Protesta kombëtare e opozitës e kësaj të shtunë, do të shoqërohet me masa të shtuara sigurie nga Policia e Shtetit. Rreth 1600 efektivë policie po angazhohen për menaxhimin e tubimit, duke përfshirë jo vetëm forcat e Policisë së Tiranës, por edhe efektivë nga qytete të tjera të vendit. Masat e sigurisë përfshijnë vendosjen e një kordoni të dyfishtë para kryeministrisë, angazhimin e Forcave Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-s, si dhe pozicionimin e snajperistëve mbi godinat e kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.
Që prej orës 15:00, janë bllokuar disa akse kryesore të kryeqytetit, përfshirë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Papa Gjon Pali i Dytë”, rrugën “Ukraina e Lirë” dhe rrugën “Ismail Qemali”, duke kufizuar aksesin drejt Kryeministrisë. Dyert e Kryeministrisë janë blinduar dhe forcat e sigurisë mbeten në gatishmëri për çdo skenar gjatë zhvillimit të protestës, e cila do të nisë në orën 17:00 dhe pritet të përfundojë në orën 21:00.
“Bëhet fjalë për 1600 efektivë policie që do të angazhohen në këtë protestë. Përveç forcave të Policisë së Tiranës, ka edhe forca nga qytete të tjera të vendit, të cilat janë në mbështetje gjatë gjithë ditës së sotme. Që prej orës 15:00 është bllokuar Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, po ashtu do të jenë të bllokuara rrugët ‘Papa Gjon Pali i Dytë’, ‘Ukraina e Lirë’ dhe ‘Ismail Qemali’, që janë akset kryesore që lidhin zonën me Kryeministrinë.Kjo protestë ka një shkresë nga PD dhe do të fillojë në orën 17:00, duke u mbyllur në orën 21:00. Punonjësit e policisë janë të pozicionuar pranë Kryeministrisë, ku janë vendosur në kordon para godinës, dhe të gatshme janë Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA, të vendosura pas Kryeministrisë. Po ashtu, mbi godinat e Kryeministrisë dhe Kuvendit janë pozicionuar snajperistë, dyert e Kryeministrisë janë blinduar dhe pritet të shihen skenaret gjatë zhvillimit të protestës”, tha gazetarja.

