Për shkak të motit të keq, me reshje shiu dhe në disa zona edhe reshje dëbore, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, njësitë “Shqiponjat” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në terren për menaxhimin e qarkullimit rrugor dhe për ndihmën ndaj qytetarëve.
Si pasojë e reshjeve të borës dhe mjegullës, qarkullimi i automjeteve është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore.
Autoritetet bëjnë me dije se në këto segmente është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore
Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në terren dhe po bashkëpunojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre, për të parandaluar ngricat.
Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe udhëzimet e Policisë, si dhe të pajisen me mjetet e nevojshme dimërore në akset ku kushtet atmosferike e kërkojnë.

