Shuhet Jorgos Papadhakis, zëri grek që nuk heshti për emigrantët shqiptarë

4 Minuta Lexim
Nga Marko Caka
New York
Nuk është thjesht një lajm vdekjeje. Është një boshllëk që për shqiptarët e Greqisë nuk mbushet lehtë. Në moshën 74-vjeçare u nda nga jeta Jiorgos (George) Papadhakis, për mediat greke një ikonë, për mua personalisht mësuesi që më hapi derën e parë të gazetarisë.
Prezantuesi legjendar i emisionit “Kalimera Elladha” (Mirëmëngjes Greqi) në ANT1 ndërroi jetë pas një infarkti akut të miokardit, duke mbyllur një kapitull 35-vjeçar që nuk ishte vetëm histori televizive, por histori shoqërore.
Ndoshta për shumë shqiptarë në Shqipëri emri i tij nuk thotë asgjë. Por për ne që u rritëm, punuam dhe u formuam në Greqi, Papadhakis ishte njeriu që nuk e uli kurrë zërin kur flitej për ne shqiptarët. Ai nuk ishte thjesht një prezantues i famshëm televiziv.
Ai ishte njeriu që, që nga eksodi masiv i fillimit të viteve ’90, nuk e anashkaloi çështjen e emigrantëve shqiptarë, por e mbajti në qendër të debatit publik grek, çdo mëngjes, për dekada me radhë.
Ishte zëri që nuk u mbyll, në një kohë kur shqiptarët në Greqi trajtoheshin si problem, si statistikë, si kërcënim. Pra atëherë kur frika, racizmi dhe propaganda dominonin ekranet, dhe shqiptarët përmendeshin vetëm në kronika të errëta, Papadhakis bëri diçka që pak guxuan, na solli në ekran si njerëz, si punëtorë, si prindër, si shtylla të padukshme të Greqisë moderne.
Për mua personalisht, ai nuk ishte vetëm një figurë publike. Ishte mësues, udhërrëfyes dhe mbështetës. E njoha si student, në studiot e ANT1, në lëndën e gazetarisë informative. Ishte i rreptë, kërkues, por i drejtë. Bashkë me Jorgos Aftias, profesorin e gazetarisë ekonomike ishin njerëzit që më treguan se gazetaria nuk është zhurmë, por përgjegjësi. Kur mësuan se origjina ime ishte shqiptare, nuk më pyetën pse. Më pyetën vetëm- “A e di historinë tënde?” Dhe më thanë – “Atëherë tregoje.”
Për vite me radhë, çështjet e shqiptarëve, ato me dhimbje, padrejtësi dhe sakrificë, gjetën vend në “Mirëmëngjes Greqi”. Jo si spektakël, por si detyrim moral. Papadhakis na quajti heronj të ndërtimit të Greqisë moderne në një kohë kur pak guxonin ta thoshin këtë publikisht. Dhe publiku reagoi. Ndihmoi. U solidarizua.
Nëse për diasporën shqiptare Top Channel ishte ekrani i përditshëm, për shqiptarët në Greqi emisioni i tij ishte mëngjesi ynë i përbashkët. Aty gjenim diçka që na mungonte kudo tjetër, dinjiteti.
Jorgos Papadhakis ishte ANT1 për 35 vjet. I ofruan para, kontrata, largime “të arta”. I refuzoi. Jo sepse nuk mundej, por sepse ishte i lidhur emocionalisht me atë që ndërtoi. Me kanalin. Me njerëzit. Me publikun. Me të vërtetën.
Thuhet se “kuajt që plaken, vriten”, një metaforë kjo e shoqërive që hedhin tutje ata që kanë dhënë gjithçka. E thënë troç shoqëritë i harrojnë ata që plaken. Por ai nuk u harrua. Sepse nuk u shit. Nuk u përkul. Nuk u largua kurrë nga ajo që besonte. Qëndroi besnik, i lidhur emocionalisht me kanalin dhe me presidentin historik të tij, Minos Kyriakou
Sot, për shumëkënd, ai është një figurë televizive që u fik.
Për mua, ai mbetet profesori që më mësoi të mos kem frikë nga e vërteta, edhe kur ajo flet me theks.
Për shqiptarët e Greqisë, ti nuk ishe thjesht gazetar grek.
Ishe zë. Ishe urë. Ishe dinjitet.
Ishe për të mbetur legjendë e fjalës së lirë.
Lamtumirë profesor, Jorgos Papadhakis!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull