Përmbytjet në vend nxjerrin në pah kaosin urban 35-vjeçar në Shqipëri

2 Minuta Lexim

Nga Namir Lapardhaja

Sot e gjithë Shqipëria është gdhirë e përmbytur si pasojë e rreshjeve të shumta të shiut.

Nuk është hera e parë. Nuk është as ndonjë gjë e re dhe e çuditshme.

Është bërë trend tashmë që sa herë bie shi, lagjet dhe qytetet tona përmbyten?

Përse ndodh një gjë e tillë?

Ndodh pikë së pari si pasojë e kaosit tonë urban 35-vjeçar.

Nuk kemi ruajtur asnjë kritier për ndërtimin e banesave dhe lagjeve të reja.

U përmbyt Durrësi, thonë!

Lezha e rrezikuar nga përmbytjet!

Po nuk është përmbytur Durrësi, por zona e Kënetës.

Këneta nuk përmbytet, sepse gjendja e saj natyrale është uji.

Janë njerëzit ata që janë futur në ‘habitatin’ e saj. Sa herë që bie shi, ajo i ‘ndëshkon’ ‘keqbërësit’.

E njëjta gjë dhe me Lezhën, ku ndërtimet janë shtrirë në shtratin e Drinit të vjetër.

Kjo situatë është në të gjithë Shqipërinë.

Ndërtimet pa kriter, bllokimi i kolektorëve dhe kanalëve shkarkues, e shndërron situatën sa herë që bie shi në kaotike.

Sigurisht që një rol të theksuar në të gjithë këtë histori kanë dhënë politikat e gabuara urbanistike në 35 vite kaos, të cilat kanë lejuar ndërtime pa kriter në zona të ndaluara, duke mos respektuar asnjë rregull urbanistik.

Edhe e organizuar të ishte bërë, nuk mund të ishte arritur çorganizim më perfekt urbanistik në Shqipërinë e tranzicionit.

Fatkeqësi që del në pah sa herë që bien disa minuta rreshje shiu.

Shyqyr Zotit që nuk ka Shqipëria prurje dhe rreshje më të larta, sepse dëmet do ishin katastrofike dhe të pariparueshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull