Nga Aleksandër Çipa
Mjerimi shoqëror bëhet shumë më i madh dhe me kosto të paparashikuara kur bashkëjeton me mjerimin masiv mendor, me mjerimin estetik dhe sidomos anti të cilësishëm të shumicës absolute të shoqërisë.
Mjerimi shoqëror ka vlerën dramatike dhe pse jo edhe tragjike, kur zëvendëson aftësinë e të menduarit shoqëror me patologjinë e agresivitetin parashoqëror të opinionit kaotik.
Mjerimi shoqëror është pranë katastrofës kur e zëvendëson logjikën me urrejtjen dhe përbaltjen masive.
Kjo është e pashmangshme, sidomos kur ndodh të ngjasë ndaj atyre që dëshmojnë jo vetëm aftësinë e të menduarit të thellë, por që i ofrojnë realitetit të mjerë social e politik të shoqërisë sonë periferike, produkt mendor të peshuar dhe testuar, të vlerësueshëm nga elita dhe shoqëri si dhe opinione të tjera, në nivel ndërkombëtar.
Shoqëria jonë e sotme ka rënë në lakun e dëbimit të mendimit dhe të ndëshkimit të atyre që kanë aftësi dhe produkt mendimesh e idesh.
Turma masive, anonime dhe llumtare e hapësirës së pakufishme virtuale, po e kthen verbin publik në Shqipërinë e sotme, në një “plumb qor” dhe në një spërkatëse fekalike që po mbulon edhe krimin edhe drejtësinë, edhe kriminelin edhe drejtësinë, edhe të vërtetat edhe rrenat.
Në kënetë ekzistojnë shumë specie, por në llum nuk mbesin specie( përjashto ngjalat)..!
Si shoqëri po rënohemi drejt këtij realiteti të ndërmjetëm.
Mendimi që na vjen nga jashtë,(edhe kur peshon), nuk ka mundësi as të dëgjohet, as të peshohet, as të çmohet e as të ndihmojë….
Jemi në kohën kur e kemi zhbërë totalisht, brenda mendjeve pa mendje, atë distikun vatran të Nolit apo Konicës “… mbahu Nënë mos ki frikë”…!, ndonëse iluzivisht si parashoqërorë deklamohemi si proamerikanë me një duzinë pamjesh, brendish dhe tipologjish antropomendore…. Tamam si periferikët e vetëndierë egocentristë.

