Shkrimtari i shquar Dritero Agolli për filmin “Beni ecën vetë”: Bukur!

9 Minuta Lexim

Në datën 26 janar 2026 mbushen 50 vjet nga mbrëmja e datës 26 janar 1976 kur u shfaq premierë filmi “Beni ecën vetë”. Me këtë rast, po risjellim shkrimin Bukur!, të shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, botuar së pari në gazetën “Mësuesi”, më 4 shkurt 1976.

Nga Dritero Agolli

BUKUR!

Kur shikon një vepër të bukur arti e ndjen veten sikur tërë ditën je në festë, i gëzuar dhe i fisnikëruar. Të duket jeta më e bukur e shokët më të mirë e më të dashur. Atëherë të pushton ndjenja e punës dhe thua me vete: Si të bëj edhe unë diçka të bukur që t’u sjell njerëzve kënaqësi e t’i ndihmoj në jetë.

I shkruaj këto radhë, në këto shënime të shkurtëra, pasi kam dalë nga kinemaja dhe kam marrë në mendje e në zemër fytyrat e bukura të fëmijëve tanë të filmit “Beni ecën vetë”, film që ka ngazëllyer të gjithë ata që e kanë parë, të mëdhenj e të vegjël, që i ka ngazëllyer nga mendimet e emocionet që ngjall, nga idetë e mëdha në pëmbajtje, të shprehura përmes një forme të thjeshtë. E thjeshta gjithnjë është e bukur se është e vërtetë, se nuk ka trillime e truke intelektualiste e pseudoartistike.

“Beni ecën vetë” është një film që gjithnjë do të na duket i bukur dhe do të ndritë mes gjithë filmave që kanë krijuar kineastët tanë të talentuar, punëdashës dhe të palodhur, njerëz që përherë janë në kërkim dhe ecin drejt pjekurisë së artit të tyre aq të dashur. Ne e prisnim “Benin…” nga regjisorja e palodhur dhe e talentuar Xhanfise Keko. E prisnim pas “Tingujt dhe fëmijët”, “A, B, C… Zh”, “Mimoza llastica”, “Kryengritje në pallat” e “Qyteti më i ri në botë”. Dhe “Beni” erdhi. Por ai erdhi pas shumë kërkimesh artistike të Xhanfise Kekos në rrugën e saj krijuese, ndofta nga më të vështirat në kinematografi, se ke të bësh me aktorë të vegjël, të rritur jo nëpër shkolla arti, po në shkollën e jetës së tyre. Por kur i shohim ata në ekran atëherë bindemi me të vërtetë se sa artistë të mëdhenj janë fëmijët tanë. Para disa viteve, kur shikonim ndonjë film të huaj me personazhe dhe heronj fëmijë na vinte ndonjëherë çudi dhe thoshnim: “Sa bukur lozin qeratenjtë!” Na dukej e paarritshme. Po kjo e “paarritshme” ra shpejt. Fëmijët tanë janë artistë më të mëdhenj se ata që kemi parë.

Po le të kthehemi tek “Beni ecën vetë”. Në radhë të parë ky është një film me një forcë të madhe edukative për të vegjëlit dhe të rriturit. Dhe kjo forcë edukative jepet nga vërtetësia artistike. Tema e tij është e madhe, problematika është e fortë dhe fabula e thjeshtë. Ai trajton një temë tepër të rëndësishme dhe aktuale të jetës sonë. Në qendër është edukimi i të voglit në gjirin e shoqërisë, dalja e tij nga jeta e bota e mbyllur në jetën e botën e madhe, të njerëzve të punës, të moshatarëve të tij e të të rriturve. Beni i mbyllur në katër muret e dhomës së apartamentit del në jetë dhe njihet me njerëzit dhe sendet e panjohura për t’u bërë njeri me mendime dhe emocione të tjera, të bukura dhe të pastra. Ai me këtë hedh hapat e para për “njohjen e jetës”. Vetëm njohja e jetës të jep këto mendime e këto emocione. Atij i kanosej rreziku të bëhej njeri në këllëf, njeri egoist, njeri i rehatit personal. Kur të rritej do të kërkohej mund dhe kohë për ta bërë njeri të vërtetë. Por presioni i madh i jetës me tërë forcën e tij theu muret e apartamentit dhe e thirri: hajde, Beni të ecësh vetë! Kjo thirrje nuk u bë me një agjitacion vulgar dhe me një parrullë të thatë, po përmes një arti të thjeshtë e të natyrshëm, bindës dhe me vërtetësi.

Beni shkon në fshat. Beni njeh vërsnikët e tij. Beni njeh natyrën e bukur, njeh kuajt, gomerët, qentë, lopët. Por më e madhja është që njeh punën, atë punë që ia ka sjellë në apartamentin e vet begëtinë. Tani ai e di se nga i vjen ai qumësht që pi në mëngjes dhe ai gjalpë që lyen bukën. I vjen nga ajo lopa balashkë që kur e takoi për herë të parë u tremb. I vjen nga ata kallinj të grurit që nuk e dinte se çjanë dhe që nuk mund ta dallonte grurin nga misri.

Njohja e jetës! Të njohim jetën themi ne artistët. Por jeta njihet që në fëmijëri, që në moshën e Benit. Dhe kjo nuk duhet harruar. Aq më tepër nuk duhet ta harrojnë mësuesit, edukatoret e kopshteve, prindërit dhe gjyshet. Ne duhet të rritim njerëz me horizonte të gjera. Horizonti është në jetë. Dashuria për fshatin, për natyrën e bukur të Atdheut, ku është tingulli dhe fjala me ngjyrë, ku është vallja dhe kënga, ku është ara dhe gruri, kjo dashuri merr një kuptim të madh në ditët tona. Dhe filmi “Beni ecën vetë” e shtron dhe e zgjidh drejt këtë problem.

Realizimi i këtij filmi është një dëshmi e gjallë e pjekurisë krijuese të regjisores Xhanfise Keko që me novatorizëm të vërtetë po e zhvillon gjithnjë e më shumë gjininë e filmave për të vegjël. Përmes një konflikti e dramaciteti të padukshëm dhe të pabujshëm, por të nënkuptuar, ajo dhe skenaristi Kiço Blushi që ka bërë një skenar të bukur, nga më të mirët, nxjerrin tipa fëmijësh me një individualitet të vërtetë. Individualiteti i tyre del nga gjuha me ngjyrë, nga detajet origjinale, nga analiza psikologjike, nga portretizimi i natyrshëm. Këtu meritë të padiskutueshme kanë dhe artistët e vegjël, që të mahnitin me lojën e tyre, si Herion Spiro që luan heroin kryesor Benin, Gjergji Sollaku që luan Gonin, Selma Sotillari që luan Jetën, Koço Guda që luan Vason, e të tjerë. Por meritë në zbërthimin e tipave të të vegjëlve kanë Pandi Raidhi e Yllka Mujo, që interpretojnë thjesht e bukur, në harmoni me të vegjëlit. Punë të bukur ka bërë operatori Saim Kokona, që na ka dhënë kuadro emocionuese nga natyra, që ka dhënë një peisazh të vërtetë dhe të këndshëm. Gjithashtu kompozitori Limos Dizdari përcjell filmin me një muzikë të kapshme për ne të rriturit dhe për fëmijët.

Filmi, përveç atyre cilësive të shquara, që i përmendëm, është një vepër kinematografike me plot poezi, veçori kjo që ndikon shumë në edukimin estetik të spektatorëve. Kjo ndjenjë që buron nga konceptimi poetik i jetës, pa cënuar aspak pasqyrimin real të saj, krijon edhe një gjendje të shëndetshme humori. E gjithë kjo jepët me mjete artistike jashtë skematizmave dhe shabllonizmave banale. Për këtë duhen përgëzuar jo vetëm autorët, por edhe kinostudio “Shqipëria e Re” që këmbëngul për ngritjen e nivelit ideoartistik të filmave. “Beni ecën vetë” është një tjetër arritje e bukur artistike. Neve nuk na mbetet gjë tjetër veç të themi:

Bukur!

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull