e Kuvendit për të mbrojtur Ballukun.
“Kuvendi, me urdhër politik të Edi Ramës, vazhdon të mbajë peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga pesë anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku. Deputetët e PD-së e gjejnë derën e sallës së mbledhjes të mbyllur”, deklaruan përfaqësuesit demokratë.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili ironizoi situatën duke thënë se administrata ka lënë dritat ndezur, por ka “harruar” të hapë derën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
“Kjo është situata: kanë harruar dritat ndezur, por kanë harruar të hapin edhe derën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Sot, edhe pse administrata është në punë dhe mbledhja duhet të realizohet me gjysmën e firmave të deputetëve anëtarë, nuk përgjigjet as Niko, as administrata”, u shpreh Korreshi.
Demokratët theksojnë se vonesat dhe bllokimi i mbledhjes përbëjnë shkelje të rregullores së Kuvendit dhe po përdoren, sipas tyre, si mekanizëm politik për të penguar hetimet dhe procedurat ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë./nl/TemA

