Kryepeshkopi Joan në Bruksel, takime me zyrtarë të lartë të BE-së

1 Minuta Lexim

Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Shqipërisë, Imzot Joan, zhvilloi sot në Bruksel një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Ai u takua me Komisionerin Europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, ku u diskutua trashëgimia e Kryepiskopit Anastas dhe vizioni për të ardhmen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, si dhe sfidat sociale me të cilat përballet vendi, përfshirë emigracionin dhe ndryshimet demografike.

Kryepiskopi Joan u takua gjithashtu me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio, si dhe me bashkëkryetaren e Grupit të Punës për Dialogun Ndërfetar, eurodeputeten Željana Zovko. Në fokus të bisedimeve ishin procesi i integrimit europian, liria fetare dhe modeli i bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, si edhe sfidat që hasin komunitetet fetare, veçanërisht në çështjet pronësore.

Në të gjitha takimet, Kryepiskopi Joan theksoi se integrimi i Shqipërisë në BE është në interes të popullit shqiptar dhe vetë Europës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull