Një vrasje që mund të shpëtojë botën nga shembja

6 Minuta Lexim

Frrok Çupi-

Dje u vra një grua e re në Minneapolis dhe duket se shënoi një kthesë të fortë për vetë Amerikën
politike. U vra nga forcat amerikane kundër Emigracionit që kanë vërshuar në Minneapolis një ditë
më parë.
Viktima është identifikuar si Renee Nicole Good, 37 vjeç. Nënë e tre fëmijëve. Poete, shkrimtare, e
studiuar në Old Dominion University. Shtetase amerikane. Asnjë precedent penal, veç një gjobe
trafiku.
Ky njeri i brishtë, që më parë nuk do të ngrinte as gjethen e pemës, tani mund të shkaktojë stuhinë e
madhe brenda- amerikane që të mund prishë gjithë planet e thëna deri tani se ‘bota po shembet’,
dhe se ‘Europa po vdes!’.
Vrasja e Renee Nicole Good ka shkaktuar një erë të fortë revolte shpirtërore nëpër rrugët e qyteteve
amerikane, por edhe në korridoret e politikës.
Nuk është kjo fuqia ‘ndaluese’ para katastrofës e kësaj ngjarjeje. Por është forca që ka në histori çdo
ngjarje shumë e vogël, që ndodh në pikën e fundit mbi gotë. Efekti i parë që kreu kjo grua e re me
vdekjen e saj është nervozizmi që shkaktoi në Shtëpinë e Bardhë, në Agjencinë e Sigurisë dhe te vetë
presidenti Trump. Ai e quajti aktin ‘një terrorizëm shtëpie’ dhe ‘vepër të ‘majtistëve ekstremë’.
Te mosbesimi që mban formulimi, këtu qëndron edhe një dobësi.
Pse është kjo pika e fundit në gotën e mbushur? Ky ishte shembulli më i fundit i neveritshëm i
dhunës që buron nga politika, që po e dobëson moralin e Amerikës dhe shënon një kapitull të egër
në historinë moderne. Vrasja e Renee vjen pas dy atentateve kundër Trump në vitin 2024; vrasjeve
të një ligjvënëseje demokrate të Minesotës, Melissa Hortman, dhe bashkëshortit të saj vitin e kaluar;
vrasjes së dyshuar të një zyrtari të sigurimeve shëndetësore në një rrugë të Nju Jorkut në vitin 2024;
dhe vrasjes së neveritshme të heroit të MAGA-s, Charlie Kirk, në shtator.
Me vrasjen e 37 vjeçares nuk mban më kjo anë e situatës.
Aq e rënduar është bërë situata, saqë Mark Kelly, sot e kësaj dite, sapo hyn në restaurant, zë qoshen
me shpinë nga muri. Mark Kelly është një politikan amerikan, senator demokrat nga Arizona, ish
astronaut, i sulmuar si ‘tradhtar’ nga Trump. Edhe gruan e tij, Gabby Giffords, përgaqësuese e
Arizonës, e kanë vrarë në një atentat. Mark, që kur u quajt ‘tradhtar’, zë vend vetëm me kurriz nga
muri, shkruan media amerikane.
Frika e përhapur pas vrasjes së Renee nga forcat e Emigracionit, është vetëm njëra anë. Sigurisht,
kjo, e vetme, nuk mund ta ndalojë botën që të ‘mos shembet’, siç po quajnë pas veprimeve
amerikane në Venezuelë, përgatitjes për të marrë Groenlandën dhe pastaj Kolumbinë e Meksikën.
Jo, sigurisht.
Por ka hapur rrugën që amerikanët po i kërkojnë presidentit të tyre që të shikojë punët e vendit të
vet, jo të hallakatet nëpër botë. Punët e ‘veta’ populli amerikan quan ekonominë, shëndetin,
sigurinë. Nëse këto punë vijnë duke rënë, ose edhe kështu si sot, deri në Nëntor, atëherë zgjedhjet e
Midterm-it mund të mos e mbajnë Trumpin president. Këto ndryshojnë balancat edhe me çështjen e
marrjes në dorëzim të Hemisferit Perëndimor dhe hesapeve me Evropën.

Qysh natën e vitit të ri, kur ndodhi kapja e Maduros, vetëm pak ditë, kanë ndodhur ngjarje ‘të vogla’
në botë që duket se e kanë njomur syrin e presidentit Trump ndaj planeve të tij të pandalueshme. E
fundit ishte sot. Rusia deklaroi se ‘çdo sulm mbi Ukrainë është legal’. Modeli është marrë nga sulmi i
Trump mbi Ukrainë, ku çdo gjë që bëhet në dobi të Amerikës ‘është ligj’.
Po bota tjetër si do të reagojë me mijëra ‘plane legale’ pushtimesh?!
Nëse Trump dështon sado pak me planin për naftën e Venezuelës, vallë çfarë do t’u thotë njerëzve
në Amerikë? Këta menjëherë do t’i nxjerrin para fotografinë e Renee Nicol Good…
Sigurisht që forca bie aty ku është ngritur, në tokën e Shteteve të Bashkuara. Por bie për një vajzë të
brishtë.
E brishtë është edhe vetë situata në Venezuelë. Studiues dhe reporterë në SHBA po shkruajnë se
‘arsyeja e sulmit në Karakas nuk kishte demokracia as përmirësimi i jetës në Venezuela’. Ata po
shkruajnë se tani qëllimi është përqendruar në një ‘aleancë me qeverinë e Venezuelës’ qoftë edhe
bashkëpunëtorë të Maduros.
Gjë që është afër mendsh. Kjo ka ndodhur edhe në rastet më parë me presidentët paraardhës të
SHBA. Pushtimi i Irakut, Afganitanit, Libisë, Pranvera Arabe, të kryer nga Bush dhe Obama, nuk sollën
asnjë rezultat të pritur. Nuk është fundi i botës pse edhe plani për Venezuelën të marrë këtë
tatëpjetë.
Madje edhe plani për dobësimin e Europës dhe aneksimin e Groenlandës.
Të gjitha gjërat e mëdha, dhe frika e madhe, ndodhin dhe bien në këtë botë të vjetër. Bien për një
arsye. Madje edhe për një arsye ‘të vogël’. Për një arsye shumë të vogël mund të mbetet pa u
‘prishur’ vetë Europa, që shumë analistë shqiptarë po e quajnë ‘punë e mbaruar’.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull