NJË REFLEKTIM PËR PROTESTAT NË IRAN

3 Minuta Lexim

Nga Ridvan Peshkepia-

Kur në Qershor 2025, mbas 8 ditë bombardimesh izraelite mbi Iran unë deklarova se “Izraeli triumfoi, Irani u mposht,” gjithologët e Fejsbukut (shumica të motivuar nga urrejtja kundër Izraelit) m’u turrën me sarkazëm në rastin më të mirë dhe sharje në rastin më të zakonshëm. Unë paraqita argumente pse kjo ishte ashtu siç e pata shtruar unë por në shekullin e relativizimit të së vërtetës, argumenti dhe fakti nuk kanë më vlerë. Sot, në ditën e katërt të protestave popullore kundër regjimit teokratik iranian (jo thjesht kundër qeverisë), pyetja ime është: A mos është e parsyeshme për popullin iranian të protestojë kundër një regjimi që sapo ka fituar një luftë kundër një superfuqie rajonale si Izraeli dhe një superfuqie botërore si ShBA?
Por më e rëndësishme është se kësaj here, kundër teokracisë iraniane është ngritur shtresa më konservatore e shoqërisë, dyqanxhinjtë. Ishin pikërisht këta dyqanxhinj që u bënë zemra e revolucionit islamisto-komunist të vitit 1979 dhe më pas u shndërruan në bazën politike të sistemit. Ndryshe nga protestat e mëhershme antisistem të zhvilluara kryesisht në kampuset universitare apo të nisura aty, protestat e tanishme u nisën nga dyqanxhinjtë e Pazarit të Madh të Teheranit. Me ta janë bashkuar tashmë edhe studentët dhe, si kurdoherë, intelektualët dhe qytetaria e qyteteve kryesore të vendit.
Që t’i kthehemi përsëri asaj që shkrova më lart, protestuesit po këndojnë:
Thuaji jo Gazës, thuaji jo Libanit
Jeta ime i përket Iranit.
Këta protestues nuk po më duken aq urrejtës të Izraelit sa do të donin lotkrokodilsat e Fejsbukut shqiptar. Protesta filloi si pakënaqësi ndaj gjendjes ekonomike katastrofike të vendit por shpejt përshkallëzoi në kërkesa politike. Për herë të parë flamurë të mëhershëm iranianë me luan e diell, të shpallur të paligjshëm nga regjimi teokratik, sot po valojnë haptasi dhe sfidueshëm në duart e protestuesve, ndërsa shumica dërmuese e femrave në protestë kanë hequr shamitë me të cilat ligji i detyron ta mbulojnë kokën. Shumë protestuesë po kërkojnë kthimin e trashëgimtarit të fronit nga mërgimi. Regjimi i mullave humbi luftën me Izraelin dhe duket se po humbet edhe pushtetin. Tipike për një vend i cili sapo ka humbur një luftë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull