Pamje apokaliptike nga përmbytjet në vend. Situatë kritike në Durrës e Gjirokastër, qindra banesa nën ujë e familje të evakuuara

11 Minuta Lexim

Vijon të mbetet kritike situata nga përmbytjet në vend, për shkak të reshjeve të dendura të shiut që prej ditës së djeshme.

Më e goditura nga përmbytjet është Gjirokastra. 70 biznese, shumë shtëpi dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 shtatori”. Pamjet gati apokaliptike me masive inertesh dhe gurësh në rrugë e dyqane janë pasojë e vërshimeve masive të lumenjve dhe përrenjve.

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar, është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Edhe në burgun  e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

Gjatë natës në Lezhë pati më pak reshje, por sot situata paraqitet më problematike në Laç. Disa familje janë evakuar dhe shumë shtëpi janë të rrethuara nga uji.

Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 7.2 metra mbi nivelin e detit dhe po i afrohet pikës kritike. Raportohet të ketë dalë nga shtrati në zonën e pazarit pranë urës së Mifolit.

Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.

11:21 Rrëshqitje dheu në aksin Qukës-Qafë Plloçë, gurët godasin makinën në lëvizje

Një ngjarje e frikshme ka ndodhur në aksin Qukës-Qafë Pllocë teksa një makinë në lëvizje është goditur nga disa gurë për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Nga incidenti raportohet të ketë vetëm dëme materiale kur mjeti u godit konkretisht në pjesën e përparme të tij.

10:56 Shembet shtëpia e të moshuarve në Vlorë: Muri rrezikonte të na zinte poshtë. Nuk kemi ku të strehohemi

Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si dhe dëmtime (shkarje) të rrugës kryesore që lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster. Si pasojë e shkarjes së dherave, një prej banesave është shembur plotësisht, ndërsa tjetra ka pësuar dëmtime të rënda.

10:40 Video-lajm/ Burgu i Durrësit me gomone në oborr nga përmbytjet, punonjësi: Mos bëj video

Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike, ku për shkak të reshjeve të dendura të shiut, oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Sikurse duket nga videoja e siguruar nga Top Channel, në oborrin e burgut është edhe një gomone, pasi ka vërshim të lartë të ujit.

10:36 Kritike situata në Urën e Mifolit, niveli i ujit arrin në 7.2 m, ja cilët janë fshatrat më të rrezikuara

Situata në Urën e Mifolit paraqitet kritike, duke arritur në nivelin 7.2 metra. Sipas përgjegjësit të sektorit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj, janë marrë të gjitha masat për rritjen e gatishmërisë së strukturave operacionale, për njoftimin e komunitetit, bizneseve dhe blegtorëve që operojnë përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë.

10:32 Reshjet në Pogradec, del nga shtrati lumi i fshatit Rrëmenj, përmbyten disa banesa afër zonës

Edhe Pogradeci është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit. Deri më tani rritur ndjeshëm niveli i ujit të lumit të Starovës dhe lumit të Vërdovës në të cilat ekziston mundësia të dalin jashtë shtratit. Ndërsa lumi i fshatit Rrëmenj ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar një situatë serioze dhe shqetësuese për banorët e zonës. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, përmbytjet kanë prekur disa banesa që ndodhen pranë këtij lumi, ku uji ka depërtuar në ambientet e brendshme.

10:29 800 banesa të përmbytura dhe qindra të evakuuar/ Bilanci nga përmbytjet në Durrës, burgu ende i përmbytur

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar. Ky është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi.

10:27 Reshjet në Durrës/ Jo vetëm shtëpi të përmbytura, por edhe studio artistike

Pasojë e përmbytjeve në Durrës janë edhe studiot e artistëve. Uji ka depërtuar brenda studios së skulptorit durrsak 87-vjeçar, Nelo Llukaçi, ku artisti ka krijuar e krijon për dekada me radhë, duke rrezikuar seriozisht veprat e tij artistike, skulptura dhe materiale pune me vlerë të veçantë kulturore.

09:52 Situatë e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, dhjetëra fshatra të bllokuara

Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.

09:46 Bllokohet aksi Subash-Tërbuq-Laboë në Gjirokastër/ Rënie dheu dhe inertesh, izolohen banorët e moshuar

Shirat e djeshëm kanë shkaktuar bllokimin e rrugës Subash-Tërbuq-Laboë, në Njësinë Administrative Odrie, Bashkia Gjirokastër. Banorët e këtyre fshatrave, kryesisht të moshuar, janë të izoluar për shkak të prurjeve dhe të inerteve në rrugë. Po ashtu janë regjistruar rënie dheu në shumë segmente, veçanërisht në vendin e quajtur “Blloku i Fiqve”, poshtë fshatit Tërbuq.

09:41 Pasojat e motit të keq/ Niveli i ujit në Obot të Shkodrës arrin në 30-40 cm, bllokohen 15 familje në Bushat

Në Qarkun Shkodër situata hidrometeorologjike paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll, sipas monitorimit të vazhdueshëm nga Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashkëpunim me bashkitë. Në Bashkinë Shkodër reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por ka ende prezencë uji në disa zona, veçanërisht në rrugën kryesore të Obotit ku niveli i ujit arrin rreth 30-40 cm, duke lejuar kalimin vetëm për mjete të larta. Disa oborre banesash dhe sipërfaqe toke bujqësore në të njëjtat zona mbeten të përmbytura, ndërsa grupet e punës vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren në vendet me risk më të lartë.

09:15 Situata nga reshjet në Korçë, uji u afrohet banesave në disa fshatra, rrëshqitje dheu në aksin Lozhan-Moglicë

Qarku Korçë vijon të monitorohet pas reshjeve të natës, ku situata paraqitet përgjithësisht e qetë, me disa problematika të izoluara. Në bashkinë e Korçës raportohet për prezencë uji në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll (NjA Bulgarec). Rruga për në fshatin Denas (NjA Lekas) është bërë e pakalueshme nga prurjet e përroit; strukturat përgjegjëse kanë marrë masa për ndërhyrje.

08:58 Moti i keq/ Përmbyten pesë banesa në Elbasan, prani uji edhe në disa shtëpi në Belsh

Në Qarkun Elbasan, reshjet e mëngjesit kanë shtuar intensitetin e shiut, duke sjellë prani uji në disa banesa të tjera në bashkinë Belsh, përveç dy rasteve të raportuara më parë, dhe duke krijuar rrezik për disa banesa të tjera. Në akset rrugore të bashkisë ka pasur inerte në rrugë, të cilat janë pastruar, dhe aktualisht nuk ka probleme në qarkullim.

08:51 Reshjet e dendura në Lezhë, evakuohen dy familje në Ishull-Shëngjin dhe Kakarriq

Territori i Qarkut Lezhë është përfshirë nga reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit, ku sipas Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër kanë rënë 47 mm shi. Autoritetet vazhduan gjatë natës punën për të ndihmuar banorët e rrezikuar nga përmbytjet. Një familje u evakuua në Ishulli Shëngjin, ndërsa një tjetër në Kakarriq, bashkia Balldren. Në qytet, tek Ura e Cenit, disa biznese dhe garazhe u mbrojtën me thasë me rërë për të parandaluar përmbytjet.

08:43 Kritike situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës, reshjet përmbytin shtëpitë, uji nuk tërhiqet

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, që përmbytën Durrësin dhe paralizuan të gjithë jetën në qytet e periferinë e tij, situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës vijon të jetë kritike. Uji ka përmbytur gjithçka dhe nuk është tërhequr as nga rrugët dytësore dhe as nga banesat e shumë familjeve.

07:30 Përkeqësohet situata nga reshjet/ Dëmtohen dy banesa nga moti i keq në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga si dhe janë dëmtuar dy banesa. Rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, ndërsa fatmirësisht banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull