Shkolla Tregetare e Vlores mbyllet pas 102 vjetesh

2 Minuta Lexim

Nga A. Gjoni-

Një nga institucionet më të njohura nga të rinjtë e Vlorës dhe zonës së jugut, Shkolla Tregtare, po i dorëzohet interesave të oligarkëve, ndërkohë që arsimi mbetet në plan të dytë. Pas 102 vitesh edukim profesional, ku breza të tërë të rinjsh u formuan në degët Hoteleri, Turizëm dhe Ekonomi, qeveria shqiptare ka vendosur përfundimisht të mbyllë shkollën dhe ta zhvendosë në një kampus të përbashkët me Shkollën Profesionale “Pavarësia” ku edhe kanë nisur punimet.

Megjithatë, arsyeja e vërtetë duket të jetë fitimi ekonomik dhe jo përmirësimi i arsimit. Godina historike në Ujin e Ftohtë, një nga zonat më të bukura të qytetit, do të shkatërrohet për të shërbyer interesave të oligarkëve, të cilët duket se e kanë bërë rutinë grabitet e institucioneve të trashëgimisë kulturore për t’i kthyer në resorte luksoze. Ky vendim tregon qartë se për qeverinë dhe pushtetin vendor, fitimi mbi kapital privat rëndon më shumë se edukimi dhe trashëgimia kulturore.

Shkolla Tregtare nuk është e panjohur për shkatërrime të detyruara. Gjatë veprimtarisë së saj 102-vjeçare, ajo u mbyll vetëm nga diktatori italian Benito Musolini, i cili e shndërroi në kazermë ushtarake në vitin 1943. Sot, pas një shekulli edukimi dhe tradite, shkolla rrezikon të zhduket për shkak të ndërtimit turistik dhe luksit, duke i marrë qytetit një nga institucionet më të çmuara dhe duke i mohuar të rinjve mundësinë për arsim profesional cilësor.

Ky vendim përfaqëson një goditje për arsimin profesional dhe një sinjal të qartë se interesi publik dhe kultura edukative po sakrifikohen për fitime private. Në vend që të ruajmë trashëgiminë kulturore dhe të investojmë tek brezat e rinj, po lejojmë që historia e qytetit të shembet nën presionin e betonit dhe kapitalit privat.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull