Përkeqësimi i motit në qarkun e Shkodrës, rrezik për përmbytje në disa zona

2 Minuta Lexim

Prej rreth dy ditësh, Shkodra është përfshirë nën kushtet atmosferike jo të favorshme, të tilla si reshje shiu dhe dëbore, të cilat kanë sjellë dhe pasoja.

Nga një njoftim zyrtar për situatën aktuale të qarkut të Shkodrës, raportohet se në Bashkinë Vau i Dejës, nuk ka reshje shiu, por të tilla janë regjistruar përgjatës natës në Malësinë e Madhe.

Sakaq, në Koplik uji i pranishëm në rrugë po fillon të tërhiqet gradualisht, duke shënuar kështu një përmirësim të situatës.

Kritike mbetet situata në fshatin Kamicë, ku si pasojë e prurjeve nga Përroi i Thatë, ka dëmtime në rrugën që kalon mbi të, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullim dhe në lidhjen Kamicë–Flakë. Strukturat vendore janë në ndjekje të situatës.

Situata aktuale në Kamicë

Në Fushë-Arrëz dhe Pukë vijojnë reshjet e shiut, të shoqëruara dhe me erëra të forta, por nuk raportohen problematika.

Rrezik për përmbytje mbeten zona të Lezhës, pasi prurjet në lumenj dhe përrenj janë shtuar. Nivelet e ujit në Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe Rezervuarin Shtodër janë normale, ndërsa hidrovoret e Velipojës ndodhen në gadishmëri të plotë.

Sa i përket akseve rrugore, në segmentin Bogë–Theth është regjistruar dëborë në zonën e Qafë Thores dhe qarkullimi kërkon kujdes të shtuar. Në aksin Hani i Hotit–Dogana Vermosh ka pasur rënie inertesh, por grupet e punës janë në terren dhe po kryejnë pastrimin.

Gjithashtu, janë evidentuar disa ndërprerje të energjisë elektrike në njësi administrative të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz, ndërsa ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për rikthimin e furnizimit.

Reshjet e dëborës në qarkun e Shkodrës nuk janë të pazakonta gjatë dimrit, por në vitet e fundit ka pasur raste ku bora dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull