Nga Odise Kote-
Nuk ka nevojë të spjegohet pse Informacioni dhe Media janë faktor dinamik zhvillimi. Informacioni dhe media pjellin para pafund, diktojnë politika, ndikojnë në zhvillimin politik, shoqëror, ekonomik e social.
Le të themi disa gjëra të thjeshta?
Një edicion lajmesh shkon deri në 30 minuta, e një kronikë është 3.30 – 4 minuta, gjë që do të thotë se një edicion mban deri 7 – 8 lajme megjithë moderimin. Pa folur për nivelin e përmbajtjes, por çdo edicion ka 3 ose 4 lajme j me kryeministrin e qeverinë, dy lajme nga opozita dhe 2 ose tre lajme ndërkombetare.
Po Shqiperia ku është?
Ku janë Kukesi, Shkodra, Lezha, Elbasani, Korca, Gjirokastra, Fieri, Vlora etj, etj? Lajmet lokale jepen në RTVSH, të plota (pa folur per nivelin e permbajtjes) nga 4 Mediat lokale ne vartësi të RTSH – së, ku gjen të paktën pak Shqipëri reale. Edhe vetëm për kaq RTSH nuk duhet mbyllur.
Këto ditë ishte përvjetori i Heroit tonë Kombëtar Gj.K. Skenderbeut. Vetëm RTVSH transmetoi emisione të zgjeruara për ngjarjen.
Për shkak të rrethanave historike, ne jemi një popull me probleme e difekte të shumta në formimin kulturor, demokratik e ligjor. Tē shmangur thellë, e shpesh pakthim, kronologjikisht nga zhvillimet europiane, bëhemi edhe më delikatë e tē brishtë.
Jemi gjithashtu edhe me probleme e mendësi uleritëse asimilimi. Formimi i shtetit shqiptar është i vonë, ekstrakomunitar, me fraktura të rënda demokratike, ku psikika komunitare nuk është shpesh miqësore me shtetin ligjor.
RTVSH nuk është media komerciale, as ka dalë në treg si monopol i grupeve oligarkike, bankare, të biznesit të madh, etj. Jo, jo. Ajo është nevojë e përditshme shqiptare, me një tjetër mision, me një tjetër detyrë kombëtare.
Është aset kombëtar qe s’duhet humbur, është dhe kusht për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si e tillë, ajo duhet mbështetur e fuqizuar. Sigurisht që duhet edhe reformuar e duhet bërë më e zhdërvjellet e më profesionale, duke kapur trendin teknologjik të kohës.
Doemos!
Por kush, përveç RTSH do ta mbrojë identitetin tonë kombëtar (aq te cënueshëm e të sulmuar perditē), po gjuhën shqipe e kulturën shqiptare, po traditat, trashëgiminë, e pasuritë kulturore, po interesin tonë kombëtar?
TV private …???
As mos e çoni nëpër mend!
Nëse RTVSH performon me ato dobësi që ia njohim ne si gazetarë e njohës tē mediave, faji ështē tërësisht i politikës në këto 35 – vite.
Ka dhe një fakt tjetër që s’duhet anashkaluar: RTSH-së ia kanë hedhur prej vitesh litarin ligjor në grykë e nuk e lënē të lulëzojë.
Kush? Kush?
Politika dhe konkurentët hileqarë. Politika le t’i heqë fillimisht litarin nga fyti e ta lerë të marë frymë.
A e ka kush këtë interes?

