Shqipëria e para në Ballkan për degradimin e lumenjve: 28% e lumenjve të paprekur janë humbur në më pak se një dekadë

7 Minuta Lexim
 
Studimi i ri shkencor zbulon se Shqipëria ka përjetuar rënien më të thellë në shëndetin e lumenjve në rajonin e Ballkanit, duke kërcënuar trashëgiminë natyrore të vendit dhe perspektivat e anëtarësimit në BE.
 Shqipëria ka humbur më shumë lumenj të paprekur se çdo vend tjetër i Ballkanit gjatë dekadës së fundit, sipas një vlerësimi të ri shkencor gjithëpërfshirës të publikuar sot nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur. Studimi Gjendja Hidromorfologjike e Lumenjve të Ballkanit 2025 tregon se segmentet e lumenjve pothuajse natyror në Shqipëri kanë rënë nga 68% në 2012 në vetëm 40% në 2025—një reduktim dramatik prej 28% i nxitur kryesisht nga zhvillimi i hidroenergjisë, rregullimi i pakontrolluar i lumenjve, marrja e ujit dhe ndryshimi i shtretërve të lumenjve.
Në terma konkret, Shqipëria ka humbur mbi 1,144 kilometra lumenj pothuajse natyror në periudhën midis viteve 2018 dhe 2025, me një rënie nga 3,812 km në 2,668 km. Kjo përfaqëson normën më të shpejtë të degradimit të lumenjve në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Këmbanë alarmi për Shqipërinë
Studimi, i hartuar nga Dr. Ulrich Schwarz i Fluvius Vienna dhe porositur nga EuroNatur dhe Riverwatch si pjesë e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”,  vlerësoi 83,824 km gjatësi lumore në 11 vende. Ndërsa dokumentoi rënie në gjithë rajonin, përkeqësimi i Shqipërisë dallohet si veçanërisht i rëndë.
“Ndërsa Shqipëria mbrojti me sukses Vjosën dhe disa nga degët e saj, më shumë lumenj të tjerë u degraduan gjatë dekadës së fundit.” tha Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch. “Këto gjetje duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për qeverinë shqiptare që të mbrojë lumenjtë në të gjithë vendin, jo vetëm në një pellg të vetëm, veçanërisht duke pasur parasysh aspiratat e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.”
Suksesi i Vjosës tregon se çfarë është e mundur
Pavarësisht prirjeve shqetësuese, studimi gjithashtu nënvizon arritjen historike të Shqipërisë: shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës në mars 2023, i cili ndaloi pothuajse 40 hidrocentrale të planifikuara dhe mbetet suksesi më i rëndësishëm i mbrojtjes së lumenjve në rajon.
“Fushata e Vjosës vërtetoi se Shqipëria mund të jetë lider global në ruajtjen e lumenjve,” tha Dr. Schwarz. “Megjithatë, të dhënat tregojnë qartë se ndërsa ne festuam këtë fitore, degradimi u përshpejtua në lumenjtë në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Shqipëria nuk mund t’i  lejojë vetes të humbasë lumenjtë e tjerë të mbetur të egër—ato janë asete natyrore të pazëvendësueshme dhe thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.”
Besjana Guri, Themeluesja dhe Drejtore Ekzekutive e Qendrës LUMI dhe fituesja e Çmimit Mjedisor Goldman për fushatën e Vjosës, theksoi urgjencën e këtyre gjetjeve:  “Këto numra konfirmojnë atë që komunitetet në të gjithë Shqipërinë na kanë thënë për vite me radhë—lumenjtë tanë po shkatërrohen me një ritëm shqetësues. Ne kaluam mbi një dekadë duke luftuar për të shpëtuar Vjosën, dhe e arritëm. Por ndërsa po mbrojnim një lum, dhjetëra të tjerë po devijoheshin dhe degradoheshin. Edhe pas më shumë se një dekade kërkesa vazhdon të jetë e njejtë: Qeveria shqiptare duhet të ndalojë menjëherë të gjitha projektet e reja të hidrocentraleve dhe të krijojë një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse për të mbrojtur lumenjtë tanë të pa prekur dhe të frenojë këtë trend shkatërrues ndaj ekosistemeve ujore”.
 Anëtarësimi në BE në Rrezik
Gjetjet e studimit kanë implikime të drejtpërdrejta për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Bashkimi Evropian kërkon që vendet kandidate të plotësojnë standarde të rrepta mjedisore, duke përfshirë Direktivën Kuadër të Ujit, e cila kërkon status ekologjik të mirë për të gjithë trupat ujorë.
“Praktikat aktuale të zhvillimit të dokumentuara në këtë studim tregojnë një distancë në rritje midis menaxhimit të lumenjve të Shqipërisë dhe standardeve mjedisore të kërkuara sipas kornizave të anëtarësimit në BE,” vuri në dukje Dr. Schwarz.
Gjetjet Kryesore për Shqipërinë:
  • Rënie prej 28% në lumenjtë pothuajse natyrorë që nga 2012—më e thella në Ballkan.
  • 1,144 km lumenj të paprekur janë humbur midis 2018-2025
  • Kërcënimet kryesore: Zhvillimi i hidroenergjisë, rregullimi i lumenjve për infrastrukturë, marrja e ujit, shkatërrimi i shtretërve të lumenjve.
  • Sukses ruajtjeje:  Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës mbrojti rreth 400 km rrjedhë lumenjsh të paprekur.
Veprime të menjëhershme që duhet të ndërmerren
Bazuar në gjetjet e studimit, organizatat mjedisore i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të:
  1. Ndalojë zhvillimin shkatërrues hidroenergjetik dhe të kryejë vlerësime gjithëpërfshirëse mjedisore të të gjitha projekteve të planifikuara
  2. Zgjerojë mbrojtjen e lumenjve në të gjithë vendin, duke ndërtuar mbi modelin e Vjosës.
  3. Zbatojë monitorim sistematik hidromorfologjik, siç kërkohet për anëtarësimin në BE.
  4. Restaurojë ekosistemet e lumenjve të dëmtuar përmes zgjidhjeve të bazuara në natyrë.
  5. Forcojë zbatimin e legjislacionit ekzistues mjedisor.
Rreth Studimit
Studimi Gjendja Hidromorfologjike e Lumenjve të Ballkanit 2025 ofron vlerësimin e parë rajonal të krahasueshëm të kushteve të lumenjve në Ballkan që nga viti 2012. Duke përdorur imazhe satelitore me rezolucion të lartë dhe inventarë të përditësuar të hidrocentraleve, ai vlerëson tre shtylla kritike të gjendjes së lumenjve: shtratin, brigjet dhe zonat e përmbytjeve.
Informacion i Përgjithshëm:
Fushata “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, e koordinuar nga Riverwatch dhe EuroNatur në partneritet me organizata lokale duke përfshirë LUMI-n në Shqipëri, synon të mbrojë lumenjtë me vlerë të lartë natyrore në Ballkan që janë të kërcënuar nga mbi 3,000 projekte hidroenergjetike.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull