Roza Anagnosti: Dhimiter, te kam ne mendje e zemer ne perjetesi!

3 Minuta Lexim
Fjala përshëndetëse e artistes në mbrëmjen përkujtimore për 90 vjetorin e bashkëshortit të saj, regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti
Të nderuar zonja e zotërinj, kolegë, Ambasadori i Republikës së Kosovës Z. Durmishi me bashkëshorten, dashamirës të respektuar të artit të Dhimitër Anagnostit që ishit të pranishëm sonte në këtë kujtesë, në 90 vjetorin e lindjes së tij, ku na mungon fizikisht.
Ishte ky një nderim për krijimtarinë shumë dimensionale të tij si poet i filmit, regjisor, kameraman, skenarist, shkrimtar dhe për kontributin e tij të rëndësishëm në kulturën kombëtare, me një modesti fisnike.
Sonte e patëm pranë me një pjesë të artit të tij.
Unë dhe vajzat, Juna dhe Era, që adhuronin babain e tyre, ju jemi shumë mirënjohëse.
Ky përkujtim me nismën e familjes u bë i mundur me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ministrit Z. Blendi Gonxhja, Universitetit të Arteve, rektorit Z. Erald Bakalli, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, drejtorit Z. Eljan Tanini, gazetares së çmuar Rezarta Reçi me emisionin e saj, të cilët i falenderojmë sinqerisht.
Falenderojmë nga zemra të gjithë profesionistët e miqtë që bashkëpunuan me shumë dashuri për këtë mbrëmje: regjisoren Driada Dervishin, interpretuesin e kordinatorin Kristian Koroveshi, dirigjentin Oleg Arapi, instrumentistët, këngëtaret, teknikët.
Falenderojmë Altin Çelmetën, Erand Meçan, Ilir Butkën, Besim Kurtin, Spartak Papadhimitrin.
Falenderoj në veçanti kolegët e mi të çmuar që me interpretimin e tyre të mrekullueshëm i dhanë jetë dhe emocion veprave të Anagnostit.
Falenderojmë gjithashtu artistët Elvira Diamanti, Zef Mosi dhe Pavlina Mani nga larg
Arti i filmit mban brenda mundin e shumë krijuesve, disa prej të cilëve janë të pranishëm e disa nuk janë më mes nesh. Ti kujtojmë me nderim dhe respekt.
Krijimtaria e Dhimitër Anagnostit ka qenë një rrugëtim i dhimbshëm por i bukur.
Ai gjatë karrierës artistike pati suksese dhe mori kënaqësi të papara. Dhimitri mbeti gjithmonë mirënjohës ndaj dashurisë që mori nga publiku, nga kolegët që respektuan punën e tij të jashtëzakonshme në dobi të kulturës, si artist, si intelektual e si qytetar.
Ishte një familjar i përkushtuar, model. Po dhe modest e fisnik.
Ndonëse kohët e fundit vuante nga shëndeti, ai e përballoi me dinjitet dhe guxim të paparë. Pranë kishte familjen, mjekët dhe miq të mrekullueshëm
Ka qenë një privilegj për mua rrugëtimi me të për 61 vjet. Krijuam artin tonë dhe një familje të bukur me vajzat tona, nipat e mbesën.
Dhimitër! Të kam në mendje e zemër përjetësisht.
Në studion tij kishte lënë një shënim:
“Unë po iki
Ju lutem mi vadisni filiziat
Këtë amanet kam.”
Këtë bëmë së bashku sonte.
Faleminderit
Tiranë, 23 janar 2026

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull