Nga Hasan Aliaj-
Më 16 janar, në qytezën e mrekullueshme San Dana në Salento, kremtohet festa fetare në kujtim të Shenjtit San Dana.
Kjo ceremoni e larmishme festive zgjat nëntë ditë.
Poetesha e talentuar, me origjinë nga Elbasani, por që aktualisht banon në Bordo të Francës, për nder të tij na ka dërguar këtë poezi të ngrohtë, të mbushur me ndjenjë shpirtërore dhe atdhetare, kushtuar shenjtit me origjinë nga Vlora, Shën Dana.
Shën Dana
Nga Mirela Xhava Leka
Në Aulonë u ndez një flakë e heshtur,
pishtar i shenjtë në dorë martiri
E vranë trupin, s’e vranë dritën,
në Iliri hodhi rrënjë besimi.
Dishepujt si zogj mbi det u tretën,
Salento u bë tokë shprese
Atje emri yt u bë kambanë,
që thërret në lutje brezat.
Shën Dana i Labërisë,
yll i shenjtë i Ilirisë,
dritë që s’fiket,
flakë që udhëton,
martir i përjetësisë.
Motivi i publikimit të kësaj poezie ka një domethënie të veçantë, pasi synon jo vetëm të kujtojë martirizimin e tij nga paganët romakë apo vendas, por edhe të shërbejë si një thirrje dhe nismë e gazetës “Rrënjët” për të gjithë poetët arbërorë, kudo që ndodhen, që t’i dedikohen shpirtërisht këtij martiri të harruar nga shoqëria e sotme. Një figurë e tillë, prej kohësh, duhej të ishte rikthyer simbolikisht në vendlindjen e tij, Vlorë, dhe pikërisht aty ku u martirizua, në lungomare, duhej të ngrihej madhërishëm një statujë ose të emërtohej një rrugë me emrin e tij. Nëse kjo do të ndodhte, apo do të ndodhë në të ardhmen, qyteti do të bekohej çdo ditë dhe turizmi do të zhvillohej masivisht. Prandaj, të nderuar poetë, përfshihuni në këtë nismë për këtë figurë simbolike që nderon jo vetëm Vlorën, por gjithë Arbërinë.
Jam i bindur se poetët arbërorë, me fjalën e tyre të ngrohtë dhe stilin shpresëdhënës, do të jenë si përherë një zë i fuqishëm për të zgjuar ndjenjën shpirtërore të secilit. Sepse, kur flet kultura, mbizotëron qetësia shpirtërore, paqja dhe harmonia.
Krahas figurës së shenjtit, po postojmë edhe këtë foto të Kanalit të Otrantos, shkrepur këto ditë me mot të kthjellët nga z. Umberto Panico. Kjo pamje spektakolare e dy brigjeve të Kanalit të Otrantos na çon shumë larg, në ata mijëvjeçarë kur ky kanal është kapërcyer nga fiset ilire – mesapët dhe japigët; në Mesjetën e largët, kur u kapërcye nga të rinjtë besimtarë të Vlorës pas martirizimit të Shenjtit Dana; si dhe në shekujt XV–XVI, kur u përshkua nga masa të shumta arbërore të detyruara të largoheshin me dhunë dhe terror nga pushtimi osman.
Më vonë, ky kanal, që mbart kaq shumë histori prekëse dhe mallëngjyese për ne arbërorët, është kapërcyer me mjete të ndryshme rrethanore nga arbërorët e sotëm, të cilët bregun tjetër të këtij kanali kaq të afërt gjeografikisht, por tmerrësisht të larguar prej regjimit e shikonin si shpresën e vetme drejt Perëndimit, drejt lirisë dhe qytetërimit. Kanali i Otrantos, që dëshmon kaq shumë për marrëdhëniet mes dy popujve, arbëror dhe italian, ka qenë dhe do të mbetet një urë lidhëse paqeje, bashkimi dhe harmonie reciproke mes tyre.
Duke marrë shkas nga ajo që ky kanal mbart mbi “shpinën” e tij historike, sandanez dhe miku i shtrenjtë i gjithë arbërorëve, z. Antonio Biasco, prej vitesh, përmes shoqatës “Ura, jo Mure”, ka qenë aktiv me qëllimin fisnik që urat të jenë gjithmonë konstruktive, në shërbim të paqes dhe harmonisë mes popujve.
Këtë fakt e dëshmon qartë edhe kjo hartë mesjetare, ku vihen re raportet e ndërsjellta mes vendësve dhe ardhësve, një harmoni e jashtëzakonshme dhe mjaft domethënëse për kohën e sotme.

