Sa palidhje janë shqiptarët pa Lidhje

10 Minuta Lexim
Nga Ag Apolloni-
Para se të copëtoheshin nga Fuqitë e Mëdha, shqiptarët janë bërë copë-copë mes vete. I vetmi që ka arritur t’i bashkojë ata, ka qenë shqiptari më i madh në histori, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Edhe pse Lidhja e tij pati probleme, grindje, konflikte të brendshme menjëherë në vitin pasues, ai arriti t’i mbajë bashkë shqiptarët për 24 vjet, duke luftuar herë kundër osmanëve, herë kundër shqiptarëve që bashkëpunonin me armikun. Me vdekjen e tij, shqiptarët u përçanë dhe u pushtuan.
Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, romantikët, që jetonin jashtë Shqipërisë, si pasojë e asaj përçarjeje dhe e atij pushtimi, deshën ta kthejnë edhe njëherë Motin e Madh (The Great Era), duke e ringjallur Skenderbeun si model bashkimi. Kështu, Abdyl Frashëri, njëri nga vëllezërit e shkrimtarit Naim Frashëri (i cili me veprat e tij ishte kthyer në bard kombëtar që i këndonte historisë së vendit), i mblodhi do ‘prijësa’ (më s’kishin mbetë ‘princa’) dhe krijoi Lidhjen e Dytë, atë të Prizrenit, që kishte për qëllim mbrojtjen e shqiptarëve dhe tokave të tyre. Kjo Lidhje zgjati katër vjet, pra 20 vjet më pak se Lidhja e Lezhës. Pas saj pati edhe një Lidhje të Tretë, Lidhja e Pejës, e cila mezi zgjati tre vjet, pra një vjet më pak se Lidhja e Dytë. Kurrë më shqiptarët s’u lidhën, s’u bën bashkë rreth një qëllimi kombëtar, përveç në Lidhje letrare që ruanin bashkimin kulturor, por i nënshtroheshin ndarjes politike, dhe në Lidhjen krahinore që çoi drejt themelimit të shtetit të ri shqiptar.
Në histori të Evropës nuk ka popull më të përçarë sesa shqiptarët, dhe nga historia e dimë se njësoj ishin edhe paraardhësit e tyre ilirë, që jetuan mes dy qytetërimeve më të mëdha të Evropës, pra grek dhe romak, të cilëve iu përshtatën më shumë nga paaftësia për të menduar si grekët dhe për t’u strukturuar si romakët.
Tashmë s’kemi Lidhje, jemi një komb pa Lidhje, por edhe ‘palidhje’, në kuptimin kosovar të fjalës. Marrëzia më e madhe është që s’e kuptojmë se së paku kulturalisht mund të krijojmë një Lidhje, sepse vetëm kulturalisht kurrë s’jemi zgjidhur, edhe kur na kanë ndarë administrativisht. Meqë kulturalisht kemi qenë të lidhur që nga Moti i Madh, dhe s’ka arritur të na ndajë askush, ka shpresë se një Lidhje e tillë mund të funksionojë. Pra, fryma kulturore e përbashkët është ruajtur, edhe atëherë kur forma institucionale e ka penguar. Bashkimin kulturor s’ka pse ta pengojë askush, as shqiptarët, as të tjerët, sepse kultura nuk kërcënon, mungesa e saj – po. Prandaj le të institucionalizohet, ajo që deri tash ka mbijetuar vetëm si frymë.
Ky unifikim s’i dëmton shqiptarët dhe nuk i kërcënon fqinjët. Ne kemi nevojë të bashkohemi mes vete dhe të bashkuar të krijojmë lidhje me të tjerët. Prandaj, kjo frymë duhet të unifikohet edhe institucionalisht me marrëveshje mes dy shteteve, por me përfshirje të shqiptarëve edhe jashtë këtyre shteteve.
Çka do të thotë bashkimi kulturor institucional? Bashkim i vlerave mendore, shpirtërore dhe material kulturore. Kosova nuk ka treg për të zhvilluar kulturën, artet, letërsinë. Njësoj është edhe me Shqipërinë. Ndërsa, lidhja mes tyre rrit mundësitë e zhvillimit.
Për t’u bashkuar kultura institucionalisht, duhet ndarë ministritë në fillim. Kultura në Shqipëri duhet të ketë ministri të vetën, me një ministër me profil kulturor, jo të mbetet si sendviç mes Turizmit dhe Sportit. Po ashtu, në Kosovë Ministrisë së Kulturës duhet t’i hiqet Sporti. Zakonisht, dikush që është i aftë ta zhvillojë kulturën, nuk ka talent për ta zhvilluar dhe menaxhuar sportin, dhe anasjelltas. Prandaj ministrat e kulturës gjithmonë dështojnë, sepse duhet të menaxhojnë edhe Sportin, edhe Turizmin, edhe Rininë. Turizmi mund të lidhet me Ekonominë, me Bujqësinë me çkado tjetër, por jo me Kulturën, sepse ne nuk kemi as Athinë, as Romë, as Paris.
Duhet të rikonfigurohen Ministritë e Kulturës dhe të hapet diskutimi për unifikim të tregut kulturor. Kjo duhet bërë në emër të kulturës. Le të krijohet një Ministri e Sportit (në Kosovë) dhe një Ministri e Turizmit (në Shqipëri), por mos t’u bëhen bisht Kulturës. Kemi nevojë për fokus në kulturë dhe për kulturë të përbashkët. Kultura duhet ndarë nga Sporti dhe nga Turizmi, që Sporti dhe Turizmi të zhvillohen më mirë, dhe që Kultura të jetë vetëm kulturë e kokës, jo të bëhen bashkë kokë e këmbë. Përndryshe, vetëm provoni t’i fusni në një dhomë njerëzit e kulturës me ata të sportit dhe do ta kuptoni se as në laboratoret më eksperimentale s’do të shfaqen sjellje më të çuditshme. Sportistët koncentrimin e kanë te ndeshja e radhës, shkrimtarët te ndeshja mes grekëve dhe trojanëve para tre mijë vjetësh. Njerëzit e kulturës flasin me fjalë të rrumbullakëta, kurse për sportistët i rrumbullakët është veç topi. [Pastaj në Kosovë duhet krijuar Qendra e Librit, për të cilën kam insistuar që sa vjet, ndërsa në Shqipëri duhet reformuar, meqë formalisht tashmë ekziston, por s’është serioze. Qendra e Librit si institucion sipas modelit amerikan, domëthënë financohet nga shteti dhe subordinohet te Biblioteka Kombëtare. Kështu depolitizohet libri].
Në të dy shtetet, duhet të miratohen rregullore për mbështetjen e artistëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve. Shumë shtete të vogla e bëjnë këtë, dhe nëse kjo iniciativë lëviz, jemi shumë njerëz të kulturës që mund të ofrojmë dëshmi dhe modele aplikimi. Të gjithë e dimë që përveç disa fasadave, në pesë vitet e fundit Kosova ka ngecur në aspektin kulturor, sidomos teatror dhe kinematografik. Ndërsa Shqipëria as që duket e interesuar për të dalë nga guaca e saj. Dikur për Qendrën Kinematografike të Kosovës thuhej se ‘aty po vjedhin shumë’. Mund të ketë qenë e vërtetë, por unë s’e di, sepse nuk ua kontrolloj xhepat, as xhirollogaritë njerëzve. Fakt është që punohej, supozim është që vidhej. Tash thonë që fakt është që në QKK nuk vidhet. Kemi ardhë në atë moment filozofik të diskutimit: a është më mirë të punohet shumë dhe të vidhet, apo është më mirë të mos vidhet dhe të mos punohet? Unë do të doja që të punohet dhe të mos vidhet, por kjo duket e pamundur tek ne, mjerisht.
Dy Qeveritë tonë (pra, edhe ajo që pritet të bëhet) mund të mendojnë se e impresionojnë botën me politikë. Le ta harrojnë! Politika s’është bërë për t’i impresionuar njerëzit, por për ta rregulluar jetën e qytetarëve. Politikanët mjaft kanë menduar për ulëset e tyre, le të mendojnë pak edhe për të ardhmen e vendit të tyre, për të ardhmen e kulturës së tyre. Para botës, ne jemi interesantë vetëm si kulturë. Kosova ka pasur ambicie për t’i konkurruar edhe NASA-s, por më duket se tashmë është tërhequr nga kjo ambicie. As ambicja për ta pasur George Washington-in e vet nuk ‘dhezi’.
Nuk e di se cili do të jetë më i zoti nga kryeministrat për ta shtyrë këtë nismë të bashkimit kulturor, të krijimit të asaj që mund ta quajmë Lidhje e Kulturës, por ai që do ta bëjë, do të tregojë se është më shumë se politikan. Përndryshe, deri tani, asnjëri nga të dy kryeministrat nuk ka treguar vizion për kulturën brenda shteteve të tyre, se më për diplomaci kulturore as të mos flasim.
Na duhen Ministri të Kulturës (pa i përzier me bujqësi, sport, turizëm etj.), ku ministri të jetë me profil kulturor (të jetë vizionar, jo thjesht menaxher, për menaxhim le të jetë zëvendësministri dhe komplet administrata, e cila, sigurisht, duhet të trajnohet e të reformohet thellësisht), na duhet lidhje kombëtare (mbishtetërore) e kulturës, dhe, natyrisht, na duhet diplomacia kulturore.
Prandaj, le të lidhemi kulturalisht dhe ta institucionalizojmë këtë Lidhje!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull